Edhe një herë për aleancën opozitare

16/04/2012 00:00

Skënder Minxhozi – Paralelisht dhe në harkun e pak orëve, mes Gjinushit dhe Ramës ndodhi ajo që nuk ndodhi mes Berishës, Metës dhe Idrizit.

Dy të parët kryqëzuan shpatat publikisht, me fjalë të forta e pa u kursyer, kurse tre të tjerët “i zgjidhën” hallet e tyre të shtëpisë në heshtje, larg kamerave dhe gojës së miletit. Rezultati: PS e PSD prekën minimumin historik të bashkëpunimit e marrëveshjes mes tyre, opozita dha një shfaqje të hapur mungese bashkëpunimi, kurse PD, LSI e PDIU zgjodhën një anëtar të KLD (duke shkelur rregullat, patjetër)! Nuk është pak, në funksion të imazhit publik, por edhe të kalkulimeve të së ardhmes. Jo më kot vota në Kuvend u quajt një test për zgjedhjen e presidentit.

Këto dy zhvillime paralele, zbulojnë edhe një herë (nëse kishte nevojë), thelbin e strategjisë politike që i bën të ndryshëm sot dy liderët kryesorë nga njëri-tjetri. Të marrësh pushtet apo ta falësh atë: kjo ka qenë dilema e madhe e dekadës së fundit në jetën tonë politike, kur lodhja e konsumi i partive të mëdha ka sjellë me vete imperativin e gjetjes së formulave të reja të bashkëpunimit ndërpartiak në Shqipëri. Përtej një sistemi zgjedhor, i cili është i ndërtuar enkas për t’i zhdukur forcat e vogla politike, PD e PS kanë pasur e do të kenë edhe një herë nevojë, që votat e të vegjëlve, të cilat përbëjnë gjithsesi shifra të konsiderueshme elektorale, t’i mbledhin në mënyra të ndryshme. Duket se Berisha e ka kuptuar mjaft mirë këtë truk të kodit aktual, i shtyrë edhe nga një rrethanë shtesë që ai duhet të menaxhojë: konsumimi prej mandatit të dytë qeverisës. Kësisoj, teksa administron anijen plot vrima të shumicës, kryeministri përpiqet, gjithnjë në emër të filozofisë së tij të ndarjes së tortës (ose të paktën të thërrimeve të saj) me të tretët, që të mos lejojë rrjedhjen e votave dhe të konsensusit të partive aleate. I shtrënguar natyrisht edhe nga fakti që kjo qeveri ka një mazhorancë të rrezikuar numerike në Kuvend.

Përballë tij qëndron Edi Rama, i cili, tre vjet pas votimeve të fundit, s’e ka zgjidhur ende dilemën e tij ekzistenciale: të ndajë apo jo pushtet me aleatët, ose me ata që potencialisht mund të jenë të tillë një ditë. Përplasja e tij me partitë aleate, komunikimi tradicionalisht problematik me Gjinushin, Milon, Ndokën e Ngjelën, i kanë dhënë një pamje statike panelit opozitar. Pikërisht tani, kur duhet të pulsonte më shumë se kurrë arti i perfeksionimit të aleancave të vjetra dhe i ndërtimit të atyre të rejave. Përtej idesë meskine “po na i marrin mandatet qyl”, tepër naive për të qenë një qëndrim zyrtar i opozitës kryesore, PS nuk ka asnjë arsye për të mos hedhur sytë tek një taktikë e re krijuese, që do të kërkonte maksimalizimin e jo rrudhjen, bashkëpunimin e jo kthimin e krahëve, zbutjen e jo ashpërsimin e gjuhës ndaj atyre që mirë a keq, janë aleatët që kanë bërë një copë shtatëvjeçare rruge në të njëjtën korsi me të.

