PS, tryeza për zhvillim afatgjatë

18/04/2012 18:10

“Shqipëria ka një territor të degraduar dhe nuk ka ende një plan zhvillimi afatgjatë”. Kështu u shpreh deputeti Eduard Shalsi gjatë tryezës së organizuar nga PS për zhvillimin kombëtar.

Ndërsa lideri socialist Edi Rama theksoi se asnjë ministri në Shqipëri nuk gjen dot një plan territorial si pjesë e një plani kombëtar. Rama komentoi edhe të dhënat e fundit që vijnë nga FMN në lidhje me ekonominë shqiptare.

“Sot, në 2012-ën, rritja parashikohet 0.8 për qind. Parashikimi përputhet me një realitet ekonomik e financiar ku vazhdojnë vjedhiet. Tani Shqipëria po hyn në projeksionin e parashikuar prej nesh. Ekonomia shqiptare ka ngecur sepse nuk ka një model zhvillimi”, deklaroi Rama.

Duke u ndalur në konçesionet e firmosura nga qeveria Berisha, kreu i opozitës ka përgënjeshtruar zërat se me ardhjen e socialistëve në pushtet do të ndodhë anulimi i tyre.

“Kryeministri bën një deklaratë absurde ndaj opozitës, duke thënë se ne do të heqim konçesionet. Konçesionet janë bërë pre e klientelizmit, kështu që ne do t’i rishikojmë dhe jo anulojmë”, tha më tej Rama.

Pasditen e së hënës PS mblodhi tryezën për politikat fiskale, ku Rama deklaroi se politika, sipas tij, e gabuar e qeverisë solli rritje zero të ekonomisë.

Një tjetër pikë e prekur nga lideri i opozitës gjatë kësaj tryeze ishte propozimi për taksën progresiste, për të cilën ai i bëri thirrje qeverisë që ta miratojë sa më parë.

Top Channel