Gjirokastër, shqetësim për ndotjen e mjedisit

05/04/2012 00:00

Prefektja e Qarkut të Gjirokastrës  Mimoza Como gjatë një takimi me
drejtues të njësive vendore ka vënë në dukje mungesën e planeve
specifike për të parandaluar ndotjen ambientale, që sipas saj është
kthyer në një problem shqetësues për të gjithë qarkun.

“Ndotja ka prekur tokën dhe ujin dhe janë gjobitur disa njësi për këtë arsye”, tha prefektja.

Nga ana tjetër krerët e komunave të gjobitura për ndotje mjedisore kanë debatuar gjatë në këtë takim. Ylli Muho kreu i komunës Antigone tha se problemi është evident në të gjithë qarkun, ndërsa gjoba kanë ardhur vetëm për 4 komuna që drejtohen nga socialistët. Muho gjithashtu tha se nuk disponojnë mjete finaciare për të ndërhyrë në territor dhe se mungesa e një landfilldi përpunues për mbetjet është sfida kryesore ambientale e rajonit.

Kreu i Agjencisë Rajonale të Mjedisit,i pranishëm në takim Asqeri Buzheri bëri me dije se Agjencia po vlerëson nivelin e bashkëpunimit dhe predispozicionin e njësive vendore për nisma që mbrojnë mjedisin. Buzheri tha se gjobat do të falen nëse situata ndryshon dhe cakton qartë vendet e grumbullimit të mbeturinave.

Në të gjitha qarkun e Gjirokastrës ndotja mjedisore është në nivele kritike, të gjitha njësitë vendore komuna dhe bashki me përjashtim të dy komunave nuk kanë leje mjedisore për vendgrumbullimet e miratura, të cilat ose janë shumë pranë vendbanimeve ose shumë pranë pasurive ujore.

Top Channel