“Fiks Fare”: Gratë e dhunuara

11/04/2012 20:55

“Fiks Fare” ka treguar në puntatën e së mërkurës se si tre gra të dhunuara braktisën qendrën e vetme kombëtare për rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje dhe kanë kërkuar ndihmë në redaksinë e emisionit.

Duke folur për gazetarët, ato kanë thënë se ndihen të pambrojtura dhe të rrezikuara në çdo moment, edhe pse kanë urdhër për mbrojtje nga gjykata.

Një grua e strehuar në këtë qendër ka treguar se ish-bashkëshorti i hoqi njërin sy teksa po shoqëronte fëmijët në shkollë. Vetë drejtoresha e qendrës ka pranuar se kjo qendër nuk i ruan gratë jashtë mureve të saj.

Ditën e hënë emisioni investigativ denoncoi se si ish-uzina e Laçit po “zhvishet” për skrap, ndërsa së fundmi ka denoncuar edhe një sërë çështjesh të tjera.

Në mars emisioni solli pamje nga masakra që po u bëhet shtrateve të lumenjve të Drinit, atij të Bërdicës dhe lumit Devoll.

Ndërsa më herët gjatë këtij muaji, “Fiks Fare” zbuloi në investigimin disaditor mënyrën se si TEC-i po grabitet. Ndërsa në shkurt, emisioni tregoi se sa është e vështirë të marrësh pasaportë biometrike kur je emigrant jashtë shtetit.

“Fiksi” denoncoi se emigrantët shqiptarë paguajnë 50 euro sekserët e ambasadave për të siguruar lehtësi në marrjen e dokumentit, apo për ta marrë atë sa më shpejt.

Top Channel