Arvizu takon Ramën, diskutohet reforma zgjedhore

11/04/2012 00:00

Ambasadori SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu, e nisi axhendën e së
martës duke ngjitur shkallët e selisë rozë, ku takoi kreun e opozitës
Edi Rama për më shumë se 90 minuta.

Pas takimit fillimisht ambasadori Arvizu kometoi kravatën shumëngjyrëshe që kishte vënë për t’ju përshtatur takimin me Ramën, të cilit në garderobë nuk i mungojnë të tilla. Zoti Arvizu dha disa detaje se cfarë ishte biseduar me Edi Ramën.

“Së pari, shpresoj që e keni vënë re kravatën time; e kam veshur posaçërisht për këtë takim. Folëm shkurtimisht për udhëtimin e tij në Shtetet e Bashkuara, i cili mendoj ishte shumë produktiv. Më erdhi sigurisht shumë mirë që shkoi. Pjesa më e madhe e diskutimit u përqendrua në procesin e reformave që po zhvillohen. Folëm shumë mbi Reformën Zgjedhore, por në njëfarë mase edhe për Reformën Parlamentare. Mendoj se në shumë gjëra, ka pasur njëfarë përparimi, por disa gjëra nuk po lëvizin aq shpejt sa mundet. Nënvizova që ne e mbështesim plotësisht axhendën e reformave, që është e rëndësishme të miratohen reformat edhe procedurat parlamentare, por sidomos reformat e Kodit Zgjedhor që, nga një perspektivë e SHBA, janë jashtëzakonisht të rëndësishme.  Është e qartë që është diçka që të dyja palët duhet ta zgjidhin; mendoj fundi i prillit ka qenë afati për të cilin të dyja palët kishin rënë dakord që duhet arritur dhe sigurisht është shpresa dhe pritshmëria jonë që të dyja palët të bëjnë gjithçka munden për t’iu përmbajtur atij afati”, u shpreh Arvizu.

I pyetur nga Top Channel për klimën e tensionuar mes mazhorancës dhe opozitës shkaktuar nga moszëvëndësimi i mandatit të deputetes socialiste, Rudina Seserit ambasadori Arvizu tha kjo çështje ishte biseduar gjatë takimit. 

“Folëm pak për këtë. Më duhet të pranoj që kam qenë në udhëtime dhe jam në dijeni të çështjes por më duhet të flas me më shumë njerëz lidhur me implikimet. Më duhet të kuptoj më mirë, çfarë thotë ligji? Gjithnjë duhet të shkohet tek ligji. Kam kuptuar që personi tjetër në listë është kryebashkiaku i Fushë-Krujës. Me sa kuptoj unë, ka shprehur hezitim për të hequr dorë nga mandati që ka. Sigurisht që është e kuptueshme. Në njëfarë mënyre ia ka borxh qytetarëve të Fushë-Krujës që t’iu shërbejë. Për këtë e kanë zgjedhur. Se ku shkohet prej këtu, nuk kam të kuptuarit e mjaftueshëm. Thjesht shpresoj që do të bëhet në një mënyrë që është në përputhje me ligjin”, tha Arvizu.

Kryediplomati amerikan në Tiranë pohoi se gjatë takimin nuk ishte diskutuar për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, por tha se kjo temë do të diskutohet në takimet e tjera.
 

Top Channel