“Presidenti, jo nga politika”

19/04/2012 19:40

Në Ballkan, akademitë kanë nam për platformat politike që kanë hartuar. Ndërsa në Shqipëri jo. Akademia e Shkencave i ka qëndruar politikës larg. Por, Jorgo Bulo nuk i kursen fjalët për çështjen e Presidentit të ri. Profesori mendon se kreu i shtetit i përket të gjithëve. Ndaj për të, Presidenti i ri nuk duhet të jetë një politikan aktiv.

”Do të parapëlqeja për president jo një njeri politik, por një njeri që ta njohë politikën. Dhe në këtë këndvështrim do të  parapëlqeja një historian, i cili do ta shikonte veten jo thjesht si pjesë të banalitetit politik të ditës, por do ta përjetonte politikën si njohës i përvojave, mësimeve historike, edhe me vizionin e perspektivës historike”, deklaroi akademiku Bulo.

Nga anëtarët e rregullt të Akademisë, Floresha Dado është e vetmja akademike femër. Ajo e refuzon me forcë idenë se zgjedhja e presidentit është një moment politik. Edhe ajo mendon se si garant i unitetit të popullit, institucioni i Presidentit të Republikës qëndron mbi palët.

”Nuk ka të drejtë për mua, asnjë parti, kushdo qoftë, ta nxjerrë nga veprimtarët e vet presidentin. Eshtë jashtë logjikës. Në një farë mënyre, po të shohim hollë-hollë, me pretendimet që ne dëgjojmë sot, cënohet thelbi i kushtetutës, cënohet thelbi i presidentit si institucion”, tha Dado.

Në këtë kuptim, për të dy akademikët zgjedhja e presidentit, kalon nga konsensusi. “Edhe me ndryshimet kushtetuese, Kushtetuta nënkupton një proces kompromisi, konsensusi, përderisa raundet e para kërkojnë një shumicë të cilësuar, pra një shumicë përtej shumicës së sotme aktuale’, theksoi Bulo.

Nga ana e saj, Dado shtoi: “Konsensusi është gjëja më e paktë që na vjen në mend. Por, unë nuk mendoj që konsensusi është që të ulen të dy palët dhe secili të nxjerrë nga një përfaqësues dhe secili të përpiqet t’u mbushë mendjen që përfaqësuesi që po nxjerr unë është më i mirë. nuk është konsensus ky. Unë them që konsensus është që të dy palët të mendojnë, të zgjedhin një figurë që të mos jetë aktivist partiak. kjo eshtë shumë e rëndësishme. Prandaj duhet të burrë ose grua shteti që të kuptojë qartë çfarë peshe të madhe ka. E kuptoni që në realitetin shqiptar njerëzit janë lodhur nga përplasjet, njerëzit janë zhgënjyer nga lufta politike dhe duhet një njeri me integritet që t’u tregojë që ka një Shqipëri mbi të gjitha”.    

Të dy akademikët mendojnë se sfida e presidentit të ardhshëm qëndron në rolin më aktiv që duhet t’i japë presidencës së vet, duke mos u kufizuar vetëm një rol honorifik dhe ceremonial.

Profesor Bulo shton edhe garantimin që presidenti duhet t’i bëjë pavarësisë së institucioneve për ndërtimin e të cilave me kushtetutë ka një rol të posaçëm, siç janë institucionet e drejtësisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare.

Top Channel