Anija gjermane me armë drejt Sirisë

14/04/2012 15:30

Tregtia e armëve është një biznes gjithnjë fitimprurës, e sidomos kur bëhet fjalë për zona ku ka luftime e ku në fuqi është embargo e armëve.

Një anije me flamur gjerman është ndaluar në Detin Mesdhe pasi në bordin e saj kishte një sasi të madhe armësh iraniane të destinuara për Sirinë. Sipas “Der Spiegel”, anija ishte nisur për në portin e Tartusit dhe armët do t’u dorëzoheshin autoriteteve siriane për të armatosur ushtrinë e presidentit Bashar al-Assad e cila prej më shumë se një viti po përballet me revoltën popullore, e shndërruar tashmë më shumë një luftë civile mes forcave opozitare të armatosura dhe forcave qeveritare.

Ngarkesa është bllokuar falë informacioneve të marra nga dezertorë të ushtrisë siriane. Mësohet se anija ka marrë armët në Xhibuti në Kepin e Afrikës nga një anije iraniane.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët vazhdimisht kanë akuzuar Iranin për asistencë të ofruar për Sirinë për shtypjen e protestave opozitare.

Ndërkohë, dhuna në vend është rishfaqur sporadikisht pas hyrjen në fuqi të armëpushimit mes opozitës dhe forcave qeveritare me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së, Kofi Annan.  Armëpushimi hyri në fuqi në orët e mëngjesit të së enjtes, sipas një marrëveshje ku Damasku rezervon të drejtën për të reaguar ushtarakisht në rast të sulmeve “të grupeve terroriste”, siç thonë autoritetet vendase.

Top Channel