Votimi në mënyrë elektronike i të enjtes së kaluar për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i kontestuar nga opozita, është bërë shkas për rritjen e temperatures politike në Parlament edhe këtë të enjte.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, akuzoi ashpër kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli se kanë shkelur parimet demokratike të votës së fshehtë dhe të lirë të deputetëve.

Për Partinë Socialiste, dy janë arsyet, së pari sipas saj qeveria kërkon kontrollin mbi insitucionet e pavarura dhe së dyti, pasi kryeministri Berisha nuk kontrollon më mazhorancën parlamentare.

”Kuvendi do të nisë tani afër procedurën për përzgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, pa asnjë garanci kushtetuese, pa asnjë garanci proceduriale, madje edhe pa garancinë numër një, votën e fshehtë, të lirë, të ndershme dhe të barabartë”, deklaroi Ruçi.

”Kemi kërkuar që me frymën e kushtetutës të ndërtohet një proces demokratik, një proces transparent, një proces gjithëpërfshirës, bashkues i zgjidhjes së presidentit, në respekt të frymës së kushtetues që kërkon që presidenti të jetë një figurë e bashkimit të kombit, por njëkohësisht edhe për të shpëtuar demokracinë nga rreziku i madh i shtetit njëpartiak”, shtoi kryetari i grupit parlamentar të PS, që në fjalën e tij shtoi:  

”Ju po refuzoni me këmbëngulje, duke ecur përpara në skenarin tuaj të vetëm që keni, për një president të partisë në krye të shtetit njëpartiak. Vota e fshehtë duhet të rikthehet në Kuvend me çdo çmim dhe pa të nuk do të ketë zgjedhje. Nuk do të ketë as zgjedhje të Presidentit. Ky është kufiri ku do të ndaleni dhe ku do të na gjeni”.

Por, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke mbrojtur si të lire dhe ligjor votimin e fshehë elektronik, sfidoi opozitën që të provojë me çfarëdo mënyre votimi mbështetjen e kryeministrit në Parlament.

”Zoti Ruçi. Kur thatë se ishte vota gjenerale, ishit i sinqertë. Ju thatë që ne këtu në këtë sallë nuk do t’iu lejojmë të zgjidhni Presidentin e Republikës dhe kjo është strategjia juaj. Kur humbni, nuk pranoni votën. Kur shihni se nuk keni vota, vidhni fletët e votimit, edhe këtu në sallë, siç i morët herën tjetër. E dini që nuk do ta zgjidhni presidentin, pasi këtë do ta bëjë maxhoranca dhe prandaj deklaroni sot në këtë sallë se nuk do të lini që të realizohet votimi. Do të humbini përseri, si në 2009, si në 2011 apo zgjedhjet e Bashkisë. Ky Parlament, gjatë 4 vitete ka përjetuar momente që nuk i kishte njohur kurrë në 20 vjet. Arsyeja është se kryetari juaj nuk e pranon parlamentarizmin, e lufton ate, nuk pranon as ligj, as rregullore, as kushtetutë, por ky Parlament, siç kushtetuta e parashikon, me zgjedhje të lira, si të doni ju, me kuti, me fletë, me elektronikë, do të zgjedhim presidentin duke respekuar kushtetutën dhe ju përsëri do të qani, duke thënë na rrahu Jozefina”, deklaroi Topalli.

Por, debati politik nuk ka mbaruar me kaq dhe kur ka mbetur gati një muaj nga nisja e procedurave për zgjedhjen e presidentit, duket se ka nisur të bëhet realitet profecia e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu.

Duke komentuar një javë më parë situatën e krijuar për votimin e anëtarit të KLD-së, ambasadori Arvizu tha se ky ishte vetëm fillimi.

Në fakt, socialistët, për herë të parë paralajmëruan se, nëse nuk përcaktohen rregulla të reja, që garantojnë votën e fshehtë për presidentin, ata nuk do të lejojnë asnjë votim për zgjedhjen e tij. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e interpretoi këtë si një strategji për bllokim nga ana e opozitës.

Megjithatë, këto debate të ashpra nuk u reflektuan gjatë procesit të votimit, edhe pse kryetarja Topalli evidentoi një parregullsi gjatë votimit me konsensus të një marrëveshje ndërkombëtare.
      
Pavaresisht kësaj, konsensusi u shfaq edhe gjatë votimit të anëtarëve të rinj të komisionit të konkurencës, dy emra për të cilët ishte rënë më parë dakord mes demokratëve dhe socialistëve. Ajo që ra në sy ishte se socialistet e cuan deri në fund marrëveshjen me demokratët, duke përdorur votimin e fshehtë me elektronikë, që, në rastin e zgjedhjes se anëtarit të KLD-së u kontestua prej tyre si një votim jo i lirë dhe jo demokratik.
 

Top Channel