Imunitetet, Venecia kundër ndërkombëtarëve

31/03/2012 00:00

Andrea Stefani – Heqja e imuniteteve të deputetëve ka qenë një gjakim i hershëm i Sali
Berishës. Jo rastësisht, qysh në mars 2006, Komisioni i Venecias ka
lëshuar një opinion të ekspertëve të saj Sergio Bartole dhe Georg Nolte.

Kjo iniciativë u ndërmor, sepse më 19 dhjetor 2005, pra pak muaj pasi Berisha ishte rikthyer në pushtet, Komisioni i Venecias kish marrë një letër nga Ilir Rusmali, atëherë zv/kryeministër, ku kërkohej një opinion mbi projektligjin “Për kufizimin e imunitetit të deputetëve” për rastet e krimeve korruptive dhe abuzimit me detyrën”. Dinamika e mëvonshme thuajse 7-vjeçare dhe tejet korruptive e qeverive Berisha, dëshmon se qëllimi i kësaj kërkese nuk ishte aspak lufta kundër korrupsionit. Por çfarë synonte Berisha me atë iniciativë? Pikërisht atë së cilës i frikësohej Komisioni i Venecias dhe që Kryeministri e synon edhe sot: persekutimin politik të opozitës nën maskën e luftës “kundër korrupsionit”. Prandaj disa përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, bëjnë një gabim shumë të rëndë ndaj projektit të demokracisë në Shqipëri, kur mbështesin verbërisht këto nisma të shumicës në pushtet. Një gabim thuajse po aq të rëndë sa ai i inkurajimit naiv që ata u bënë amendimeve të Kushtetutës në prill 2008. Sepse korrupsioni nuk luftohet duke shkatërruar sistemin kushtetues që mbron opozitën nga padrejtësitë e pushtetit. Por që të kuptohet kjo, duhet të shohim se cili ka qenë opinioni i Komisionit të Venecias për kufizimin e imuniteteve.

* * *

Sipas Komisionit të Venecias, imuniteti parlamentar është dizenjuar, para së gjithash, që të mos lejojë pushtetin ekzekutiv (qeverinë) dhe shumicën parlamentare, të pengojnë Parlamentin në funksionet e tij normale dhe veçanërisht, duke dobësuar opozitën politike me hetime selektive. Imuniteti parlamentar shfaqet si një element i rëndësishëm i organizmit të institucioneve të mbikëqyrura nga Kushtetuta dhe ka të bëjë edhe me pozicionin e Parlamentit në kornizën kushtetuese dhe me marrëdhëniet e tij me pushtetet e tjera të shtetit. Prandaj, opinioni i ardhur nga Venecia thekson se pjesëmarrja e opozitës në adoptimin e rregullave që kanë të bëjnë me kufizimin e imunitetit, është një garanci që ndryshimet të mos jenë të motivuara nga qëllime politike autoritariste. Gjë që s’do të thotë aspak që nën presionin e zhbllokimit të gjoja procesit të integrimit (ku për fat të keq po rrëshqet edhe në sajë të presionit të disa ndërkombëtarëve) opozita të hyjë me këmbët e veta në kurthin që po përgatit Berisha.

Tërheq vëmendjen fakti që Venecia ka hedhur dyshime nëse vërtet ekziston një nevojë urgjente në Shqipëri për kufizimin e imunitetit të deputetëve. “Duhet nënvizuar se deri në ditën e sotme – theksohet në opinionin e Komisionit të Venecias, ka pasur vetëm një rast në të cilin është diskutuar heqja e imunitetit të deputetëve në bazë të Kushtetutës ekzistuese. Çështja nuk kishte të bënte me korrupsionin dhe nuk çoi në heqjen e imunitetit”. Komisioni ka ngritur dyshimin nëse vërtet ekziston një nevojë urgjente për këtë reformë sikundër thuhet në shpjegimet e dërguara nga qeveria shqiptare. Një dyshim që ia vlen të shqyrtohet me kujdes edhe sot.

