Siria, asnjë shenjë tërheqjeje

10/04/2012 08:10

Nuk ka asnjë shenjë që Siria të jetë duke zbatuar planin ndërkombëtar për t’u dhënë fund luftimeve, ka deklaruar Shtëpia e Bardhë.

Në kuadër të marrëveshjes së paqes, trupat siriane duhet të nisnin tërheqjen ditën e martë, por autoritetet amerikane kanë deklaruar se situata është përkeqësuar.

Dita e hënë rezultoi të ishte një nga më të përgjakshmet që nga nisja e kryengritjeve, me aktivistët që raportojnë për të paktën 100 të vdekur.

Komuniteti ndërkombëtar ka intensifikuar përpjekjet për t’i bërë thirrje regjimit që të nisë zbatimin e planit.

Një diplomat perëndimor ka deklaruar për BBC se Këshilli i Sigurimit të OKB-së po pret një letër nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, përsa i përket implementimit të tërheqjes nga qeveria siriane.

Zoti Anan do të vizitojë gjithashtu kampet e refugjatëve sirianë në kufirin me Turqinë gjatë udhëtimit të tij për në Iran, ku ai pritet të përpiqet të bindë autoritetet lokale që t’i bëjnë thirrje Damaskut që të ndalë gjakderdhjen.

Kina u ka bërë gjithashtu thirrje të dyja palëve të përfshira në konflikt që të respektojnë marrëveshjen e paqes. Korrespondentët deklarojnë se Rusia, aleati kryesor i Sirisë, tani mund të luajë një rol thelbësor.

Moska ka mbështetur planin e zotit Annan dhe ministri i Jashtëm sirian, Walid Muallem ndodhet në kryeqytetin rus për një sërë bisedimesh.

Top Channel