Programe e platforma? Ok, por përparësi është rrëzimi i regjimit

07/04/2012 00:00

Mustafa Nano – Lexoni se ç’ka thënë Blushi dje në një takim me lexues të librit të tij të fundit (marrë nga “Tema online”):“Pas marrëdhënieve të reja të krijuara mes PS-së dhe forcave politike
aleate, përfshi edhe PBDNJ-në, anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste,
Ben Blushi, e konsideron më të vlefshëm një aleancë me votuesit se sa
bashkëpunimin me këto.

Blushi nuk e llogarit sistemin zgjedhor në disfavor të socialistëve pa një koalicion të gjerë, nëse këta ta fundit do t’i bindin qytetarët për të votuar. Sipas tij ka ardhur koha që zgjedhësit të votojnë për platformat që besojnë se do të përmirësojnë jetën e tyre”. Ka tri pohime të rëndësishme në këtë mes, të cilat, në formë më të thjeshtëzuar, do të bënin: 1. Partitë e vogla po i mbajnë kokën mënjanë PS-së? Punë e madhe; 2. Sistemi zgjedhor është Ok për PS-në; të paktën, nuk është në dëmin e PS-së; dhe 3. Ka ardhur koha që zgjedhësit të votojnë për programet.

Sipas meje, secili prej këtyre pohimeve nuk qëndron. Bën vaki që të tria pohimet bashkë, në formën e një ‘impianti’, rrinë mirë (e në këtë rast, Blushi do duhej përgëzuar për koherencën e mendimit politik), por veç e veç janë të gabuara. I fundit është një pohim patetik që shkon me kontekstin e takimit; përpara tij ishin studentë e lexues të rinj, dhe Blushi ka menduar të përcjellë për ta një mesazh politikisht korrekt; porse është krejt i pavërtetë. Gjasat janë që Blushi ta dijë se kjo është e pavërtetë. Ka ndonjë demokratikas apo socialist që voton për platformat? Nuk besoj se mund të ketë ndonjë. Mund të kenë një fokusim tek platformat ca zgjedhës që s’merren e s’nakatosen me partitë, por zgjedhësit shqiptarë në përgjithësi nuk votojnë për platforma. Ndër zgjedhësit që votojnë për platformat janë, ndoshta, ata që nuk shkojnë të votojnë; dhe një nga arsyet që nuk shkojnë të votojnë, ose e vetmja arsye e një pjese prej tyre, është se gara elektorale nuk është garë platformash. Ndërsa ndër ata që votojnë, ka me siguri ca syresh që do donin shumë një garë programore (një nga këta jam dhe unë), por problemi është se për ta platformat nuk janë një përparësi. Në situatën politike shqiptare, për mua, çdo orientim programor i një partie duhet inkurajuar e është i mirëpritur, por unë nuk do ta nxirrja në krye të axhendës. Te ne është përparësi beteja me mjete politike, demokratike e elektorale kundër një regjimi.

E në këtë kuptim, më i gabuar më duket pohimi i parë, ai që thotë se “PS-ja duhet t’mos e vërë ujin në zjarr për qejfmbetjet e partive të vogla”. Kjo do të thotë, se Blushi jeton me bindjen se votuesi shqiptar është inteligjent dhe është i marrosur pas programeve, e në këto rrethana partive, përfshirë PS-në sigurisht, nuk u mbetet gjë tjetër veçse të bëhen të hijshme, të fisme, plot bon ton, të bëjnë të tyret kauza, programe, platforma, vlera dhe e kanë të sigurt fitoren përballë regjimit të harbutëve. Mirëpo, edhe bufi e di se gjërat nuk janë kështu. Po të duam të bëjmë deklarata politikisht korrekte, hajde i bëjmë, por nuk do të nxjerrim asnjë qar nga tentativat për të ledhatuar kot më kot zgjedhësin shqiptar, i cili ka treguar se votën s’e ka për gjë ta japë edhe në këmbim të një ‘honorari’ elektoral prej 5 mijë lekësh dy ditë para ditës së votimit, në këmbim të premtimit për një vend pune, në këmbim të solidaritetit me çunin e xhajës/dajës që ka marrë një vend pune në doganë, apo është bërë polic i qarkullimit rrugor, etj., etj.

Dy zgjedhjet e fundit treguan se zgjedhësit shqiptarë nuk kanë skrupuj e standarde morale; përkundrazi, janë qeniet më pragmatiste të botës; janë aq pragmatistë, sa çdo njeri tjetër (komshi, i afërm, familjar, vëlla e motër) që ka disa kredo morale e disa ideale në jetë, merret për budalla. Berisha fitoi zgjedhjet edhe pasi i biri prodhoi Gërdecin e pasi ai vetë vrau katër opozitarë të pafajshëm, të parrezikshëm e të paarmatosur në mes të bulevardit, ndërsa Ilir Meta e mbushi edhe ca më shumë rezervuarin e votave pas bisedës për tangjente në zyrën e një ministri tjetër. E sikur të mos mjaftojë kjo, Berisha pati guximin të vjedhë në mënyrë spektakolare, aq sa la syshqyer edhe ambasadorët e huaj, mandatin e kryebashkiakut të Tiranës. Dhe pikërisht në këto rrethana, që Blushi i njeh mirë, është po Blushi që lëshon mesazhin që PS-ja mund t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme edhe pa partitë e aleatët e tjerë.

Nuk është kjo zgjidhja, afërmendsh. Sipas meje, çdo arsyetim politik duhet filluar me pohimin: Në Shqipëri është ngritur një regjim, dhe me regjim unë personalisht kuptoj këtë rend socio-moralo-politiko-kulturoro-institucional të gjërave të dominuar nga padrejtësia e imoraliteti, e ku të jesh opozitar, i zoti, i moralshëm, i ndershëm, është kusht për ta parë veten të margjinalizuar e në kërkim të bukës së gojës.

Të kuptohemi, rrëzimi i këtij regjimi nuk premton asgjë në vetvete; në shoqëri tërësisht të korruptuara si kjo shqiptare, do të ishte naivitet që rrëzimin e regjimit ta shihje si një ngjarje që hap vetvetiu dyert e së ardhshmes së ndritur. Por rrëzimi i regjimit është vetvetiu shpresë; është dobare një shpresë se nuk do të ndërtohet një regjim tjetër.

Ecim më tutje. Ky regjim mund të rrëzohet ose me dhunë, ose me vota. E përjashtojmë të parën? Ok, e përjashtojmë, pasi dhuna na fut në rrugë qorre. Mbetet që ta rrëzojmë me vota, ta rrëzojmë brenda kutive të votimit. Kjo është e mundur. Të gjitha regjimet që lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve, sido qofshin këto zgjedhje, lejojnë dhe rënien e tyre (edhe në Burma regjimi po bie në rrugë elektorale). Në Shqipëri, aventurat e fundit elektorale, tok me ligjin elektoral që është adoptuar (me këtë bie dhe pohimi i dytë i Blushit si i gabuar), na kanë treguar se koalicioni fitues është ai që di të mbledhë sa më shumë vota. Regjimi i Tiranës nuk ka vjedhur çdo votë; thjesht ka vjedhur vota dhe ka fituar me një avantazh në fije të perit. Përfundimi? Përfundimi varet dhe nga fakti që opozita shqiptare nuk mund të bëjë beteja morale, e nuk mund të krijojë frymë e frymëzime. Dhe përfundimi është: opozita mund të fitojë vetëm me aritmetikë votash e me aleancë sa më të gjerë partish; shkurt, duke bërë një vlerësim tërësisht amoral të çdo vote e të çdo partie.

Kush mendon se s’ia vlen të rrëzosh një regjim për t’ia dhënë pushtetin një bande të çrregullt bashibozukësh, le të votojë për regjimin; kush e sheh regjimin si të keqen më të parë e më të madhe për t’u rrëzuar, duhet të ketë guximin amoral për ta parë këtë opozitë të nxirosur e si mos më keq si alternativa e vetme për t’u mbështetur e për t’u zgjedhur. Në rrethanat që zgjedhësit janë pragmatistë deri në pacipësi, regjimi mundet – përsëris, nëse jo me dhunë – vetëm me logjikë të pastër pragmatiste, d.m.th duke pranuar se çdo qelbësirë e mundshme opozitare është një resurs i madh. Jo? Epo alternativa tjetër quhet Sali Berisha. Ta gëzoni! Ta gëzojmë! Kjo është Shqipëria.

Gazeta “Shqip”

Top Channel