Këmbanat bien për Edi Ramën

14/04/2012 00:00

Jetmir Shpuza – Nuk është as fragmenti i predikimit të njohur, as vepra e Heminguejit,
po ndoshta versioni i fundit mbi këtë temë i hedhur në politikën
shqiptare.

Viti tjetër është vit elektoral, tashmë flitet për numërimin elektronik, pra për të zgjidhur një nga dilemat, dyshimet, parregullsitë dhe për të shkuar drejt një rezultati të pranuar të zgjedhjeve. Për të zgjidhur shumë gjëra, për të ndryshuar atë që po fillon të quhet rëndom në komente, regjim. Diçka që na kujton shprehjen “regjim gangsterësh”, aq të njohur rreth 15 vjet më parë.

Pra një gjendje e keqe e punëve, korrupsion, krim, keqqeverisje, marrëdhënie e dyshimtë dhe e pasinqertë me qytetarin. Konsumim i pushtetit që ndjehet në çdo qelizë të atij që quhet “shtet”, që nga administrata e deri te gjykatat. Si pasojë, të mbetur në dilemën e integrimit, nga e cila duhej të kishim rrëshqitur me kohë.

Zgjedhjet elektorale janë gjithmonë një shpresë, duket se ka ardhur momenti që fjala “zgjedhje” dhe “zgjidhje” janë njësuar siç ndodh në shumë e shumë raste kyçe historike krizash të keqadministrimit të pushtetit. Janë momente kur mazhoranca e elektoratit i kthen sytë tek opozita. Vendimi historik i mbushur me fjalët “ndryshim i ri”, “fillim i ri” duket se ka mbërritur si dëshirë e përgjithshme. Po bien kambanat…

Në Shqipëri duhej të ishim në këtë situatë. Në fakt duhej të ishim me kohë…Gërdeci. Për elektoratin kanë rënë kambanat. Po liderët a i dëgjojnë?

Opozita shqiptare po shtohet me forca të reja. Veshur kuqezi. Po dalin edhe liderë të rinj. Sapo lënë një detyrë dhe nëpër mitingje të uritur për oratori. Por opozita kryesore është ajo që ka grupin e madh në Parlament, që ka bashki e komuna pafund, që ka ekskluzivitetin e të qenit ndër dy forcat e para politike, pra Partia Socialiste. Dhe lideri i saj, më i gjati dhe më i rëndësishmi ndër liderët e opozitës, kryeministri alternativ dhe i pritshëm, Edi Rama. Për të po bien kambanat…

Ndërsa sytë e elektoratit duan një shpresë në personin e tij, për t’u treguar një alternativë për një erë të re në vendin e tyre, ata shpesh gjejnë zhgënjimin e diçkaje të panisur. Në vend të shpresës se nesër do të jetë ndryshe, jo rrallë shprehin frikën se do të jetë po ashtu. Dhe këtë rastis ta ndjejnë të parët pjesëtarët e forcës politike që ai drejton. Tek dëgjojnë fjalimet kilometra të gjatë nëpër salla forumesh apo takimesh të tjera më të mëdha të tipit Refresh, ku shpjegohet “Rilindja Shqiptare”, ata shohin mirë e bukur se si janë mbyllur dyert e konkurrencës në partinë e tyre, ku ekskluzivitetin e përfaqësimit e kanë marrë vetëm tri lloje personash: 1. Ata që kanë shumë lekë, po shumë shumë lekë, d.m.th nuk bëhet fjalë për njëqind apo dyqind milionë të vjetra, po për miliona euro dhe janë në gjendje të bëjnë deal me kryetarin. Këta mund të jenë edhe injorantë, mund ta kenë bërë pasurinë në mënyrë shumë të dyshimtë, po sa më injorantë dhe më të dyshimtë të jenë, aq më mirë është. 2. Të dytët, ndonëse më të paktë, janë ata që kanë kryer ndonjë krim dhe kanë arritur të pastrojnë dosjen, apo që kanë një pjesëtar të familjes të tillë. Po i pate edhe të parën edhe të dytën, ke më tepër shanse. 3. Të tretët janë ata që kanë një gjuhë të gjatë, po shumë të gjatë. Jo për të folur, po për të lëpirë gjithçka dhe gjithkënd që është i rëndësishëm (Je i madh kryetar, si ti nuk ka parë historia, like, superlike fotografisë së kryetarit). Natyrisht nga ky rregull bëjnë përjashtim disa politikanë tradicionalë, që nuk iu është gjetur ende “rrëfana”. Nisur nga këto kritere, ata shohin si në partinë e tyre hiqen me një njoftim telefonik apo duke iu kërkuar dorëheqjen kryetarë lokalë që gëzojnë reputacion dhe i shërbejnë mbarëvajtjes së punëve dhe lihen në drejtim të atillë që janë diskretituar në publik dhe njollosur nga disfata në disfatë. Fillon dyshimi për pushtetin e nesërm.