* * *

Një nga argumentet kundër emergjencës së heqjes së imuniteteve ofruar nga Venecia është fakti se Parlamenti ka të drejtë t’ia heqë imunitetin çdo deputeti të tij, sepse imuniteti nuk është një privilegj privat i deputetit, por një rregull për të mbrojtur vetë Parlamentin dhe funksionimin e tij normal. Prandaj edhe Kushtetuta e Republikës në nenin 73.2 i njeh Kuvendit të drejtën të heqë imunitetin për anëtarët e tij. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë se Kushtetuta shqiptare i ka të gjitha standardet europiane lidhur me heqjen e imunitetit të deputetëve. Kjo do të thotë se heqja e imunitetit në tërësi, sikundër propozohet sot, vë në rrezik funksionimin normal të Parlamentit, një rrezik që duhet mbajtur parasysh në vendimet që do të marrin forcat politike dhe në radhë të parë opozita.

A duhet të hiqet imuniteti i deputetit rast pas rasti apo në avancë për të gjithë deputetët? – Në këtë rrafsh Komisioni i Venecias ka peshuar edhe rreziqet e një persekutimi të mundshëm politik të deputetëve. Është e vërtetë që ka një praktikë të Bundestagut (Parlamentit) gjerman për heqjen e pjesshme të imunitetit për të gjithë periudhën e mandatuar parlamentare. Por Gjykata Kushtetuese në Gjermani nuk ka mundur akoma të vendosë nëse kjo praktikë është me të vërtetë Kushtetuese, sqaron Komisioni i Venecias. Në literaturën gjyqësore janë shfaqur shumë dyshime për këtë problem. “Dyshimet bazohen pjesërisht në shqetësimin se heqja e përgjithshme e imunitetit mund të ndikojë në punën e Parlamentit, sepse mund të lejojë hetime selektive, arbitrare ose edhe politikisht të motivuara”, thuhet në opinion. Ndërkombëtarët në Tiranë nuk duhet të tregohen të shurdhër para sugjerimeve të tilla. Komisioni i Venecias sugjeron gjithashtu, që çështja të shqyrtohet me seriozitet edhe në kontekstin shqiptar, sepse në Gjermani, Parlamenti “ruan të drejtën të rivendosë imunitetin” dhe se heqja e imunitetit është e kufizuar. Dhe vetëm sepse ekzistojnë këto masa mbrojtëse, një pjesë e literaturës gjyqësore në Gjermani e konsideron heqjen e imunitetit kushtetuese.

* * *

“Një tjetër set rregullash që mbrojnë kundër hetimeve arbitrare dhe politikisht të motivuara janë ato që mbrojnë pavarësinë e prokurorisë nga ndikimet politike dhe marrjes së instruksioneve nga nivele të ndryshme politike” – thuhet në opinionin e Venecias. Kjo është tamam situata që shqetëson në Shqipëri. Nga instruksionet e Topallit për kryeprokuroren Ina Rama në rastin e hetimit të Gërdecit e deri te mallkimet e sharjet e Kryeministrit për kryeprokuroren pas vrasjeve të 21 janarit, flasin pa ekuivokë për një agresion të pashembullt të Berishës mbi prokurorinë. Dhe, për fakt të keq, Berisha bëhet gati që në fund të këtij viti, ta zëvendësojë “laviren e bulevardit” me një kryeprokuror të tipit “Halimi” që për nga besnikëria robotike ndaj Berishës, të kujton prokurorët e Enver Hoxhës. Një avantazh që atij ia kanë krijuar amendimet e Kushtetutës në prill 2008. Ndërkaq, Komisioni i Venecias ka sqaruar se në Gjermani, krahas praktikës së kufizimit të imuniteteve, kemi edhe një prokurori të pavarur nga qeveria. “Prokurorët janë normalisht organe të shteteve lande, që do të thotë se ata nuk varen nga shumica qeverisëse në nivel federal”, nënvizon opinioni i ardhur nga Venecia. Në kushtet e sotme të Shqipërisë, ku janë rrënuar garancitë dhe balancat institucionale, si dhe ekziston një tendencë e fuqishme autoritariste në kokën e politikës, heqja e imunitetit për të gjithë deputetët vështirë të mos çojë në hetime selektive ose shantazhe politikisht të motivuara mbi opozitën politike. Dhe nëse gjykojnë se heqja e imuniteteve është e domosdoshme për luftën kundër korrupsionit, ndërkombëtarët duhet të garantojnë që Presidenti i ardhshëm i Republikës nuk do të jetë një kukull e Berishës. Një president mbi palët, do të shërbente edhe si një garanci për zgjedhjen e një prokurori të paanshëm. Vetëm kështu do të bëhej e mundur që në kushtet e sotme, heqja e imuniteteve t’i shërbente vërtet luftës kundër korrupsionit dhe jo një pushteti të korruptuar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel