Shqipëria e mbytur nga plehrat

16/04/2012 21:10

Shqipëria është e mbytur në plera e kjo ende pa nisur procesi i importit te tyre nga jashtë.

I gjithë vendi, në afersi të qyteteve të medha, lumenjve apo zonave të tëra bregdetare po përjeton thuajse një katastrofe ekologjike që ka shpëtuar prej vitesh nga kontrolli.

Në reportazhin e përjavshëm të ciklit “Shqipëria Tjetër”, u trajtua pikërisht ky realitet  i frikshëm i Shqiperisë, një realitet që sa vjen e po rëndohet.

Në çdo cep të saj, Shqipëria përballet me një katastrofë mjedisore dhe mjafton një udhëtim, pak rëndësi ka se jashtë kujt qyteti të madh, për të dëshmuar këtë situatë që është pak të quhet e rënduar.

Shqipëria e mbeturinave ka dhënë sinjalin “SOS” dhe për këtë nuk mjaftojnë vetëm fjalët e bukura dhe premtimet e panumërta të politikës.

Udhëtimi thuajse irreal i “Shqipërisë Tjetër” nisi nga Gjiri i Kepit të Rodonit, një hapësirë disa kilometërshe që ësjhtyë kthyer në oaz plehrash, që bashkohen me detin, duke i thënë një ngjyrë të përhimtë mbytëse. “Duke nisur që këtu e pesë kilometra sipër, nuk ka asnjë gjallesë, nuk ka asnjë gjë që mund të jetojë. Nuk ka më keq se kaq”, shprehet një banor i varfër i zonës.

Një ndalesë e shkurtër, që duket e pafundme, si kutërbimi i plehrave të kudondodhura. Destinacioni i dytë, bregdeti i Patokut, më në jug, ofron një pamje thuajse identike. Ishull Lezhë, në grykëderdhen e Drinit, ku në sfond, si skllevër të kohëve moderne, shfaqen njerëz që sigurojnë mbijetesën midis lukunisë së mbeturinave të pafundme.

Shëngjini shtrihet jo shumë larg nga ishull-Lezha, por edhe atje, ndotja të heq fjalët. Në hyrje të Shkodrës, landfildi komunal dergjet, pasi Bashkia e Shkodrës nuk pranon t’I paguajë shpenzimet komunës Bushat. E në këtë situatë, ka zgjedhur më mirë të helmojë tokën, ku ndodhen tashmë edhe pesë heronjtë e Vigut, të rrethuar tashmë nga pushtues të rinj, plehrat e qytetit më të madh të veriut.

Udhëtimi piktoresk që të ofrohet nga Bashkia e Kukësit, humbet mes mbetjeve dhe pemëve që duken si të dekoruara si për Krishtlindje a Vit të Ri. Nga veriut, zbritja në qendër dhe në jug të Shqipërisë nuk të ofron asgjë të ndryshme. Përkrah Superstradës, e vështirë të mos ndalesh në breg të Shkumbinit, pranë Rrogozhinës.

Në Divjakë, dunat e mbeturinave janë të fshehura mes gjelbërimit, ndërsa jo larg Lushnjes, shfaqet një mal gjigant plehrash. Në Fier, djathtas urës së Mbrostarit është thuajse e pamundur të zbresësh nga makina, pasi nuk ka asnjë vend ku të mos jenë hedhur mbeturinat, ndërsa gjiri i gjatë bregdetar i Semanit, ofron një kombinim vdekjeprurës mbeturinash e nafte, që kanë larguar çdo këmbë njeriu, që dikur e frekuentonin zonën turistike të shumtë.

Memaliaj mbetet pas, e Kalaja e Tepelenës ngre krye mes stolive moderne, vargjeve me plehra të panumërta. Fill pranë rrugës kombëtare, edhe Gjirokastra, një prej qyteteve elitare dhe më turistike, shfaqet me fytyrën e saj më të shëmtuar.

Lumi Vjosë, dredhon mes grykash e mbeturinash, ndërsa në ballë të Përmetit plehrat zgjaten si një vargan helmues. Në kthim, nuk mund të ndalesh as në Elbasan, ku jo vetëm ambienti, por edhe ajri duket i mbytur.

Kjo është Shqipëria, një vend që lëngon në peshën e mbeturinave të tij. E megjithatë, është po e njëjta Shqipëri, që tashmë është e gatshme të importojë edhe plehrat që prodhojnë të tjerët…

Top Channel