RENEA nxjerr të mbyturit në Ishëm

02/04/2012 00:00

Rreth 24 orë pas mbytjes në ujërat e lumit Ishëm, trupat e të rinjve Ervis Saliu dhe Elton Sinometi, janë gjetur nga polumbarët e RENEA-s. Trupat e tyre u gjetën fare pranë njëri-tjetrit në vendin ku dhe rrëshqiten aksidentalisht.

Llumrat dhe plehrat e depozituara ndër vite në lumë nuk e kanë lejuar rrjedhën t’i zhvendosë, ndërkohë që prania e tyre e ka bërë dhe të vështirë gjetjen e tyre.

Trupat kishin ngecur në një thellësi prej afro katër metrash dhe për nxjerrjen e trupave të dy të rinjve u angazhuan forca të shumta të policisë së Durrësit e Shijakut, forca të repartit RENEA, 10 polumbarë, dy eskavatorë si dhe shumë familjarë dhe banorë të zonës.

Për largimin e plehrave nga buza e lumit dhe deri në thellësi të tij kanë punuar të gjithë, ndërsa kërkimet u shtrinë përgjatë 2 km.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës në Likmetaj të Ishmit, ku dy të rinjtë, njëkohësisht kunetër me njëri-tjetrin, bashkë me persona të tjerë kanë qenë duke mbledhur bidona plastikë mbi sipërfaqen e lumit të bllokuar nga mbeturinat.

Top Channel