Moisiu-Mejdani: President konsensual

12/04/2012 20:10

Ndonëse vetëm njëri prej tyre ishte president konsensual, ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani mendojnë se koha kërkon që kreu i ri i shtetit duhet të jetë një individ mbi palët.

Në një qëndrim publik, në kuadrin e një debati të organizuar nga Forumi Civil, përkrah ambasadoreve kryesore ne vend, atij amerikan dhe të OSBE, ish-kryetarët e shtetit theksuan se deklaratat e kryeministrit Sali Berisha për një president nga PD bien ndesh me frymën kushtetuese dhe vendi ka nevoje për një figure që të sigurojë unitetin e kombit.

Ndonëse të pranishëm në këtë takim, ambasadorët Arvizu dhe Wolfarth janë treguar më të kujdesshëm. Ambasadori amerikan është mjaftuar me kërkesën për një aktivitet më të fortë të shoqërisë civile, ndërkohë qe diplomati i OSBE-se, Wolfarth, ka kërkuar qe koha e mbetur të shfrytëzohet për gjetjen e një figure që ka personalitetin e duhur për postin e kreut të shtetit.

Ideja e konsultimeve PD-PS për presidentin e ri u lançua pak ditë më parë edhe nga vetë Këshilli i të Urtëve pranë Partisë Socialiste.

Top Channel