Berisha: Topi përpjekje për të dhunuar Kushtetutën

17/04/2012 00:00

“Nuk ka ditë më të zezë për atë institucion sesa shndërrimin e tij në selinë e një particke fantazëm, sepse njeriu ka integritetin ka kurajon, ka dinjitetin dhe jep dorëheqjen dhe deklaron se unë do krijoj partinë dhe do ndjek karrierën time politike, por nuk i bën atij insitucioni atë që po i bën zoti Topi”. Ky ishte përkufizimi që kryeministri Berisha i bëri presidencës së Bamir Topit gjatë një konference për shtyp, ku iu përgjigj cështjeve me sensitive të politikës shqiptare.

Këtë përkufizm dhe këshille për dorëheqje të presidentit, kryeministrit e bëri pasi në një analizë të gjatë vuri në dukje ato që i quajti rekorde të presidentit në thyerjen e kushtetutës. Të tillë kryeministri cilësoi edhe propozimin e presidentit që një gjyqtar të bëhet nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke e lënë sipas tij përfaqësimin e gjyqtarëve në KLD me tetë anëtarë nga 9 që përcakton kushtetuta.

Megjithatë mazhoranca nuk ka ndërmend teëndermarre ndonje inisitiave per hetimin e presidentit apo nismë tjetër ligjore për cdo vendim eventual të KLD-së, ku presidenti ushtron kompetencën e tij per propzimin e nënkryetarit të KLD-së.
 
“Si do ta përdorë këtë kompetencë? Nuk ka asgjë për tu habitur. Është e qartë se e shpalli se do ta përdore duke thyer kushtetutën. Ajo që ne bëjmë është të qarojme qytetarët. Se tani ty të kanë dhënë një të drejtë, të dalësh në atë ballkon dhe të mbash një fjalë. Po nëse hidhesh nga ballkoni në tokë, është puna jote, është si të abuzosh me të drejtat e tua”, tha kryeministri.

Negociata për presidentin e ri 

Cështja e dytë shumë interesante dhe ende shumë enigmatike është se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit. Kryeministri Berisha e beri edhe më të ndërlikuar situatën, kur një muaj përpara nisjes së procedurave parlamentare për presidentin e ri nuk përjashtoi negociatat me opozitën.
 
“A do të bëhen konsultime? Pa diskutim! Do të ketë konsultime me koalicionin. Konsultime mund të bëhen me opozitën dhe nuk e përjashtoj fare”, shtoi Berisha.
 
Këtë qëndrim te hapur ndaj opozites kryeministri e mbajti pasi sqaroi dy rrethana. Së pari që partia demokratike do të ketë një kandidat të saj për president.
 
“A ka Sali Berisha ndërmend ndonjë emër? Një grup personalitetesh të shquara të Partisë Demokratike mund të ulet në atë karrige dhe ju garantoj se e përmbushin atë detyrë me dinjitet. Cili do të jetë? Do të jenë forumet dhe kur them forumet, edhe kryetari që do ta përcaktojnë atë”, theksoi Berisha.

Rrethana e dytë që kryeministri Berisha sqaroi ishte se marrëdhëniet me LSI-në nuk janë lëkundur nga votimi për anëtarin e KLD-së, ku 3 deputetë të LSI-së, përfshirë kryetarin Meta nuk morën pjesë dhe nuk votuan kandidatin e qeverisë. “Fitorja e vogël ose e madhe është një diamnt, që përmirëson marrëdhënien në koalicion”, tha kryeministri, por ai shmangu një përgjigje, nëse në negociatat për presidentin do të pranojë ndonjë emër që do të vijë nga LSI-ja, si pjesë e koalcionit.
              
Paralelisht me këtë shmangie të pazakontë për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryeministri ishte i gatshëm të diksutonte emra me opozitën. Dhe këtu loja politike për presidentin e ardhshëm bëhet tejet interesante.
 
“Tani, nëse unë them që do të ketë konsultime, unë nuk them hajde dëgjo ato që them unë. Secili do të shprehë mendimet e veta. Normale është kjo”, tha më tej Berisha.

Ajo që i duket se i druhet kryeministri është qëndrimi i Edi Ramës ndaj kësaj gjysëm oferte për zgjedhjen e presidentit, nëse nuk bihet dakord me LSI-në. Kryeministri kujton se në raste vendimtare, si ai i votimit të KLD-së, zoti Rama i lë në baltë njerëzit e propozuar prej tij dhe nuk merr pjesë në votim.

