Berisha nuk po njeh asnjë kufi në gjakimin për pushtet

13/04/2012 00:00

Mustafa Nano – Votimi parlamentar për të zgjedhur anëtarin e KLD-së që do të zërë
vendin bosh të lënë nga Kreshnik Spahiu ishte plot surpriza, por jo të
atij lloji që parashikonte ndonjë socialist.

Nuk fitoi Visha i tyre pra, dhe surpriza kish të bënte me baletin procedural që u luajt dje në sallën e Parlamentit. Berisha ra dakord fillimisht që votimi të bëhej i fshehtë, d.m.th që në sallë të sillnin kutitë e votimit, çdo deputet të futej në dhomën e fshehtë dhe në fund të numëronin votat faqe botës, nën vëzhgimin e kamerave televizive.

Madje, u zgjodhën dhe anëtarët e komisionit të votimit, pd-istët Arenca Trashani e Viktor Gumi, dhe ps-isti Armando Subashi, e ishin bërë gati fletët e votimit me emrat e dy kandidatëve. Por Berisha kish menduar një marifet, të cilët socialistët ia rrëzuan. Kish menduar një procedurë të kontrollueshme: fleta e votimit për çdo votues (deputet) do të nënshkruhej nga anëtarët e komisionit (Trashani, Gumi e Subashi) pikërisht në momentin që deputeti do të shkonte para komisionit me të dëgjuar emrin, dhe kjo bëhej, sipas socialistëve, me synimin që, kur të vinte radha e atyre deputetëve të dyshimtë të mazhorancës, një nga komisionerët e Berishës, ose të dy, të kishin kohë e mundësi të hidhnin nënshkrimet e tyre në mënyrë të tillë që të dalloheshin e veçoheshin aposteriori. Kështu do të merrej vesh se për kë ish hedhur vota e deputetëve të dyshimtë. Kjo ishte pandehma e socialistëve, dhe ka gjasa që të jetë një pandehmë e saktë. Pse? Sepse socialistët hodhën idenë që të gjitha fletët e votimit të nënshkruheshin fillimisht nga komisionerët, të hidheshin në një vazo, të trazoheshin, e më pas të fillonte votimi pa ia dhënë mundësinë askujt të bënte ndërhyrje a shenja në fletën e votimit. Dhe Berisha, me të dëgjuar këtë ide (që është krejt e pafajshme e s’ka asnjë të sharë), pa u konsultuar me askënd, tepër nervoz prej djallëzisë së socialistëve që arritën të kapin djallëzinë e tij dha urdhër që të bëhej votimi elektronik. As që e hodhi në votë. Thjesht vendosi. Kaq. Dhe ajo kandrra që drejton seancat e Kuvendit, Jozefina pra, kaq donte. U shpall votimi, u votua me shpejtësi (e bukura është se u votua vetëm për Elvis Cefën; Visha nuk u hodh fare në votim!!!), iu lanë 2-3 sekonda makinës kompjuterike të bënte operacionet aritmetike dhe u shpall rezultati: 71 vota në favor të Elvis Cefës. Të tjerët nuk kanë marrë pjesë në votim.

Berisha i kish bërë llogaritë përpara se të futeshin në sallën e Parlamentit, kish marrë kontaktet e nevojshme me disa deputetë tekanjozë, kish marrë garanci prej tyre, por prapëseprapë duhet t’i jetë dukur e tepërt, e kotë, budallëqe të besonte fjalën që ata i kishin dhënë e të mos dyshonte në ngasjen prej Jude që do të kishin brenda dhomës së fshehtë (çdo njeri për Berishën, përpara se të jetë njeri, është një ‘tradhtar’ potencial). Dhe aty për aty, sapo ka dëgjuar propozimin socialist që fletët e votimit të nënshkruheshin të tëra e pastaj të niste votimi, e ndoshta duke parë fytyrën e zverdhur të Fatmir Mediut, që paralajmëronte “hilen e madhe”, ka bërë një piruetë të fortë. Duhet të ketë thënë me vete: “Hë Fatmir Mediu, nuk të lë t’ma dredhësh larg syve të mi; po të jesh burrë, më tradhëto hapur”.

Por nuk duhet të ketë qenë vetëm fytyra e Fatmir Mediut që i sillej vërdallë si lajmëtare e humbjes në atë votim. Duhet të ketë pasur dhe fytyra të tjera, të cilat rravgojnë në skenën politike si “sëmundje të buta”, e të cilat, në mendjen e tij, ta bëjnë gjëmën sapo ndjejnë se janë të papërgjuar e pamonitoruar nga syri i “Big Brother”-it. I përndjekur prej idesë se votimi i fshehtë është gjëja më e ndyrë e më e pabesë në botë, ai ka marrë vendimin me shpejtësi rrufe, pa i lënë kohë as vetes t’i mendojë gjërat dy herë, t’i vërë në balancë, e duke lënë pa gojë një pjesë të madhe deputetësh. Socialistët në këto rrethana kanë bërë më të kollajtën, nuk kanë votuar, por të njëjtën gjë ka bërë dhe Ilir Meta. U ka dhënë urdhër të vetëve të mos votojnë. Vetëm Nasip Naço është bërë tok me shumicën, duke e çuar numrin e votave në favor të Çefës në 71. Është një lojë me dy porta e Metës? Apo ka dashur t’i përcjellë Berishës dy mesazhe, së pari që unë të fundos kur të dua, dhe së dyti që këtë herë nuk po të fundos?

Kjo mbetet për t’u parë e për t’u interpretuar. Por në gjithë këtë histori ka diçka që s’ka nevojë të interpretohet: Asnjë lloj votimi normal e korrekt nuk mund të bëhet me Berishën. Nuk ka rëndësi se çfarë votimi është, nuk ka rëndësi kur e ku bëhet, nuk ka rëndësi se sa vetë votojnë, nuk ka rëndësi nëse votimi është elektronik apo me numërim fletë më fletë, nuk ka rëndësi asgjë pra, pasi ai, Sali Berisha do ta kontrollojë procesin nga fillimi deri në fund. Ai e bëri këtë dje, brenda një salle ku kish njëqind e kusur frymë (jo më shumë), dhe arriti të merrte aq vota sa i duheshin, arriti të merrte dhe votën e atyre që s’e kishin në plan t’ia jepnin.

Vini re një detaj interesant! Ai mori pra gjatë votimit të djeshëm 71 vota, as më pak, as më shumë. 71 vota, aq sa i duheshin. Dhe ky fakt duhet të jetë domethënës. Pas nja dy muajsh do kemi momentin presidencial, ku atij do t’i duhen sërish 71 vota. Do ta çojë deri në fund lojën “presidenciale” që ka nisur? Do të zgjedhë pra për postin e Presidentit një njeri të vetin, siç ka premtuar (duhet thënë, siç ka kërcënuar)? Personalisht besoj që po. Lojën ka për ta çuar deri në fund. Dhe zullumin do ta trashë akoma. Dje mori atë që desh me kërcënime e me një truk procedural dhe në votimin presidencial mund të hedhë në tryezë dhe pará të madhe, por duket se lojërat nuk i ka më nën kontroll. As brenda mazhorancës. Do dalë i humbur nga momenti presidencial? Edhe mund të dalë i fituar, por me një kosto që ka për t’ia bërë fitoren krejt të pavlefshme.

Gazeta “Shqip”

Top Channel