Sot kjo qeveri ka 37 zv.ministra. Dhjetë më shumë se qeveria e fundit e majtë, në vitin 2005. Ka, si të thuash, vend për të gjithë dhe për gjithçka. Të mëdhenj, të vegjël, mesatarë, sherrxhinj, të korruptuar, ish të majtë, super të djathtë, miq dhe ish-armiq. Mazhoranca e ka zgjeruar, me shkop, por më shumë me karotë, spektrin e saj politik dhe numerik, duke u futur thellë në sinorët e një të majte, e cila s’po mundet të gjejë një pikë drejtpeshimi në drejtim të aleancave të sotme, por kryesisht të nesërme. Viti 2009 ka qenë një provë befasuese e rëndësisë që merr bashkimi i siglave, në kushtet e një Kodi Zgjedhor ku kanë rëndësi jetike edhe mijërat, madje edhe qindrat e votave.

Jetojmë një moment politik të veçantë. Jemi në paradhomën e sezonit zgjedhor. Është koha kur Meta po merr statusin e një gati-predikuesi fetar. Tipike kjo për ata që kanë kaluar kalvare si ai i Metës, në vitin e fundit. Përtej arsyeve personale, ky qëndrim i tij i ri, që përqendrohet te kritika ndaj “politikanëve sherrxhinj”, ka brenda një mesazh politik të shtresëzuar. Së pari, një shuplakë të tërthortë për kryeministrin, një distancim që u verifikua qartë edhe në votimin e fundit për KLD në Parlament. Së dyti, e kjo varet fort nga e para, një nuancë të ndrojtur zbutjeje ndaj Edi Ramës, duke e ftuar atë të takojë Berishën larg kamerave. Pra duke marrë de facto pozitën e të baraslarguarit mes palëve. Nuk është pak, natyrisht, për dikë që përdorte, jo shumë kohë më parë, një gjuhë shumë të ngjashme ndaj opozitës, me atë të Sali Berishës.

Gjithsesi kjo s’do të thotë asfare se mes Ramës dhe Metës po ndodh, ose më mirë duhet të ndodhë një stinë afrimi. Është thjesht një stinë armëpushimi, apo zbutjeje. Kjo sepse me të drejtë është thënë se nëse Ilir Meta dëshiron të ofrojë shanse për një pakt të ardhshëm me opozitën (diçka në kufijtë e së pamundshmes, për njëmijë arsye), duhet më së pari të deklarohet vetë pjesë e opozitës. Pra, të ikë nga qeveria. Por në një perspektivë më të gjerë, e cila përfshin lojërat e mëdha taktike në funksion të zgjedhjeve, edhe ky spostim i sotëm milimetrik i LSI ka rolin e vet, të paktën sugjestiv dhe psikologjik, mbi një mazhorancë, e cila po i tregon pak si shpesh nervat e zbuluara dhe pikat e dobëta.

Në këtë kontekst të ri, në evolucion e sipër, në kushtet kur politika shqiptare ka provuar sesa fluide bëhet me afrimin e zgjedhjeve, opozita s’ka pse të mbajë lart edhe një herë mburojën e intransigjencës dhe të mosdëshirës për bashkëpunim. E shkuara e afërt ka treguar se kjo nuk ka qenë produktive. Përkundrazi!

Mjaft shpesh në PS dëgjon sesi ankohen me të njëjtën stilemë, ndaj çdo kritike: “Merruni me Berishën, se ai e ka fajin, pse merreni me ne”! Epo ja, që të kërcesh tango duhen dy veta. E zgjedhjet shqiptare janë një tango e vështirë, jo nga ai kërcimi elegant argjentinas, por nga ai lloj ushtrimi i pabesë, ku stërkëmbëshat dhe daljet nga skena janë pjesë e lojës. Berisha po i bën jo keq llogaritë e tij me aleatët, konform interesit të tij politik. Opozita duket edhe një herë e vonuar në këtë procedurë delikate që politika, arti i së mundshmes, ia imponon çdo lideri politik me peshë. Duhet kaluar nëpër këtë vrimë gjilpëre, duke mësuar nga e shkuara dhe duke pasur një vizion të qartë të së ardhmes. Përndryshe je i dënuar të përsërisësh vetveten. Dhe rezultatin, në një rast të tillë, e dimë qysh tani…

Gazeta “Shqip”

Top Channel