Kthimi i emigrantëve, fëmijët vështirësi në integrim

11/04/2012 00:00

Disa qindra fëmijë të kthyer nga emigracioni këtë vit po ndjekin mësimet në nivelet respektive në shkollat e Sarandës.

Vetëm në dy shkolla të qytetit numri i fëmijëve të mbërritur nga emigracioni është 190. Kthimi që lidhet me vështirësitë ekonomike të familjeve të tyre në shetin grek duket se ka shkaktuar jo pak probleme në fillim të vitit për fëmijët.

Atyre ju desh të përshtateshin me mjedisin e ri, klasat dhe për më tepër 80% e tyre u vu re se kishin vështirësi serioze me shqiptimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Të gjithë këta nxënës mësohet se ndjekin sot orë suplementare në gjuhën shqipe dhe lëndët ku hasin vështirësi.

Mësuesja e gjuhës shqipe në shkollën ‘9 Tetori’ në Sarandë thotë se stafi pedagogjik hasi probleme gjatë mbërritjes së këtij kontigjenti dhe se janë dashur muaj vetem për të përmirësuar drejtshqiptimin e tyre.

Zyra Arsimore në Sarandë bën me dije se numri i regjistrimeve të reja është i përditshëm cka flet për një fluks kthimesh nga Greqia të emigrantëve shqiptarë për të jetuar në vendlindje. Njëherazi Lina Vaso drejtore e Zyrës Arsimore bën me dije se të gjithë fëmijët e mbërritur nga emigracioni po mbështeten prej psikologëve shkollorë ndërsa ndihet optimiste për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkolla, duke pasur parasysh edhe regjistrimet në klasat respektive që fëmijët kanë ndjekur në shtetin grek.

Në të gjithë qytetin e Sarandës numri i fëmijëve që po ndjekin shkollat shqiptare pas kthimeve të familjeve të tyre nga emigracioni është disa qindra. Nëse kthimit do të vazhdoje me këto ritme shumë shpejt kapacitetet fizike të shkollave do të jenë të pamjaftueshme për pritjen e nxënësve të rinj. Në këto kushte kanë filluar përpjekjet për ndërtimin e një shkolle të re në qytet.

Top Channel