Kamatvonesat e energjisë elektrike

05/04/2012 00:00

Dhjetëra qytetarë në kryeqytet ankohen se CEZ ka nisur të ndërpresë
energjinë elektrike jo për mos pagesë të faturave, por për kamatvonesa
të akumuluara, që nga viti 2007.

“Me c’të drejtë vijnë më heqin dritat pa paralajmërim. Na kanë hequr dritat dhe nuk më japin sqarime. Unë nuk e di se nga dolën këto fatura. Më thonë se kam disa kamatvonesa të papaguara që nga 2007 me vlerë rreth 12 mijë lekë të reja”, thotë një qytetare.

Ndërsa një tjetër qytetare ankohet se ka kamatvonesë prej 20 mijë lekësh të reja, ndërsa thotë se ka qenë e rregullt në pagimin e dritave.

“Njoftohen të gjithë abonentët, të cilët janë debitorë, me anë të një njoftimi përpara se të ndërhyhet në ndërpreje të energjisë erlektrike. Kamatvonesa është llogaritur për të gjithë ato fatura të paguara me vonesë nga 1 janari 2007, deri më sot. Nëse një debitor ka paguar me vonëse një faturë që i takon vitit 2010, në bazë të ditëve të vonesës që ka bërë pagesën, llogaritet edhe shuma e kamatvonesës”, thotë drejtori i Departamentit të Arkëtimeve, Elvis Gjergji.

Në Zyrat e Kujdesit të Klientit të CEZ gjen shumë qytetarë që ankohen edhe për mbifaturim nga CEZ.

“Kemi kaluar një dimër të ftohtë dhe në përgjithësi konsumi ka qenë më i lartë se sa zakonisht, ka qenë në nivelet maksimale. Ka patur edhe raste sporadike, ku leximi nuk ka qenë i rregullt. Këto vijnë për disa arsye, një nga më kryesoret është leximi jokorrekt nga ana e lexuesve, por edhe ndonjëherë nga sistemi. Për të gjitha këto raste klientët drejtohen pranë zyrave tona, bëjnë një ankesë zyrtarisht dhe aty marrin përgjigjen në kohë reale”, thotë drejtori i Departamentit të Matjeve në CEZ, Dhimitër Kote.

Drejtues të CEZ-it thone se ndaj faturisteve po merren masa, ndërkohë që klientët kompensohen më vonë për sasinë e tepërt të energjisë, që u faturohet për faj të lexuesve apo gabimeve që bëhen në sistem.

Top Channel