Autizmi, shtohen rastet e sëmundjes në Shqipëri

02/04/2012 00:00

Sot shënohet Dita Botërore e Autizmit, një sëmundje që prek më së shumti
fëmijët e moshës 1-2 vjeç. Mjekët në Shqipëri herë pas here kanë dhënë
alarmi se kjo sëmundje ka pësuar rritje gjatë 10 viteve të fundit.

Ndonëse nuk ka statistika të sakta, pak kohë më parë u deklarua së në 160 fëmijë të lindur në Shqipëri, 1 është i prekur prej saj. Deri në fund të vitit 2008 numëroheshin rreth 4300 fëmijë dhe adoleshentë të diagnostikuar me këtë sëmundje.

Bëhet fjalë për një çrregullim, ku fëmija nuk është në gjendje të krijojë asnjë lidhje emocionale me njerëzit e tjerë dhe ka dëmtime të shprehura të aftësive komunikuese. Mjekët pohojnë se autizmi mund të identifikohet që në muajt e parë të jetës dhe mund të kuptohen nga një specialist kur fëmija është në muajin e pestë, ndërsa shenjat me të dukshme variojnë nga 18 deri në 36 muajsh.

Karakteristikë e kësaj sindrome është se fëmija mund të zhvillohet pa shfaqur shenja shumë të dukshme të çrregullimit deri në moshën 16-18 muajsh dhe pas kësaj moshe, nëna mund të identifikojë probleme në zhvillimin e tij. Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, etj. Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit, simptomat më karakteristike te fëmijët autikë, evidentohen kur fëmija nis të flasë, prandaj dhe prania e tyre përbën një nga kriteret diagnostikuese. E folura herë mungon, herë është e vonuar, ose dhe atipike. Për mjekët specialistë në vendin tonë mbetet problem diagnostikimi i hershëm i saj, si dhe mungesa e mjekëve të specializuar, infrastrukturës.

Megjithëse autizmi është identifikuar në vitin 1943, ende nuk dihen faktorët e saktë që shkaktojnë këtë sëmundje. Personat me autizëm nuk kanë aftësi të kufizuara fizike dhe pamja e tyre është si çdo person pa aftësi të kufizuara. Ka teori të ndryshme për shkaqet si faktorët e ambientit, dëmtim i trurit, vështirësi gjatë lindjes së foshnjës apo sëmundjes si foshnje. Momentalisht, askush nuk është i sigurt për shkaqet. Ende bëhen shumë hulumtime shkencore në këtë drejtim. Mendohet që gjenet individuale luajnë një rol të madh. Sa më shpejt që bëhet diagnoza e autizmit, aq më shumë ka shanse që fëmija të marrë ndihmën dhe përkrahjen e duhur.

Top Channel