Kumbaro, 5 muaj nga zhdukja

05/04/2012 00:00

Kanë kaluar më shumë se pesë muaj që kur Ilir Kumbaro ka dalë nga radarët e drejtësisë britanike në ditën kur duhej të paraqitej në një gjykatë të Londrës për seancën e radhës dhe ndoshta më të rëndësishmen e procesit të ekstradimit të tij në Shqipëri.

Top Channel ka kontaktuar me Policinë Metropolitane për të mësuar stadin e kërkimeve për gjetjen e Ilir Kumbaros, por nuk jepen hollësi për shkak të sekretit të hetimit.

Ndërkohë, nga burime të tjera të mirëinformuara, mësohet se kërkimet vazhdojnë dhe spekulohet se Kumbaro të jetë larguar nga territori i Britanisë në drejtim të kontinentit europian, edhe pse kjo nuk konfirmohet zyrtarisht.

Më herët, zyrtarë të policisë kanë deklaruar se ai fshihej nga miqtë e tij në Britani. Kërkimet e policisë britanike për Ilir Kumbaron mbesin një prioritet i Njësisë së Ekstradimit në Scotland Yard, pasi për të ka urdhër arresti. Ashtu sic mbetet prioritare edhe dëshira e familjarëve të biznesmenit Hoxha për të mësuar për vendndodhjen e Kumbaros.

Ilir Kumbaro kërkohet nga drejtësia shqiptare për zhdukjen e biznesimin Remzi Hoxha në kohën kur ai ka qenë drejtori i SHIK-ut të Tiranës gjatë kohës kur President në Shqipëri ishte kryeministri aktual Sali Berisha.

Nëse Kumbaro është larguar nga Britania, kërkimet e tij bëhen akoma më të vështira se sa nëse do të ndodhej në territorin britanik.

Top Channel