Kur flet biznesi…

31/03/2012 00:00

Bardhi Sejdarasi – Dje ka qenë një rast i mirë për të mbajtur shënim biznesin. Por nuk ka
ndodhur kështu. Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me përfaqësues
të biznesit shqiptar, nën sloganin “Një Shqipëri konkurruese” duke
tentuar, sikurse u tha në takim, “konsultimin me biznesin e hapave të
mëtejshëm për përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjes së
konkurrueshmërisë”.

Rezultati? Tre orë takim, po aq transmetim i drejtpërdrejtë nga disa televizione dhe në fund… pesëmbëdhjetë faqe në ueb-in e Këshillit të Ministrave (një rast krejt i rrallë).

Unë nuk jam duke thënë se në një takim të tillë nuk duhet të fliste kryeministri i vendit. Jam duke thënë se kryeministri nuk mund të merrte fjalën pas “çdo “biznesburri” apo “biznesgruaje”, siç u shqipërua në këtë takim togfjalëshi në anglisht i sipërmarrësve burra e gra të këtij vendi. Në fakt ishte si një pasqyrë e asaj ç’ka ndodh në Kuvendin e Shqipërisë, ku kryeministri i vendit e marr fjalën pas çdo deputeti të opozitës. Sepse kështu e përcakton edhe rregullorja e Kuvendit. Por në takimin me biznesin nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë, nuk ka një rregullore të tillë. Por nuk është kjo ajo që dua të them në këtë shkrim.

Tjetër kund e kam fjalën. Një takim i thirrur me emergjencë, pa asnjë axhendë paraprake dhe madje edhe pa ndonjë organizim të spikatur të Ministrisë së Ekonomisë, si nismëtare e takimit. Një takim ku nuk u kuptua asnjëherë se “kush ishte kush” dhe “kush tha çfarë”.

Kjo e mësipërmja po bëhet një problem i rëndësishëm i jetës ekonomike të vendit. Përfaqësues gjithfarësh deklarojnë në emër të biznesit, kërkojnë në emër të përgjithshëm, nënvizojnë në emër të “shumicës” dhe madje “bëjnë edhe gafa” në emër të përfaqësimit. Në tryezën e thirrur nga Kryeministri, i vetmi person i përgatitur për tryezën ishte vetëm…Kryeministri.

Të tjerët thanë shpejt e shpejt çfarë u erdhi në mendje për momentin dhe morën shpejt e shpejt përgjigjen e shefit të ekzekutivit, pa pasur të drejtën e “replikës”. Në takime të tilla, njëlloj si edhe në organizma shtetërore që tentojnë të përfaqësojnë sipërmarrjen shqiptare, siç janë Këshilli Konsultativ i Biznesit(KKB), apo Këshilli Kombëtar i Punës (KKP) etj, një takëm njerëzish flasin në “shumës”, flasin me “ne”, kur janë vetëm “unë”. Organizata punëdhënësish të parregjistruara në gjykatë, të pa deklaruar në tatime, pa asnjë staf profesional, pa asnjë qindarkë të derdhur në arkën e shtetit, janë “de facto” përfaqësues “legjitimë” kushedi se të kujt. Biznesi i vërtetë dhe përfaqësuesit e vërtetë të tij janë “prapa kuintave”. Po mirë, kush është i vërteti? Sepse të tërë thonë se “jemi ne”!

Këtë e thonë Dhomat e Tregtisë (dhomat publike). Por përfaqësimi i tyre është “për të qarë hallin!” Një ndryshim i para disa viteve i ligjit për dhomat publike “i nxori jashtë ligjit”, këto organizma të përfaqësimit të punëdhënësve. Në kuadrin e “Shqipëria, 1 Euro”, kryeministri, me të drejtë, kërkoi ndryshimin e ligjit, pra anëtarësimin vullnetar të sipërmarrjes dhe jo detyrimin ligjor. Ky ishte fundi “me nder” i këtyre institucioneve të së drejtës publike. (Dhe vërtetohet me numrin e anëtarësimit të tyre sot dhe me gjendjen në arkën e kuotizacioneve!) Pas kësaj, organizimi privat i sipërmarrjes mori hov. Mbi një duzinë dhomash/asosiacionesh private të biznesit u ngritën sa hap e mbyll sytë. Dhe jo me “kuotën e anëtarësimit” të dhomave të tregtisë, por mbase me shumëfishin e kësaj kuote. Sekreti ishte i thjeshtë: biznesi kërkon shërbime dhe ai paguan kur ato i ofrohen. Dhomat e Tregtisë arritën një kohë (kur edhe unë kam qënë drejtor në një prej tyre) që të paguanin vetëm avione çarter të krerëve të shtetit për udhëtime “pune”, por jo shërbime të nevojshme për sipërmarrjen.

