Konservatorë, liberalë dhe homoseksualë

06/04/2012 00:00

Fatos Baxhaku – Këtu e ca ditë më parë, një politikan i së djathtës, ithtar i monarkisë,
burrë i ndershëm e shok i mirë, një nga të paktat figura ende të
panjollosura të politikës sonë, në një debat televiziv tha pak a shumë
se ai ishte kundër paradës gay në Tiranë, sepse ai ishte konservator,
madje nuk e kishte tradhtuar gruan asnjë herë të vetme.

Duke e njohur nga afër këtë figurë të politikës e besojmë plotësisht se është kështu: Po ai nuk ia ka dredhur asnjë herë gruas! Porse nga kjo deklaratë e thënë në pikën kulmore të debatit, mbase mund të lindin edhe hutime apo keqinterpretime, si për shembull: konservator është vetëm ai që nuk tradhton gruan edhe atëherë kur i shkon ndërmend një gjë e tillë, ose kush martohet më shumë se një herë nuk mund të jetë konservator, ose më tepër akoma kush mbyll njërin sy përballë lëvizjes së homoseksualëve nuk e meriton emrin konservator.

Mbase shumë vetë këto gjëra, që do të hedhim në letër më poshtë, i dinë prej kohësh, por meqë me termat liberalë dhe konservatorë prej kohësh është krijuar një konfuzion i madh, mbase bëjmë mirë që të mundohemi t’i qartësojmë bashkërisht idetë.

Le ta nisim nga e kundërta e konservatorizmit, nga liberalizmi. Ky është një drejtim i caktuar mendimi politik, ekonomik e kulturor që lindi në Europën Perëndimore në kohën e revolucioneve borgjeze si kërkesë e ethshme e borgjezisë në ngritje për të përballuar e frenuar monarkitë absolute të gjithëpushtetshme asokohe. Thelbi i liberalizmit është respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, i iniciativës krijuese dhe frenimi i rolit të shtetit në ndikimin që ka në jetën e gjithsecilit. Në politikë përdoret sot edhe termi “liberaldemokraci”, që do të thotë që në një shoqëri nuk mund të vendosë vetëm fuqia e shumicës, por edhe, dhe sidomos, zëri i pakicave. Këtu hyjnë të gjithë ata që mendojnë e jetojnë ndryshe nga shumica, duke përfshirë edhe homoseksualët. Liberalizmi ka qenë dhe është një forcë e madhe politike dhe kulturore në Europë. I dalë prej revolucioneve borgjeze në Angli dhe Francë, ai e krijoi në një farë kuptimi fytyrën e Europës sikurse e njohim sot. Ithtarë të tij kanë qenë: Xhon Loku, Adam Smithi, Dajvid Hjumi, Monteskië, Ruso, Kanti dhe plot të tjerë mendimtarë të mëdhenj.

Konservatorët, përkundrazi janë kundërshtarë të revolucioneve dhe të idealeve utopike mbi shoqëritë e përsosura njerëzore. Më klasikët prej tyre besojnë se shoqëria duhet të ruajë një hierarki të caktuar, e cila trashëgohet sipas historisë së çdo vendi. Për shumë prej tyre forma më e përsosur e qeverisjes është monarkia. Për ta tradita, atdheu, familja, feja janë gjëra të shenjta. Ata janë krejtësisht të vendosur kur vjen puna për rendin dhe legalitetin. Evolucioni i mendimit në gjithë këta shekuj ka sjellë ndryshime edhe në gjirin e konservatorëve, të cilët në politikë i përkasin spektrit që shkon nga e djathta në qendër. Në përputhje me historitë e çdo vendi ata kanë evoluar. Një ndikim të madh kanë pasur figura të caktuara konservatore, si Ronald Regan apo Margaret Theçer. Këta, ndryshe nga “torët”, konservatorët klasikë, i dhanë liri më të madhe individit në jetën ekonomike, duke e zvogëluar ndjeshëm rolin e shtetit në jetën e përditshme. Lindi kështu liberalkonservatorizmi, si me thënë e majta brenda së djathtës. Në vende të tjera, me shumicë të fortë katolike, konservatorizmi është përzier me dogmën e krishterë, duke lindur kështu demokracinë kristiane.

Në planin kulturor, të dyja palët, liberalë e demokratë, kush më shumë e kush më pak, janë ëndërrimtarë. Vetëm se një palë është romantike, ëndërron një botë më të mbarë që vjen, tjetra është nostalgjike për të shkuarën kur vendosnin për ne burra të fortë, fjalëpakë e hijerëndë, njerëz të fjalës e të besës, të kushtuar pas familjes, vatanit, nderit, një lloj sundimi idilik i Mbretit Artur.

