Kredi për “baypass”-in e Fierit

12/04/2012 00:00

Qeveria miratoi marrëveshjen financiare me Bankën Europiane për investime, nëpërmjet të cilës sigurohen 80 milionë euro për ndërtimin e “bypass”-it të Fierit.

 Ky “byepass”, që lidh pjesën e autostradës së Fierit me atë të Vlorës, ende në ndërtim, u shty për disa vjet, pasi studimi i parë demtonte parkun arkeologjik të Apolonisë.

Ndërsa studimi i ri, që do të zbatohet, e respekton këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë nga antikiteti.  

Kryeministri Berisha kërkoi nisjen sa më parë të punimeve, jo vetëm se kjo është një nyje strategjike për sistemin rrugor në Shqipëri.

Zoti Berisha përfitoi për t’i kthyer një përgjigje me batute kreut të opozitës, Edi Rama, për ironinë që ai përdori kur tha se do të gjenin disa kuaj për të çuar kryeministrin Berisha në Vlorë në 100-vjetorin e pavarësisë.

”Rruga të nisë shpejt që kreu i opozitës të mos shkojë me kalë në Vlorë. Se ate s’e mora vesh unë, kush do t’i mbaje frerët, Edi apo Shpëtimi (Gjika – kryebashkiaku i Vlorës). Po, ajo është punë e tyre, s’përzihem. Detyra jonë është të bëjmë rrugën”, deklaroi kryeministri
 
Gjate mbledhjes, qeveria miratoi edhe disa marrëveshje për financimin e projekteve që furnizojnë me ujë dhe trajtojnë kanalizimet në disa qytete të vendit, investime këto që arrijnë në rreth 90 milione euro. 

Berisha: Privatizim i plotë i Albpetrol 

Në mbledhjen e radhës së qeverisë, fjala e kryeministrit Berisha u
përqendruar tërësisht në disa marrëveshje të rëndësishme ekonomike në
infrastrukturë dhe energji, për të cilat mazhoranca ka shprehur zotimin
për t’i çuar deri në fund.

Një ndër projektet më të kundërshtuara nga opozita socialiste, ai i privatizimit të Albpetrolit, u cilësua nga kryeministri Berisha si rruga më e sigurtë për të shndërruar Shqipërinë në një fuqi hidrokarburesh, por edhe për eleminimin e korrupsionit.

“Marrëveshja e privatizimit të Albpetrolit është jashtëzakonisht e rëndësishme. privatizimi është rruga më e sigurtë për të goditur korrupsionin në këtë sektor. Uroj që Shqipëria të bëhet një vend i rëndësishëm i hidrokarbureve”, tha kryeministri duke nënvizuar se vendi ynë zotëron fushën me sasinë më të madhe të naftës në Europën Kontinentale, Patos-Marinzën.

Berisha përmendi edhe disa projekte të tjera të qeverisë në fushën energjitike, ku në themel qendron synimi i mazhorancës për ta shndërruar vendin në superfuqi energjitike në rajon duke shfrytëzuar burimet e shumta ujore që ka vendi.

Kryeministri foli edhe për ndërtimin e by pass-it të Fierit, që do të nisë pas marrëveshjes financiare mes Bankës Europiane të Investimeve dhe qeverisë shqiptare.

Berisha mbledh komitetin ndërministror të turizmit

Pak pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha mblodhi komitetin ndërministror për turizmin, i ngarkuar me detyrën për koordinimin e dikastereve për të përmirësuar kushtet për turizmet në parg të çeljes së sezonit të ri turistik.

Kryeministri vuri theksin tek mjedisi. Ai tha se problem mbeten mbetjet e ngurta, sidomos në bregdet dhe kërkoi një ndërgjegjësim më të madh të shoqërisë për një mjedis të pastër.

“Qendrimi ndaj mjedisit në thelb është qendrim ndaj shëndetit dhe jetës. Ne si shoqëri duhet të kemi një qendrim të ri ndaj mjedisit. Problem madhor vazhdojnë të jenë mbetjet e ngurta”, tha ndër të tjera kryeministri.

Top Channel