Pse mjafton largimi i Berishës

18/04/2012 00:00

Andrea Stefani – Afrimi i vitit elektoral 2013 ka zgjuar altoparlantët e pushtetit
berishist që po rihedhin në qarkullim tezën e vjetër se rotacioni i
pushtetit dhe largimi i Sali Berishës nuk do të sjellin ndonjë gjë të
re, sepse Edi Rama na qenka po aq i keq sa Berisha, se opozita është po
aq e korruptuar sa PD dhe koalicioni i saj në pushtet dhe se që të
kishim dobi nga rotacioni politik, opozita duhej të ishte krejt ndryshe
nga ç’është.

Premisat e këtij silogjizmi propagandistik të çojnë pikërisht aty ku duan ata që e përhapin: Meqë s’kemi përfitim nga ndryshimi i pushtetit, le të lëmë në qeveri përsëri Sali Berishën!

* * *

Krejt në kundërshtim me propagandën e qeverisë do të japim disa argumente se përse rotacioni i pushtetit do të ishte me përfitime të mëdha për projektin e demokracisë në Shqipëri edhe nëse supozojmë që opozita politike mund të mos ketë ato cilësi që duan jo pak shqiptarë. Së pari demokracia, ndryshe nga diktatura, është ndërrim me votë të lirë i pushtetit politik. Kur shqiptarët përmbysën bustin e Enver Hoxhës, vetë politikanët e opozitës i premtuan shqiptarëve se do punonin për një sistem ku liderët të mos plakeshin në krye të politikës dhe të shtetit siç po ndodh edhe me Berishën. Premtime të tilla ka bërë edhe vetë Berisha. Por ai ka mbi 20 vjet në krye të pushtetit dhe politikës. Qëndrimi i tij i mëtejshëm në këtë pozicion jo vetëm që i bën nder Enver Hoxhës (edhe ai pretendonte si ishte populli që e votonte pafundësisht) por rrafshon në praktikë dallimin më thelbësor mes diktaturës dhe demokracisë.

Largimi i Berishës nga pushteti me votë, do të ishte një fitore e demokracisë, sepse ai është i vetmi lider i kohës së Murit të Berlinit i mbetur në krye të politikës. Dhe këta lloj liderësh e kanë treguar se nuk largohen kollaj, duke manifestuar një mani për pushtet të përjetshëm si ish-diktatorët komunistë. Milosheviçi, Shevarnaxe, Kuçma, për të përmendur vetëm disa, u larguan nga pushteti vetëm pasi presione shumë të forta opozitare, të mbështetura fort nga perëndimorët dhe të përshkallëzuara në revolta, bënë të dështojnë skenarët e manipulimit të zgjedhjeve që nxirrnin “fitues” këta autokratë. Në Shqipëri, mbështetja e pakët ndërkombëtare për protestat e opozitës kundër manipulimit të zgjedhjeve, ka bërë që ndryshe nga homologët e tij, Berisha të jetë i suksesshëm në shitjen e rezultateve dukshëm të manipuluara të zgjedhjeve si “të ligjshme” dhe “institucionale”. Sikur Berisha të mbetej në pushtet edhe në 2013-n, do të thoshte që në fund të atij mandati ai të kish akumuluar 27 vjet në krye të politikës, nga të cilat 19 vjet në pushtet! Prandaj, pavarësisht se opozita perceptohet nga shumëkush si jo perfekte, ajo duhet shfrytëzuar për të vënë në lëvizje mekanizmin e rotacionit të pushteteve që është bllokuar nga qeveria dhe rrezikon të ndryshket pa kthim. Të largosh me votë Berishën është të rikthesh sistemin e rotacionit politik. Dhe kjo është shumë e rëndësishme të sakrifikohet, për shkak të pasigurive lidhur me cilësinë e opozitës apo qeverisjes që vjen pas Berishës. Është më shumë se çështje qeverisjeje, është çështje e sistemit të lirisë. Të largosh Berishën, ka për demokracinë liberale në Shqipëri po atë rëndësi që mund të ketë në Rusi largimi i Vladimir Putinit.

* * *

Qeverisja e Berishës është e një cilësie të tillë, sa vështirë që pas tij dikush të qeverisë dot më keq. Vështirë po ashtu të gjendet qeverisje më e korruptuar. Kush vjen më pas nuk mund të mos qeverisë më mirë. Por, theksojmë, largimi i tij nuk është thjesht çështje e cilësisë së qeverisjes por ka të bëjë me funksionimin e atyre institucioneve që mundësojnë drejtësi për qytetarët pra edhe liri për ta. Epshi për sundim absolut dhe të pafund e çoi Berishën në korrupsion dhe tani është korrupsioni që e shtyn drejt autokratizmit. Prandaj Berisha po bën gjithçka që t’i vërë nën zap të gjithë institucionet e shtetit, që janë krijuar për të kontrolluar dhe baraspeshuar qeverinë dhe Kryeministrin. Ai sapo arriti një tjetër fitore, duke kallur një partizan të tij në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe duke nxirë kështu edhe më shumë horizontet për drejtësi të pavarur. Dhe është habi sesi në një kohë kur pavarësia e drejtësisë mbetet një nga prioritetet e BE për Shqipërinë, askush nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë nuk kritikoi praktikat tiranike parlamentare që i dhanë Berishës këtë “fitore”. Me Berishën në pushtet nuk mund të shpresohet për shtet ligjor në Shqipërinë tashmë të kapur nga klane politiko-mafioze që qëndrojnë mbi ligjin, duke u bërë të pandëshkueshëm. Prandaj, rotacioni i pushtetit, pavarësisht cilësisë së opozitës, është domosdoshmëri për t’i dhënë një goditje demokratike autokratizmit të mafiozuar që po kap ardhmërinë e shqiptarëve, si dhe për të rihapur shansin e ndërtimit të institucioneve të pavarura që do balancojnë e kontrollojnë gjithë pushtetet, qeveritë dhe kryeministrat që do vijnë më pas. Ja përse largimi i Berishës mjafton!

Gazeta “Shqip”

Top Channel