Annan: Armëpushimi nuk “ka vdekur”

10/04/2012 00:00

Ndërmjetësi ndërkombëtar për paqen në Siri, Kofi Annan, deklaroi se
plani i tij i një armëpushimi që duhet të hynte në fuqi në 10 prill
mbetet ende aktual, ndonëse as autoritetet dhe as rebelët nuk i ulën
armët brenda datës së premtuar.

Ish-kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara përsëriti një thirrje ndaj Damaskut dhe grupeve kryengritëse që t’i japin fund dhunës, ndërsa shtoi se është urgjente që trupat ushtarake të largohen nga qendrat e banuara.

Duke folur nga Turqia, ku vizitoi një kamp emigrantësh sirianë të larguar nga lufta në Siri, Annan theksoi se është ende shumë herët për të folur për përfundimet rreth projektit të paqes.

”Unë mendoj se nuk mund të thuhet ende që armëpushimi ka dështuar. Plani është mbi tryezë, ai është pranuar nga të gjithë dhe tani mbetet vetëm që të zbatohet në praktikë”, deklaroi Annan.

”Këshilli i Sigurimit në OKB e ka mbështetur dhe vazhdon të besojë shumë në këtyë projekt. Armëpushimi është mbështetur edhe nga të gjitha palët në Siri, përfshi kryengritësit, që janë të gatshme t’i japin qeverisë së Assad garanci të reja shtesë. Për këtë arsye, mendoj se është ende objektive të shpresohet në një armëpushim”.

Annan shtoi se po bëhet gati të raportojë në Këshillin e Sigurimit rreth situatës, ndërsa konfirmoi se në vlerësimin e tij do të përfshijë edhe informata të ardhura nga shërbimet sekrete perëndimore.

Në bazë të asaj për të cilën ishte rënë më parë dakord, ushtria siriane dhe rebelët duhet të largoheshin nga të gjitha qendrat e banuara deri të martën, përpara se armëpushimi të zyrtarizohej të enjten.

Siri, “plani Annan” drejt dështimit

Të paktën 29 persona kanë gjetur vdekjen vetëm ditën e martë në Siri
nga përleshjet mes ushtrisë dhe rebelëve në disa qytete, kryesisht në
veri të vendit.

Aktivistë të opozitës dhe të tjerë që veprojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, si dhe vëzhgues të mediave ndërkombëtare, njoftuan se të paktën 23 civilë u vranë nga forcat qeveritare, ndërkohë që 7 ushtarë u vranë në përleshje me forcat rebele në veri-lindje të vendit.

Përleshjet mbërrijnë pikërisht në ditën kur duhet të hynte në fuqi edhe plani prej 6 pikash i të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan për arritjen e paqes. Në planin e ish-sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, plan që edhe vetë Damasku ra dakort, përcaktohet pikërisht data 10 prill si afati i fundit i uljes së armëve nga të gjitha palët ndërluftuese, si nga qeveria ashtu dhe nga opozita.

Megjithatë, Damasku zyrtar ka kërkuar garanci me shkrim nga rebelët e opozitës për të zbatuar këtë plan, ndërsa vetë fraksioni i armatosur i opozitës është shprehur disa herë pro planit Annan, por ka refuzuar të nënshkruajë ndonjë marrëveshje për zbatimin e tij. Kjo pjesë e opozitës kërkon me ngulm largimin e presidentit aktual, Bashar al-Assad.

Top Channel