Beckenbauer: Real Madrid është një ekip normal

16/04/2012 08:40

Franz Beckenbauer, presidenti i nderit i Bayern Munchen, është shprehur për kanalin ‘Sky’ se Real Madrid është një ekip i fortë, por jo sa Barcelona.

“E kam parë Realin në Ligën e Kampioneve. Është një ekip normal, një ekip i fortë, por normal. Është një grup që punon shumë, por nuk kanë lirshmërinë e Barcelonës në lojë”, shtoi legjenda gjermane.

“Kaizeri” e sheh si disavantazh faktin që bavarezët do e luajnë ndeshjen e parë në fushën e tyre, por mendon se nëse Bayern shfaq nivelin e tij më të mirë mund të fitojë ndaj Real Madrid në gjysmëfinalet e Champions.

“Duhet të luajmë siç bëmë në pjesën e dytë ndaj Dortmundit”, deklaroi Beckenbauer.

Howard Webb, arbitri i takimit

Gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve Bayern Munchen-Real Madrid do të drejtohet nga arbitri anglez Howard Webb.

Ky arbitër u kritikua ashpër nga mediat spanjolle pas finales së botërorit të vitit 2010 pasi nuk ndëshkoi me karton të kuq ndërhyrjen e ashpër të hollandezit De Jong ndaj spanjollit Xabi Alonso dhe lejoi një lojë të ashpër.

Në këtë ndeshje Bayern ka 5 lojtarë të cilët nëse ndëshkohen me karton të verdhë nuk do të luajnë ndeshjen e kthimit: Boateng, Alaba, Luiz Gustavo, Kroos dhe Müller.

Nga ana tjetër, madrilenët vijnë “të pastër” në këtë takim që do të luhet të martën në orën 20.45.

Top Channel