Tri kërkesa dhe një paqe e “droguar”

05/04/2012 00:00

Skënder Minxhozi – “Opozita t’i harrojë skafet”! Kështu u shpreh Kryeministri Berisha para
tri ditësh, teksa po jepte një përgjigje të vonuar, për propozimin e
socialistëve, lidhur me dhënien fund të moratoriumit shtatëvjeçar të
mjeteve të lundrimit.

Një përgjigje të ngjashme i pati dhënë ai Ramës, edhe kur ky i fundit propozoi uljen e moshës për të përndjekurit që përfitojnë kompensimin, nga 85 në 75 vjeç. Së treti, por jo më e parëndësishmja, një tjetër shuplakë mohuese po i jep mazhoranca opozitës, edhe për mandatin e mbetur pezull pas dorëheqjes së deputetes socialiste, Seseri, më 17 dhjetorin e shkuar.

Tri kërkesa ose propozime nga pakica kanë marrë (por në fakt janë më tepër) përgjigje të prera negative nga ana e qeverisë, në harkun e disa javëve. Tre demarshe të dështuara për të modifikuar ligje në fuqi, apo për të ushtruar të drejta bazë, të cilat qëndrojnë në themelin e shtetit të së drejtës, e që janë një indikator real i vullnetit politik që ka Sali Berisha, për të ofruar ulje në tryezë dhe mirëkuptim, si premisa e parë e normalitetit demokratik në këtë vend. I ftuar në mënyrë të përsëritur nga të tretët, që të gjejë rrugët e dialogut dhe të ulet me opozitën në një dialog të sinqertë e serioz, Kryeministri konsumon rregullisht retorikën e bashkëpunimit, por jo vetë bashkëpunimin.

Përgjigjja e tij ndaj kërkesës për “çlirimin” e skafeve, vështirë se mund të gjejë një justifikim, jashtë alibisë së vjetër që ai ka përdorur me BE, sa herë që ka qenë puna për të dhënë prova për luftën ndaj trafiqeve. Po ashtu, të kundërshtosh deri në fund apriori që të ulësh moshën e atyre të përndjekurve që presin prej vitesh kompensimin financiar, do të thotë që të mos merakosesh shumë për paratë publike, por thjesht dhe vetëm që t’u thuash edhe një herë më tepër “Jo” kundërshtarëve politikë.

Kjo është në fakt kultura politike që ka kultivuar dhe praktikuar në 20 vjet zoti Berisha. Një kulturë e themeluar mbi urrejtjen dhe antagonizmin politik, e jo mbi kriterin jetik të bashkëjetesës.

E megjithatë, ka një tendencë, aktualisht, për të thënë se kjo klimë tensioni i përket së shkuarës, se fakti që po avancohet në disa miratime ligjesh, përbën fundin e tunelit të krizës etj., etj. Po na thuhet se po jetojmë një periudhë paqeje të madhe mes dy partive kryesore. Madje, po i mëshohet fort idesë se tashmë që opozita u kthye në Parlament (e ky shitet si motivi i vetëm i të gjitha kusureve!), gjithçka do të shkojë mirë; reformat do votohen, Presidenti “kushtetues” do të zgjidhet, votimet e vitit të ardhshëm do jenë të rregullta dhe klasa politike, pikërisht kjo klasë e sëmurë politike, do të ndërrojë komplet kodin e sherrit që ka praktikuar deri më sot. Ky kor entuziastësh, diku naivë e diku hileqarë, nuk dëgjojnë asesi t’i heqin, qoftë dhe për një çast, syzet rozë që kanë vënë mbi sy.

A është ar gjithçka që vezullon? Proverbi na thotë se jo! Por edhe eksperienca na jep të njëjtën përgjigje. Paqja aktuale është një paqe e “droguar” nga injeksionet disavjeçare të komunitetit ndërkombëtar në damarët e politikës shqiptare. Presioni, ofertat, kërcënimet publike dhe ato të fshehta, ndërhyrjet dhe ndërmjetësimet gjithfarësh, mesazhet e hapura dhe ato të mbyllura, negociatat veç e veç apo të gjithë së bashku, darkat e drekat brenda dhe jashtë vendit – gjithçka njihet si e ligjshme në repertorin e diplomacisë, është përdorur mbi trupin e politikës shqiptare. E cila sot, pas disa vitesh sherri dhe tensionimi të skajshëm, ndodhet në një gjendje “transi”, pas një trysnie ndërkombëtare po kaq të skajshme. Me sa duket, e vetmja gjendje, në të cilën mund të arrihet një armëpushim qoftë edhe i shkurtër. Koha për të hedhur disa firma mbi letrën e bardhë të reformave të vonuara.

Por kjo është vetëm ana formale e problemit të madh shqiptar. Gjithnjë ka qenë kështu, për të gjithë ata që kanë sadopak memorie rreth natyrës hileqare e hipokrite të politikës në këtë vend. Paqja e rrejshme që jetojmë, është veçse një episod i vogël armëpushimi, në mesin e një beteje të afërt, më 2013, ku nuk do të përjashtohet asnjë lloj arme. Berisha dhe Rama janë sot po aq larg njëri-tjetrit, sa ç’kanë qenë edhe një apo dy vjet më parë. Tjetër punë se zullumi i ligjeve e rregulloreve të mbetura pezull, u trash deri aty ku s’mbante më, duke penguar në mënyrë të përsëritur rrugën drejt BE. Duke aprovuar disa ligje, kjo klasë politike ka bërë vetëm një gjest të vogël formal, lidhur me atë që s’duhej të ishte aspak formale: detyra parësore për të zgjidhur të gjitha pikat e axhendës së krizës shqiptare. Sepse të përndjekurit, skafet apo edhe mandati i Seserit (e plot andralla të tjera), nëse do të ishin pjesë e listës së kërkesave të shkruara të Brukselit, tashmë do të ishin zgjidhur. Mjafton kjo, për të parë sesa e shëmtuar është kjo ballo me maska që po luhet.

Gazeta “Shqip”

Top Channel