Shkurtohet lista, 1500 familje pa ndihmë ekonomike

18/04/2012 00:00

Shërbimi social shtetëror ka shkurtuar listën e familjeve që përfitojnë
ndihmë ekonomike duke e cuar atë në 97 mijë e 341 familje nga 98.930 që
ishte në fund të vitit 2011.

Drejtori i këtij institucioni Mihal Naco tha se ky vendim u mor pas një kontrolli në mbarë zyrat rajonale të shërbimit social në periudhën janar-shkurt të këtij viti.

Në një prononcim për Top News, drejtori i Shërbimit Social Shtetëror pohoi se largimi i këtyre familjeve nga skema ka shtuar grantin e ndihmës ekonomike cka do të thotë sipas tij më shumë mundësi për përdorimin e tyre nga pushteti vendor.

Këtij fondi sipas Nacos i janë shtuar dhe pagesat e ndihmës ekonomike për personat me aftësi të kufizuar, të cilët sipas vendimit të qeverisë të datës 7 shkurt, nuk e përfitojnë më atë. Një ndër prioritetet e Ministrisë së Punës për vitin 2012 është deklaruar se do të jetë reduktimi i nivelit të varfërisë. Për këtë arsye, Ministria e Punës përfitoi nga qeveria buxhetin më të madh krahasuar jo vetëm me institucionet e tjera por dhe me buxhetin që ka pasur në vite ky dikaster.

Por duket se që në fillim të këtij viti, hapat e parë që ka ndërmarrë ky institucion ka qenë largimi i përfituesve nga skema e ndihmës ekonomike, që sipas tyre është justifikuar gjithmonë për përfitim abuziv të fondeve nga ana e pushtetit vendor.

Kjo ka qenë dhe arsyeja që këtë vit do të nisë të aplikohet një projekt pilot ku Ministria e Punës përmes inspektorëve të saj do të jetë përgjegjës i fondeve të akorduara për familjet në nevojë, të cilët përveç ndihmës ekonomike në para do të përfitojnë dhe paketë ushqimore cdo muaj.

Top Channel