Pas “vdekjes” së ngadaltë të dhomave publike të tregtisë dhe industrisë, çdokush mund ta krijonte një “dhomë” (tani edhe emri-llagapi-u huazua nga ligji publik dhe u lejua nga gjykata). Dhe janë bërë aq të tilla sa nuk numërohen! Por askush nuk e di se sa janë të ligjshme?! Askush nuk verifikon se cila ka rregjistrim ligjor, se cila paguan detyrimet e shtetit, se cila ka NIPT etj. Një ministër i ekonomisë, para pak kohësh dubloi punëdhënësit fasonistë në Këshillin Konsultativ të Biznesit, sikundër u tha nën zë “për miqësi dhe për vota në zgjedhje”. Me vendim, anëtare e KKB ishte Dhoma  Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, e kryesuar nga Flamur Hoxha dhe më pas u “shtua” edhe Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë e kryesuar nga Gjergji Gjika. Estrada ishte e garantuar në KKB!

Standardet e përfaqësimit dhe shteti ligjor

Përfaqësimi i organizatave të biznesit në entet shtetërore rregullohet me ligj dhe rregullore të posaçme. Dhe ky detyrim ligjor duhet respektuar. Nuk është respektuar asnjëherë deri më sot! Në Këshillin Konsultativ të Biznesit, numrit më të madh të anëtarëve u ka mbaruar mandate, ehu! qyshkur.  Por vijojnë të jenë anëtarë! Në takimin me kryeministrin unë pashë dhjetra që tundnin kokën me nervozizëm e mosaprovim kur e merrnin fjalën një takëm, që quhen përfaqësues të biznesit! Të tjerë që dilnin jashtë ku dëgjonin “broçkulla” që nuk binin “erë biznes”!

Mbetet të bëhet mirë një gjë. T’i japësh Çezarit atë që i takon Çezarit! Ka ardhur koha e verifikimit të plotë të të gjithë organizatave që thuhet se përfaqësojnë sipërmarrjen. Sot ka presidentë shoqatash që kanë 10-20 vjet si “presidentë”. Ata nuk ikin dot! Nuk e shohin dot veten në një pozicion tjetër! Po shteti ka detyrimin që edhe kur nuk funksionojnë organizimet vullnetare, ndërhyn si një mekanizëm rregullues. Statuti është ky mekanizmëm. Kush nuk e respekton (dhe kjo vërtetohet lehtësisht në gjykatë) le të rijë “president”, por nuk mund të jetë në tavolinën e kryeministrit të vendit, në tavolinën e ministrit të Ekonomisë që është kryetar i KKB, në tavolinën e ministrit të Punës që është kryetar i KKP e kështu me rradhë.

Të nevojshme kriteret e përfaqësueshmërisë

Qeveria mundet dhe e ka detyrim ligjor përcaktimin e kritereve të përfaqësueshmërisë, pra “kush është kush” dhe “”kush bën çfarë” për komunitetin e sipërmarrjes. Kjo është një çështje e rëndësishme! Prandaj edhe BiznesAlbania, në disa forume brenda e jashtë vendit, ka kërkuar angazhimin për shkrirjen e KKB dhe KKP dhe krijimin e Këshillit Ekonomik e Social, jo vetëm sepse ky është modeli më i mirë për një partneritet real me qeverinë, por sepse kjo është një skemë e verifikuar në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e Europës Juglindore.

Dje foli biznesi…. Një pjesë e deklarimeve të tij ishin tambure për qeverisjet, e majta e të djathta, një pjesë ishte më shumë se sa joprofesionale, vetëm pak ishin shqetësime konkrete e të papolitizuara të sipërmarrjes. Por vetëm pak ama! Biznesi edhe dje ishte  i papërgatitur për të kërkuar të drejtat e tij dhe për të argumentuar arbitraritetin, apo, më mirë, mungesën e partneritetit me shtetin. Kjo tërheqje vëmendjeje nuk bëhet për të fyer apo nënvleftësuar ata që vërtet kishin nevojë të kërkonin e dëgjonin nga shefi i ekzekutivit. Doemos jo duke i bërë thirrje të pranonte përballjen me Ramën në një duel spektakolar parazgjedhor, qe Berisha e kishte abandonuar njëherë në 2009!

Por dje, si gjithnjë foli, foli e përsëri foli, ai, Dr. Berisha, me shumë profesionalizëm edhe në fusha që nuk janë pjesë e formimitt të tij, por me elokuencën që e karakterizon, duke pranuar pak nga vërejtjet dhe sidomos duke premtuar shumë e shumë. Eh sa shumë! Madje më shumë edhe se sa Edi Rama, i cili edhe ai, kur thërret biznesin në tavolinë duhet të dëgjojë më shumë se sa të flasë e vetëm të flasë.

Kryeministri duhej që, të paktën dje, të mbante vetëm shënime…

Autori: Drejtor i Përgjithshëm
BiznesAlbania

Gazeta “Shqip”

Top Channel