Shansi i fundit drejt Europës…

11/04/2012 00:00

Gjergj Filipi – Sfida e udhëheqësve politikë të tranzicionit mbetet ende e hapur, ndërsa
ata nuk kanë arritur t’i binden me kurajë e përgjegjësi vullnetit të
shqiptarëve për t’iu bashkuar Europës.

Francesco Grillo, nga London School of Economics, sugjeron se edhe Rumania mund t’ia kalojë Italisë në vitin 2020 nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik, nëse tendencat aktuale mbeten të pandryshuara. Deklarata e fortë evidenton integrimin europian si një pikë kthese historike në rastin e Rumanisë. Transformimi i saj që prej fundit të viteve ‘90-të është jashtëzakonisht domethënës. Një nga shkencëtaret politike avangarde në Rumani, Alina Mungiu Pippidi, ka vërejtur se:

“Ekzistenca e një opsioni europian parandaloi që Rumania të mbetej si Shqipëria, ose të bënte prapa për t’u kthyer në një Bjellorusi të re… Integrimi Europian dhe perspektiva e pranimit në BE kanë formësuar politikën rumune më shumë se Kushtetuta e ligjit elektoral”. Pippidi rrëfen se integrimi në BE për Rumaninë solli “ndryshimin politik të nxitur nga poshtë, por që avantazhin e merrte nga kushtëzimi i jashtëm, e domosdoshme kjo në një shoqëri ku njerëzit e pushtetshëm qëndronin mbi ligjin”.

Kjo frazë i qëndron më së miri realitetit të sotëm shqiptar, ndërsa qartësisht BE-ja do të ishte premisa e shkëlqyer drejt suksesit për Shqipërinë.

Perspektiva për anëtarësim në BE, e provuar edhe nga eksperienca ka pasur ndikim thelbësor, madje duke luajtur rolin e spirancës për reforma. Nxitja për t’iu bashkuar BE-së u bë një ndër nismat më të fuqishme për të ndërmarrë reformat madhore në të gjitha vendet kandidate. Madje ky nuk ishte vetëm një proces reformimi teknik. Vullneti për anëtarësim në BE pati efekt më të thellë dhe unik në çdo dimension të shoqërisë së vendeve aplikuese, qoftë kjo në cilësinë e administratës, rindërtimin e shoqërisë civile, marrëdhëniet mes aktorëve politikë e mes institucioneve të shtetit, apo edhe në marrëdhëniet ndëretnike. Energjia që la pas ky ndryshim ishte  në rastin e Rumanisë, për shembull, një  publik  rumun  që dëshironte  t’i  bashkohej Europës në mënyrë të dëshpëruar dhe e kishte zët të lihej prapa.

Vullneti popullor në fakt, nuk është ai që u mungon shqiptarëve, përkundrazi mbështetja popullore është më e larta në rajon. Dy dekada pas rënies së regjimit, ku slogani dominues ishte “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, mbi 80 për qind të shqiptarëve ende aspirojnë fort për Shqipërinë në BE. Në daljet publike të udhëheqësve të vendit dëgjojmë vazhdimisht se “prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian”. Por, në këtë pikë, ka një problem me këtë shpallje të përsëritur shpesh. Si me shumicën e shpalljeve publike në Shqipëri, sidomos këtë e ka zënë inflacioni, ndërsa në realitet shumë përpara se makina shqiptare të arrijë formalisht linjën e startit të garës së anëtarësimit, motori i saj gulçon rëndë.

Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) me BE në vitin 2006, 13 vjet pasi një vend tjetër ballkanas, Bullgaria, nënshkroi Marrëveshjen e saj Europiane. Ndërsa evenimenti u festua shkurtimisht, i gjithë momentumi i shumëpritur për europianizimin e shoqërisë shqiptare humbi pas glorifikimit politik të aktit të nënshkrimit.

Nga ana tjetër, BE sillet pasive me një situatë të tillë. E ka parë Shqipërinë si një nxënës të urtë të rajonit shumë problematik. Nuk është më i miri i klasës së Ballkanit, por as edhe më i keqi. Në kontekstin e politikës ballkanike, stabiliteti i Shqipërisë dhe mbështetja e saj për politikat e BE-së në rajon mund të merren të garantuara. Në rastin e Shqipërisë nuk ekziston asnjë shqetësim europian mbi konflikte etnike apo përcaktim kufijsh, shqetësime këto që ekzistojnë në shumicën e fqinjëve të tjerë. Në Shqipëri nuk ekziston asnjë lëvizje apo parti, që i lë pa gjumë diplomatët e BE-së.

