Serbia heq dorë nga zgjedhjet në veri

31/03/2012 12:15

Qeveria serbe ka hequr dorë nga planet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, me argumentin se, pa mbështetjen e UNMIK-ut, organizimi dhe zhvillimi i tyre do të jetë shumë i vështirë.

Lajmin e bën të ditur gazeta serbe “Novosti”, e cila i referohet burimeve qeveritare, që deklarojnë se ekzekutivi serb druhet se pa ndihmën logjistike të administratës ndërkombëtare siguria e proçesit do të cënohet.

Burimi mediatik citon ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, i cili thotë se gjithësesi, Beogradi është ende në kontakt me krerët e misioneve UNMIK dhe EULEX.

“UNMIK-u na ka informuar se nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Organizimi i tyre është në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Serbisë, por duhet marrë parasysh edhe situata specifike në terren”, ka deklaruar Bogdanoviç.

Vazhdimësinë e pushtetit vendor në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sipas gazetës, Beogradi do ta sigurojë me ngritjen e drejtorive të përkohshme.

Disa ditë më parë misioni i Kombeve të Bashkuara refuzoi kërkesën e qeverisë serbe për ta ndihmuar në organizimin e proçesit elektoral në shtetin e Kosovës, me argumentin se situata në terren e pamundëson një gjë të tillë.

Gjithashtu, institucionet e Kosovës dhe autoritetet ndërkombëtare e kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale, duke vlerësuar se një shtet nuk mund të organizojë zgjedhje në një shtet tjetër.


Rezoluta e miratuar dy ditë më parë nga PE
për vendet e Ballkanit i kërkonte Serbisë që të hiqte dorë nga ky plan i saj, i cili ndër të tjera bie ndesh me rezolutën 1244, të cilës Beogradi i referohet në vazhdimësi.

Pak ditë më parë, ambasadori gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel, në një debat mbi raportet Kosovë-Serbi, e cilësoi si ndërhyrje në punët e një shteti tjetër planin e qeverisë serbe.

Top Channel