Bullgaria josh me nënshtetësi goranët shqiptarë

19/04/2012 19:00

Bullgaria është duke intensifikuar përpjekjet e saj për të zgjeruar minoritetet në Ballkan, përfshi në Shqipëri dhe Kosovë, duke u ofruar nënshtetësi bullgare komunitetit goran, lajmëroi portali i lajmeve, “SETimes”, gjatë së enjtes.

E njëjta ofertë vlen për goranët e Maqedonisë, të përqendruar në 18 fshatra, në rajonin e Gorës dhe në afërsi të liqenit të Prespës, në krahun maqedonas.

Ishte presidenti i Shoqatës së Goranëve Maqedonas, Avnija Rahti, ai që bëri të ditur lajmin. Sipas tij, shteti bullgar i ka ofruar zyrtarisht këtij komuniteti përfitimin e pasaportës bullgare, pjesë e vendeve të BE-së, punësim në Bullgari dhe shkollim falas në Sofie dhe Plovdiv.

”Të gjithë personat që i përkasin komunitetit gorani, duhet të nënshkruajnë dokumenta ku ata deklarojnë se kanë origjinë bullgare dhe se e ndiejnë veten pjesë e këtij kombi”, deklaroi Rahti.

Shkupi reagoi menjëherë ndaj kësaj nisme, duke e konsideruar si të paligjshme, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim zyrtar.

Agjensia për Bullgarët në Botë është ajo që organizon fushatat e vizitave dhe konvertimeve në komunitetit gorani, ndërsa në faqen e saj të internetit shpjegon se misioni i saj është të bashkojë dhe të unifikojë të gjithë bullgarët kudo nëpër botë.

Një vit më parë, mbi 16 mijë maqedonas fituan nënshtetësi bullgare, së bashku me rreth dy mijë ukrainas dhe një mijë serbë, por vetëm gjashtë qytetarë nga Republika e Kosovës.

”Rreth 1 500 banorë të Zhupës dhe Prespën kanë fituar nënshtetësi bullgare”, konfirmoi nga ana shqiptare Gëzim Kurti, kryetari i Shoqatës së Bullgarëve në Shqipëri, i pyetur nga “SETimes”.

Lëvizja është kritikuar nga ekspertja bullgare për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pedagogia Antoinette Primatarova, e cila në një media vendase, u shpreh: “Kjo është një lëvizje e Bullgarisë për të përfituar avantazhe politike në vendet më të varfëra të Ballkanit, duke shfrytëzuar avantazhet që ofron pasaporta e saj”.

Top Channel