Durrës, studentët kërcënojnë me bojkot

30/03/2012 00:00

Një grup me 11 studentë të zgjedhur si përfaqësues në zgjedhjet e fundit
në Universitetin e Durrësit, njoftuan të premten se i kanë dërguar një
peticion rektorit, presidentit Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha
ku kërkojnë rikthimin e disa masave të marra nga rektori Mit’hat Mema.

Studentët paralajmërojnë se do të bojkotojnë procesin mësimor nga dita e hënë në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Studentët e Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit nëj ditë me parë protestuan kundër transferimit të pedagogëve të tyre drejt filialit të Peshkopisë, një vendim ky i rektorit të universitetit. Ata e vlerësojnë si arbitrar këtë vendim.

Të mërkurën rektorati u ka komunikuar 8 pedagogeve, 4 prej te cileve i perkasin Fakultetit te Biznesit dhe te tjeret Fakultetit te Shkencave Politiko-Juridike dhe Edukimit transferimin drejt Peshkopise me argumentimin se nevojiten pedagoge eksperte, per te forcuar cilesine e filialit atje.

Të gjithë këta pedagogë e cilësojnë këtë urdhër të rektorit si një ndëshkim për shkak se gjatë fushatës për zgjedhjet në universitet, pedagogët mbështetën kandidatin rival që humbi në zgjedhje.

Rektori i universitetit thotë se gjithcka është brenda ligjit dhe në përputhje me prioritetet e fushatës së tij për të forcuar filialin e Peshkopisë.

“Pjesa më e madhe e tyre e kanë filluar aktivitetin që në shtatorin e vitit të kaluar në filialin e Peshkopisë. Unë mendoj që duke qenë pjesë e përhershme e këtij filali mund t’i japin në zhvillim më të madh këtij filiali në të gjitha aspektet”,  deklaroi Rektori, Mit’hat Mema.

Cështja duket se do përfundojë në gjykatë, pasi pedagogët nuk pranojnë të zbatojnë urdhërin që i detyron të transferohen ngë Durrësi në Peshkopi.

Top Channel