Durrës, arrestohen dy policë

14/04/2012 00:00

Plot 3 milion e 200 mijë lekë të reja janë kërkuar si dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimeve pas një përplasjeje të ndodhur tetorin e kaluar mes dy automjetesh në qytetin e Durrësit, përkatesisht një mjeti Volkswagen Taureg me targa italiane dhe nje Mitsubishi me targa greke, mjete prodhim të viteve të fundit.

Por masa e dëmshpërblimit dhe pikëpyetjet e ngritura nga mungesa fizike e njërit prej mjeteve kanë nxitur fillimisht denoncimin e një kompanie sigurimesh dhe më pas nisjen e hetimeve nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, Task Forca pranë prokurorisë së Durrësit dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe veprimet a mosveprimet e kryera për të arritur në përfitimin e një shume të konsiderueshme.

Ditën e shtunë, gjykata e Durrësit ka lëshuar urdhër-arrestet për 3 persona. Në pranga janë vënë Ahmet Daci, efektiv i Policisë Rrugore të Durrësit dhe Kreshnik Gjoka, 30 vjec, ndërsa është shpallur në kërkim personi i tretë, pronari i Mitsubishit, mjetit që rezulton nga verifikimet të kishte kaluar në Greqi disa ditë para ndodhjes së aksidentit të pretenduar.

Tre personat janë vënë nën akuzë për veprat penale “mashtrimi me sigurime” dhe “falsifikim të dokumentave”, vepra që parashikojnë dënimin me burgim dhe gjobë njëkohësisht.

Burime të Policisë së Durrësit paralajmërojnë dhe arrestime të tjera, pasi hetimet janë zgjeruar mbi të tjera raste të aksidenteve rrugore që përmes paraqitjes së rrethanave dhe dëshmive të rreme të fiksuara dhe në dokumente zyrtare kanë synuar përfitimin e sigurimeve të paligjshme.

Kjo skemë mashtrimi ka zgjeruar rrethin e personave të përfshirë në këtë krim.

Top Channel