Dalja përpara mediave e Afrim Krasniqit, këshilltar politik i Presidentit të Republikës, duhet t’i jepte këtij reagimi një karakter më politik. Në fakt për Presidencën, këmbëngulja e mazhorancës për të imponuar Elvis Cefën si zv/kryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është një presion për të kontrolluar pushtetin gjyqësor. Kurse propozimi i Presidentit për të emëruar në këtë post gjyqtarin Ilir Mustafaj një akt legjitim që mbështetet në nenin 147 pika 3 të Kushtetutës dhe në vendimin 14 të vitit 2006 të Gjykatës Kushtetuese.

“Në deklaratat e zëdhënësve të Kryeministrit dhe të vetë Kryeministrit pretendohet se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën duke propozuar një gjyqtar në postin e Zëvendëskryetarit të KLD-së. Për çdo person me njohuri minimale juridike, që merr mundimin të lexojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006 të cituar në mënyrë spekulative në deklaratat e tyre të sotme, do të ishte i papranueshëm shtrembërimi dhe keqpërdorimi i këtij vendimi për të përmbushur synimet e tyre politike. Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka rrëzuar ndryshimet që iu bënë ligjit organik të KLD-së në vitin 2005, sepse me këto ndryshime të gjithë anëtarët e KLD-së ktheheshin në zyrtarë me kohë të plotë. Qëllimisht nga mazhoranca sot nuk përmendet dispozitivi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili në mënyrë konkrete ka shfuqizuar 5 nene të ndryshimeve në ligjin organik dhe ka lënë në fuqi nenin 12, nen, i cili në mënyrë shumë të qartë shprehet se Zëvendëskryetar i KLD-së mund të jetë edhe një nga gjyqtarët që janë anëtarë të KLD-së, por me kushtin që në momentin e zgjedhjes së tij të japë dorëheqje nga detyra e gjyqtarit, sikurse ka ndodhur edhe sot”, deklaroi Këshilltari i Presidentit të Republikës, Afrim Krasniqi.

Sipas zotit Krasniqi jo tani, por në asnjë rast gjatë 5 vjetëve të mandatit presidencial, Presidenti Topi nuk e ka shkelur kushtetutën. Kjo sipas tij provohet edhe nga cëshjet me të cilat Presidenti është përballur me mazhorancën në Gjykatë Kushtetuese,

“Që në 10 raste ka vendosur kundër akteve ligjore të ndërmarra nga ana e Kryeministrit, qeverisë dhe mazhorancës parlamentare, siç janë rastet e marrëveshjes së kufijve detarë, ligjin e pronave, etj. Asnjë vendim 5-vjeçar i Presidentit të Republikës nuk është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe se, edhe në rastin e fundit, kemi të bëjmë vetëm me një vendim interpretues të procedurave të rotacionit në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi Krasniqi.

Këshilltari i presidentit e konsideroi të konsumuar akuzën se Presidenti po e përdor presidencën në funksioneve të projekteve të ardhshme politike dhe kujtoi se ka qenë kryeministri Berisha kur ishte president që në këtë seli mbante mbledhjet e kryesisë së partisë demokratike.

Top Channel