“Top Story”: “Dritë-hijet” e Albpetrolit

29/03/2012 00:00

Debati i nxehtë mbi të ardhmen e Albpetrolit u zhvendos në studion e “Top Story”-t ditën e enjte. Muajt të tërë diskutimesh u finalizuan gjatë me kalimin e ligjit të privatizimit të Albpetrolit në Kuvend, votë të cilën opozita e konsideroi si dritën jeshile për vënien në jetë të aferës korruptive më të madhe në historinë e Shqipërisë.

Ndryshe nga herë të tjera, shteti po vendos këtë herë privatizimin e 100% të aseteve të Albpetrolit, përfshi disa rrugë naftësjellëse të njohura pak, që e lidhin Albpetrolin me portet e Durrësit dhe Vlorës. Por, cila është e vërteta? Çfarë do të përfitojmë nga privatizimi dhe çfarë do të humbasim prej tij?

Studio e emisionit politik të Sokol Ballës u përpoq të jepte një përgjigje për të gjitha dilemat dhe çështjet me interes publik, nëpërmjet të ftuarve, Ministri i METE-s, Nasip Naço dhe dy deputetët e Partisë Socialiste, Erjon Braçe e Arben Ahmetaj.

Në nisje të debatit, ministri Naço vlerësoi se kuota 100% e aseteve është vendosur pasi privatizimet e mëparshme të pjesshme nuk kanë rezultuar të suksesshme, ndërsa akuzoi socialistët për një qëndrim të dyfishtë, duke kujtuar se ata ishin ata që miratuan ligjin për privatizimet, mbi të cilin ka punuar edhe qeveria e sotme.

“Ky debat është ngritur nga opozita vetëm për qëllime politike, pasi në 1998-n, atëherë në maxhorancë, kanë miratuar ligjin për privatizimin e sektorit strategjik, që duhet të bëheshin me ligj të veçantë dhe për t’iu përshtatur atij ligji, kemi bërë këtë debat në parlamernt”, deklaroi Naço.

I pyetur se përse privatizimi do të jetë i plotë, Ministri vlerësoi se: “Duke e privatizuar 100% privatizimi bëhet efikas. Në të shkuarën, privatizimet e pjesshme nuk kanë rezultuar të efektshme, si rasti Armo, CEZ, AMC dhe objekte të tjera strategjike që s’kemi mundur dot t’i marrim atë që duhet të merrnim…. Kjo na detyroi të mendonim për një rrugë tjetër dhe të korrigjonim gabimet e së shkuarës. Privatizimi 100% ka si qëllim të vetëm ta bëjë më efektiv atë…. Çfarë do të privatizohet në Shqipëri? Vetëm asetet do të privatizohen dhe jo nëntoka, nafta apo gazi i shqiptarëve siç pretendojnë socialistët”.

Ahmetaj, Zvs/ministër në periudhën e miratimit të ligjit në vitin 1998, shpjegoi se çfarë ka ndodhur konkretisht që prej atëherë. “Është e vërtetë që procesi ka nisur në parim që në vitin 1998 dhe me një kuadër ligjor kur u vendos të privatizoheshin sektorët strategjikë dhe industria e naftës është brenda sektorëve strategjikë, por me specifikën e saj. Ajo që ne po themi sot, që kemi thënë në Parlament, është se nuk jemi kundër privatizimit dhe këtë e kemi përsëritur në Kuvend në unison të gjithë bashkë. Ne jemi vetëm kundër kësaj mënyre privatizimi, që në ratin më të mirë dëmton qytetarin dhe në rastin më të keq, është antikombëtare. Thelbi nëse duam apo jo privatizim, nuk vlen më dhe nuk ka debat majtas djathtas, kush është këtej e andej apo kush ka ende botëkuptim komunist siç pretendon kryeministri. E vetmja gjë është që nuk jemi për këtë lloj privatizimi”.

