Cërrik, shkolla me emrin e Drita Çomos

10/04/2012 02:00

Shkolla “29 Nëntori’’në Cerrik, me një vendim të Këshillit Bashkiak ka marrë emrin e vajzës së Liri Belishovës, Drita Çomo e cila humbi jetën në moshën 23 vjecare si pasojë e një sëmundje të rëndë ndërsa jetonte në internim.

Kryetari i Bashkisë së Cerrikut, Servet Duzha u shpreh se 23 vjecarja vdiq nën ankthin e persekutimit dhe nevojën për shprehjen e lirë të  mendimeve. Për këtë arsye ajo i ka përshkruar të gjitha ngjarjet e jetës së saj në një ditar.

Liri Belishova, shprehu mirënjohje për të gjithë miqtë që kanë qenë të pranishëm në këtë ditë të vecantë për vajzën e saj.

Ndërkaq deputeti Luçiano Boçi ka përgatitur një kumtesë në nder të Drita Comos. Ai nuk e ka parë Comon vetëm si një viktimë të diktaturës, por e ka studiuar  edhe në aspektin e një shkrimtareje apo dëshmitarje të përndjekjes politike diktatoriale. Ditari që 23 vjecarja ka lënë, Boci e ka pagëzuar me emrin ‘‘Bibël e shpirtit’’.

Në kinemanë e qytetit është prezantuar një film dokumentar i quajtur, ‘‘Dritë në Humnerë’’, i cili përshkruan rrugëtimin e jetës  së familjes së Drita Comos, që nis që me pushtetin e prindërve të saj në instancat me të larta e deri në persekutimin e  tyre.

Top Channel