“Cili do të jetë qëndrimi i tyre pas kësaj “vjedhje që iu bë votave me votimin më të fshehtë, nuk e di, por prapë, ne mbetemi të hapur”, mbylli Berisha. 

Berisha: Une iniciator i linjes se interkonjeksionit

I pyetur në lidhje me çështjen e linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe akuzave hedhur ndaj tij, kryeministri Sali Berisha deklaroi se “mafia nuk ka fytyre ka vetem fytyren e krimit, mafia nuk ka moral, ka vetem trofene qe plaçkit”.

“Janë pergjigjur sot qartesisht si Enti, si sipermarrja e OST-se, e cila ka qartesuar shqiptaret se oferta per te cilen pretendon Edi Rama eshte 30 per qind me e kushtueshme se oferta per te cilen drejtuesi i OST-se mendon se duhet te fitoje. Ministria e Financave ka informuar shqiptaret dhe nuk ka pranuar nje borxh prej 10 milione dollare me shume mbi shpatullat e shqiptareve per shkak te preferencave qe tregojne cilido qofte per nje kompani dhe per te perjashtuar tjetren”, tha Berisha.

Berisha theksoi se Kryeministri dhe Qeveria në Shqipëri nuk janë autoritete kontraktues, pasi ligjet e reja i kanë përjashtuar, por qeveria dhe Kryeministri janë gardianë të interesit publik.

“Mund t’ju them se iniciator i kësaj linje është Sali Berisha. Kam kërkuar financimin e Bankës Gjermane të Zhvillimit për këtë linjë, por ligjet janë ligje…ne i respektojmë ato”, tha Berisha.

Kryeministri denon aktet ne Maqedoni 

Berisha ka folur edhe për tensionet e fundit ndëretnike në Maqedoni, duke i dënuar aktet e fundit.

“Autoritetet maqedonase kanë bërë përpjekjet dhe po bëjnë përpjekjet për zbatimin e ligjit. Ne kemi kontakte me autoritetet dhe forcat politike. Veprimi i shëmtuar është vrasja e të rinjve, por e shëmtuar dhe e papranueshme edhe projeksioni në akuza kolektive. Autorët duhen gjetur dhe vendosur para drejtësisë. Këtu nuk ka asnjë qëndrim tjetër. Natyrisht, është absolutisht në të kundërtën me interesin e shumicës që këto incidente të bëhen shkas për të nxitur konfliktualitet të marrëdhënieve ndër etnike. Paqeja dhe stabiliteti i Maqedonisë është interes jetik i shqiptarëve. Kufijtë aktualë janë interesi më i mirë kombëtar i shqiptarëve”, theksoi Berisha.
 
Berisha vlerësoi ndër të tjera faktin që Beogradi hoqi dorë nga zgjedhjet lokale në veriun e Mitrovicës.

Akuzat e Berishës, reagon Presidenca

Duke dashur t’i japë një karakter më politik, institucioni i Presidentit
reagoi menjëherë jo nëpërmjet zëdhënëses apo ndonjë prej këshilltarëve
ligjorë, por nëpërmjet këshilltarit politik, Afrim Krasniqi.

Zoti Krasniqi sqaroi se Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka ushtruar
të drejtën e tij për të propozuar një nga anëtarët e KLD-së për vendin
vakant të nënkryetarit, në respekt të nenit 147 pika 3 të Kushtetutës së
Shqipërisë.

Zoti Krasniqi sqaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2006 ka
lënë në fuqi atë nen të ligjit për funksionimin e KLD-së që në mënyrë
shumë të qartë shprehet se nën/kryetar i KLD-së mund të jetë edhe një
nga gjyqtarët që janë anëtarë të KLD-së, por me kushtin që në momentin e
zgjedhjes së tij të japë dorëheqje nga detyra e gjyqtarit.

Duke refuzuar akuzën se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, këshilltari
politik i Presidentit tha se Kushtetuta është shkelur nga kryeministri, i
cili në kohën kur ishte president zhvillonte në këtë seli mbledhjet e
kryesisë së Partisë Demokratike.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoni.  

Top Channel