Janë vendet e tjera të rajonit të mbetura jashtë BE-së që e kanë tërhequr me sukses vëmendjen e tyre. Kroacia, nxënësi i shkëlqyer, i pranuar tashmë për t’u anëtarësuar. Serbia, me vendosmërinë e pjesëve influenciale të elitës së saj për të kundërshtuar drejtpërdrejt interesat e BE-së në Kosovë e rajon, është  pikërisht  nxënësi  më  i  vështirë  i  klasës  që  i  bën  zyrtarët  e  BE-së  të shqetësohen dhe për të cilin bëhen lëshime në emër të ‘lojës së madhe’. Vështirësisht e besueshme në dritën e së shkuarës së rajonit, por edhe sepse pothuajse gjysma e popullsisë atje voton vazhdimisht partitë që janë kundër integrimit në BE, Serbia është që prej pak javësh zyrtarisht vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Kjo sjellje e zyrtarëve europianë nuk është irracionale. Një Serbi demokratike dhe e qëndrueshme është shumë e rëndësishme. Sidoqoftë, ajo që të habit është se udhëheqësit shqiptarë duket se janë mjaftuar me rolin e nxënësit të urtë e pasiv në sytë e BE-së, ndërkohë që në sytë e shqiptarëve impenjohen intensivisht me lojëra démodé të tipit kujt i ngelet derri [faji].

Në Ballkan kemi një dinamikë të re pas dështimeve të njëpasnjëshme të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Europianizimi i rajonit po shkon drejt një renditjeje të re. Kroacia konsiderohet si ‘jo më Ballkan’, meqenëse do të bëhet anëtare e radhës me të drejta të plota në BE vitin që vjen. Në vitin 2012, vendet e Ballkanit janë ndarë në dy kategori: Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, që kanë statusin e vendit kandidat dhe po përfshihen në negociata për anëtarësim të plotë në BE; dhe dy vendet e mbikëqyrura intensivisht nga ana e BE-së, Kosova dhe Bosnja, plus Shqipërinë janë lënë prapa në një kategori të vetme: të stigmatizuara si shoqëri që ëndërrojnë Europën, por u mungon kuraja dhe vendosmëria për të vepruar në përputhje me retorikën e tyre.

Në rastin e Shqipërisë, kemi të bëjmë qartazi me çështjen e kredibilitetit të vetë qeverisë. Qeveria shqiptare ka pohuar në 2008-n në Strategjinë e saj Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, kuadri themelor i politikave zhvillimore të vendit, se “dhënia e statusit të kandidatit për në BE do të bëhej e mundur brenda një periudhe dyvjeçare”.

Kostoja e vonesës është reale për qytetarët shqiptarët. Duke marrë dy herë radhazi përgjigje negative për statusin e vendit kandidat Shqipëria humbi sërish momentumin rajonal. Akoma më keq, nëse do të marrë edhe përgjigjen e tretë negative në vjeshtën e këtij viti, mund të humbasë përfundimisht trenin për t’u bërë vend anëtar, njëkohësisht me vendet ‘e kopsitura’ të rajonit, me të cilat në fakt jemi në garë nga këndvështrimi konkurrues ekonomik e financiar.

Me sa duket, pranimi në BE nuk përbën një qëllim aq real sa proklamohet publikisht, nga ana e udhëheqësve tanë. Nuk duket të jetë epiqendra e politikave tona të brendshme e të jashtme. Nuk duket të jetë udhërrëfyesi i administratës e diplomatëve. Objektivi i pranimit në BE duhet të lidhet me një vizion ndryshe mbi zhvillimin e vendit dhe një sërë përfitimesh konkrete për shqiptarët, sigurisht përtej përfitimit sipërfaqësor të lëvizjes pa viza (edhe atë na e dhuruan pas Bosnjës). Integrimi europian ‘prej vërteti’ duhet të jetë vizioni ambicioz e i qenësishëm për një Shqipëri të re moderne e bashkëkohore.

Ka ardhur koha për Shqipërinë dhe shqiptarët të zgjohen ndaj këtij rreziku dhe t’i vendosin vetes e vendit një qëllim ambicioz. Shqipëria ka nevojë të gjejë formën për të shprehur politikisht konsensusin e fortë popullor për sa i përket integrimit europian. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet të ndalojnë së thëni vetes që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së dhe të bëjnë hapa konkretë, pra të prekshëm për qytetarët, drejt trajtimit të tyre si europianë. Mbetet urgjente përmbushja sa më e shpejtë e të 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. Lufta e gjelave në politikën e vendit po krijon kosto të parikuperueshme për qytetarët. Mbetet një fakt përsëritja e një gabim i fatal të së shkuarës: po humbasim trenat e radhës për të pasur një nivel jetese më të mirë, në Shqipërinë tonë të dënuar nga përballjet historike prej së jashtmi, por në dekadat e fundit dhe të rraskapitur nga përballjet histerike prej së brendshmi.

Sa u përket qytetarëve shqiptarë, një Shqipëri vërtet europiane është e mundur. Ata shprehen e rrojnë me vlera si europianë, konsumojnë, kursejnë dhe dërgojnë remitanca në shtëpi me shpresën dhe aspiratën e një Shqipërie europiane. Gjithçka pritet është që udhëheqësit, le të mos jenë më të mirë seç meritojnë shqiptarët, por minimalisht t’i binden me kurajë e përgjegjësi vullnetit të tyre. Çdo ditë që kalon është një ditë e munguar nga jeta prej qytetari europian e secilit shqiptar. Është koha që shqiptarëve t’u jepet shpagimi i shumëpritur, madje tashmë duket të jetë disi vonë.

Marrë i përshtatur nga portali i Institutit Shqiptar të Medias

Gazeta “Shqip”

Top Channel