Të vijmë tani te ne. Termat konservatorë e liberalë i kemi përdorur vonë, porse nga mënyra e veprimit, nga qëndrimet politike, nga jeta e shkuar, nga ato çfarë kanë lënë pas në kujtimet e tyre, mund t’i konsiderojmë si konservatorë Mbretin Zog dhe pasuesit e tij, dhe si liberalë Fan S. Nolin me njerëzit e tij, për aq kohë sa i pati nën drejtim. Duhet ta themi që në fillim se të dyja palët kanë qenë ca si të çuditshëm. Kushdo që do të përpiqet t’i rreshtojë thjesht në njërën apo tjetrën kategori do të hasë në telashe. Le të marrim një shembull. Ahmet Zogu, mbreti i ardhshëm, në 1922 mori iniciativën për miratimin në Parlament të “Rregullores mbi rregullimin e kurvnies në Shqipëri”, pra legalizoi prostitucionin në një vend ku ende jehonin thirrnajat “Dum babën, dum babën” dhe ku femrat në shumë qytete të Shqipërisë fshiheshin pas perçeve e ferexheve. Në këtë rast Zogu ishte liberal apo konservator? Një rast tjetër. Në një nga mbledhjet e Parlamentit të parë shqiptar, në shtator të vitit 1922, diskutohej për plotësimin e statutit që kishte dalë nga Kongresi i Lushnjës, pra për Kushtetutën e Shqipërisë. Një nga deputetët, Sejfi Vllamasi, që jetoi gjatë dhe që u bë i njohur për kujtimet e tij të botuara pas vdekjes, ndërsa po diskutohej neni 15 (të gjithë nënshtetasit gëzojnë baras të drejtat politike dhe pranohen në të gjitha nëpunësitë civile dhe ushtarake, përveç përjashtimeve të caktuara nga ligji) pyet befas: Thuhet për të gjithë, por jevgjit a kanë të drejtë? E pra Vllamasi nuk njihej si konservator i thekur. “Posi jo, edhe ata janë shqiptarë”, i janë përgjigjur nga salla.

Enver Hoxha i ra shkurt problemit. Për të konservatorë ishin ata që kishin ende “zakone prapanike” e që nuk i lejonin gocat të shkonin në hekurudhë. Liberalët ishin ata që kishin nisur të mbanin flokë të gjata e të këndonin rokendroll. Me një të rënë të lapsit ai i “dogji me zjarr dhe me hekur zakonet prapanike”. Më keq e pësuan liberalët. Shumë prej tyre, ndonëse vinin nga familje të luftës, pësuan burgime të rënda krejt absurde. Sa për homoseksualët as që bëhej fjalë. Ata dënoheshin me burg deri në 7 vjet dhe me internime të rënda, ndonëse burgu vetë ishte vendi më i mirë ku homoseksualët të paktën mund të shprehnin hapur preferencat e tyre seksuale.

Rasti i diskutimeve mbi paradën gay na ka kujtuar edhe një herë se sa të gatshëm jemi ne të pranojmë tjetrin që është ndryshe. Shumë gjëra kanë ndryshuar që prej kohëve kur homoseksualiteti konsiderohej si krim. Sot sigurisht që jeta për ta është më e lehtë. Sigurisht që është jashtë çdo dyshimi e drejta e tyre për të marshuar në bulevard. Përdorëm termin “marshim”, sepse nuk kuptohet edhe aq mirë se çfarë lloj manifestimi është ky. Është një protestë? Po ndaj kujt? Ndaj shtetit? Ndaj krejt shoqërisë? Apo është një kërkesë për t’u pranuar ashtu si janë? Sido që të jetë puna në këtë rast duhet të jemi dakord të paktën në një pikë: indiferentë, njerëz pro e njerëz kundër tyre, liberalë e konservatorë duhet që të mos harrojmë kurrë se te dinjiteti i atij që kemi përballë, sado që të jetë ndryshe, gjendet në fakt vetë dinjiteti ynë. Në këtë kuptim të gjitha idetë, në mos qofshin të dhunshme a vrastare, duhen respektuar. Nëse konservatorët do të arrijnë të respektojnë, edhe duke qenë kundër, idetë dhe zgjedhjet e homoseksualëve, atëherë e njëjta gjë u duhet kërkuar edhe aktivistëve të OJQ-ve. Kurrë nuk do të jemi të gjithë në një mendje mbi këtë pikë. Ruajna Zot nëse ndodh e kundërta! Porse do bënim fort mirë që këtë debat ta shndërronim në një provë të dinjitetit dhe të respektit për njëri-tjetrin. Sado që jemi të ndryshëm jemi të gjithë shqiptarë e për më tepër qenie njerëzore.

Gazeta “Shqip”

Top Channel