Në rrokopujën e ditëve, kur elektorati opozitar pret orën e lajmeve për të parë liderin e vet tek godet fenomenet që shqetësojnë më tepër atë, dëgjon me javë të tëra për një deputete që ka dhënë dorëheqjen dhe për një ngatërresë me zëvendësimin e saj nga dikush që është kryetar bashkie dhe që për të mos lënë bashkinë, edhe ky ka dhënë dorëheqjen, po tjetri në radhë nuk po vendoset, se ka diçka, një pengesë që nuk merret vesh nëse është nga KQZ-ja apo nga Jzf-ja (Jozefina). Dhe njerëzit kujtohen për deputeten që ky lider e solli me bujë nga Amerika, për ta lënë mandatin në mes…Apo dëgjon sqarimet për propozimin e bërë nga PS-ja për kandidatin për KLD-në që është avokati i Mehdiut, ju kujtohet Gërdeci dhe shfryjnë: “Këta të gjithë qenkan njëlloj”… Ed, mos ço njeri të pyesë për kë bien kambanat, ato bien për ty!

Ndonëse ka tri radhë që PS-ja fiton shumë më tepër vota se PD-ja, po koalicioni i udhëhequr nga PD-ja fiton më tepër vota se koalicioni i udhëhequr nga PS-ja, çka pasqyrohet edhe në mazhorancën e këtij koalicioni në Parlament dhe këshilla qarku, pësimi nuk rezulton të jetë bërë mësim. Në vend që të gjendet gjuha për zgjerimin e koalicionit, tryezat e fundit të koalicionit ekzistues po tregojnë se të vegjlit që janë tashmë në koalicion me PS-në ka rrezik të largohen për të gjetur ndonjë formulë tjetër. Përgjigjja që iu jepet, është gati si t’u thuash “këputni qafën”. Kambana bie trishtueshëm.

Sot, grupe të ndryshme të shoqërisë që i lidh i njëjti interes dhe që përbëjnë kryesisht shtresat e mesme dhe të varfra të popullatës presin reagime për problemet e tyre konkrete. Ndërsa e drejtoi opozitën gjatë dy viteve në protesta për votën e vjedhur me organizime me shumë mund, këto probleme u anashkaluan dhe nuk u trajtuan. As në linjën e protestës, as në nismat ligjore në Parlament, duke e braktisur njëfarësoj elektoratin në shqetësimet e ndjeshme të tij. Edhe sot, në momente krize, kur Partia Socialiste duhet të mbajë qëndrimin e një force të majtë, shpesh zëri i saj është i dobët për mbrojtjen e këtyre shtresave.

Një forcë politike që përballet me një pushtet të konsumuar, duhet të ketë kurajën të denoncojë monopolet e këtij pushteti. E jo të pranojë që politikanë të veçantë të tij të sponsorizohen nga biznese, pjesë të këtyre monopoleve. Fillon shtrembërimi i fytyrës së pushtetit të nesërm, pa ardhur akoma.

Në vend që forca më e madhe opozitare të ndërtojë strategji dhe të ulet në qendrat e mëdha, në qytetet me traditë të vendit, me njerëz të formuar intelektualisht dhe të ndërtojë stafet që do të përballojnë fushatën nëpër qarqe, që do të drejtojnë dhe menaxhojnë atë, që do të jenë fytyra e pushtetit të ardhshëm, me porosinë e kryetarit fillon një proces riregjistrimi i anëtarëve të partisë, ku kryetarëve lokalë iu kërkohet numri si një realizim plani dhe vazhdojnë me “sukses” anëtarësimet e reja, mjafton të kesh një kartë identiteti, pavarësisht nëse di të shkruash emrin tënd apo jo, vetëm të mos mbetesh prapa në këtë garë mes rrethesh me treqind, katërqind, njëmijë pranime të reja (200 petritat janë shtuar tashmë). Mandej rezultatin do ta përcaktojë numri i anëtarëve që harrojnë dhe në muajt në vazhdim mund të regjistrohen edhe në ndonjë parti tjetër, pavarësisht se mjaft të tjerë që përfaqësojnë diçka largohen nga kjo situatë që nuk ju rezulton si diçka që ka të bëjë me politikën. Njerëz që ia vlen të dëgjohen dhe jo vetëm të dëgjojnë fjalimet kilometra të gjatë të liderit, përsëritjet e vazhdueshme dhe të stërkonsumuara të ideve që i kanë dëgjuar me vite… Dhe atëherë mos ço njeri të pyesë për kë bien kambanat. Ato bien për ty…

Gazeta “Shqip”

Top Channel