Sarandë, shqetësim për rrjetin e ujërave të zeza

09/04/2012 00:00

Saranda një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit në
Shqipëri do të celë edhe këtë sezon turistik me sfidën e një rrjeti të
amorizuar kanalizimesh të ujërave të zeza të cilat shkarkojnë në det
duke dëmtuar plazhet më të bukura të bregdetit jonian.

Bashkia e Sarandës bën me dije se do të përpiqet t’ju japë zgjdhje emergjente disa prej pikave më problematike të derdhjes së ujërave të zeza duke i bllokuar ato por sipas shefit të shërbimeve në këtë bashki Agron Tepelena zgjidhje përfundimtare kësaj problematike duhet t’i japë investimi i Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare që sipas të gjitha gjasave pritet të nisë në shtator.

Investimi për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza nisi në vitin 2006 dhe përfundoi rreth 1 vit më parë me ndërtimin e 6 vaskave filtruese në një hapësirë disa hektarëshe në zonën e Cukës jashtë Sarandës.

Ky investim prej 3,2 milionë eurosh ende nuk mund të vihet në funksion pa ndërtimin e linjës së  presionit nga impianti në kanalin e Cukës dhe pa linjën e kanalizimeve që do të devijojë ujërat e ndotura të qytetit drejt këtij impianti. Të dy këto investime mbajnë vlerën e 800 mijë eurove dhe pritet të mbështeten gjatë vjeshtës prej Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare.

Qeveria shqiptare duhet të mbulojë me finacim vetëm linjën e dërgimit deri në impiant me gjatësi 3,2 km. Specialistët në bashkinë e Sarandës bëjnë me dije se po negociohet që ky investim të mund të garantojë të paktën sezonin e ardhshëm.

Saranda ka një rrjet të shkatërruar kanalizimesh të ujërave të zeza edhe brenda qytetit. Gjatë sezonit të kaluar dëmtimet në kete rrjet sollën ndërhyrjen e ujërave të zeza tek tubacionet e ujit të pijshëm. Problemi ka qenë me kosto madhore për sezonin thonë specialistët e shërbimeve, por këtë vit pikat më kritike po rehabilitohen me fondet e bashkisë.

Top Channel