Deputeti tjetër socialist, Erjon Braçe, u përqendrua pikërisht tek abuzimi, që sipas tij, po kryhet me privatizimin e plotë dhe dhënien e kompanisë së ardhshme të drejta eksluzive që i takojnë shqiptarëve. “Së pari dua të them që mua s’më detyron njeri të them gjëra që si mendoj dhe s’më ka dërguar askush këtu. Ministri tha disa gjëra, por nuk i tha të vërtetat deri në fund. Në 14 mars 1998, është miratuar nga mazhoranca një ligj për strategjinë e privatizimin dhe është ndryshuar në vitet 1999,2000, dy herë në 2002, 2006 dhe 2009”, tha Braçe, që me ligjin në dorë, iu referua amendimit të fundit, ligjit me numër 10 166, i datës 15/10/2009.

“Neni gjashtë i këtij ligji thotë se sektorët me rëndësi të veçantë stategjike janë hidrokarburet, mineralet, posta, telekomunikacionet, rrugët, pyjet, transporti ajror dhe hekurudhor”, saktësoi Braçe. “A kemi privatizuar ndonjë prej tyre ne? Jo. Vetëm sa nisëm procesin për Albtelekomin, por kontrata mbaroi në 2006-n. Asnjë rrugë, kompani dhe asgjë tjetër si kemi privatizuar. Ndalova për të thënë të vërtetën që me bazë ligjore është përcaktuar një strategji privatizimi, por kjo s’të detyron të privatizosh gjithçka me patjetër. Duke iu referuar po prapë ligjit, në këtë ligj, në asnjë nen nuk thuhet që qeveria merr përsipër të privatizojë 100% çdo gjë apo çdo ndërmarrje që ka nxjerrë në shijye. Neni një thuhet që qeveria ka të drejtë të mbajë aksionin e artë, aksion që ushtron të drejta eksluzive në vendimarrje, por jo për punën e përditshme. Parashikohet gjithashtu pjesëmarrja me letra me vlerë, deri në 20% të kapitalit të kontabiziluar të kompanisë… Shteti e ka mbajtur interesin e tij nëpërmjet aksionit të artë dhe pjesës së tij të aksioneve edhe në kompani si CEZ, Armo apo Albtelekomi, pikërisht për të ruajtur interesin publik. Nëse këtë ama administrate nuk di ta bëjë, kjo është një çështje tjetër”.

Duke ndërhyrë, Ministri theksoi edhe një herë si privatizimi me 76% të aksioneve nuk ka rezultuar rentabël deri tani dhe dha shembuj që pasi është përdorur kjo praktikë, ligji është ripunuar dhe janë dhënë të drejta të plota tek private, por Braçe përsëriti të njëjtin koncept, duke akuzuar shtetin për paaftësi. “Nëse qeveria nuk ka arritur të marrë dividentin për vete dhe aksionerët e vegjël, ky është problem i madh i saj. Përse s’ka marrë 24% është përgjegjësia e shtetit. Përse lejon faturat e fryra, abuzive dhe nuk zbatohet ligji, ku është përsëri faji i mënyrës se si administron qeveria interesat e saj brenda kompanive. Nëse këta janë të paaftë, nuk do të thotë që problem qëndron tek privatizimi i pjesshëm”.

Ministri i METE iu përgjigj këtij vlerësimi duke akuzuar socialistët se “në 2004 keni hedhur bazat edhe në tokë dhe në det. Atëherë s’kam thënë se ju keni qenë të paaftë dhe kontrata që keni lidhur ishte abuzive, ndonëse pasojat janë ndierë pas, pasi vetëm për prodhimin paekzistues me 15% në vit shtetit iu shkaktua një dëm prej 20 milionë dollarësh”.

Deputeti Ahmetaj theksoi se një tjetër problem i privatizimit është që janë injoruar specifikat e veçanta që kanë hidrokarburet dhe ky sektor i ekonomisë. “Ne kemi parë në Parlament qëndrimin e Ministrit dhe tani po i drejtohemi publikut shqiptar. Industria e naftës ka një specifikë dhe kur jep të drejtat mbi një fushë, automatikisht rezerva është në shfrytëzim eksluziv dhe prandaj e gjithë bota i bën me vite të kufizuara marrëveshjet, por kompania që do të përfitojë të drejtat, do të fitojë naftën e shqiptarëve për një periudhë të pakufizuar. Nëse unë them shumën e dëmit që i bëhet shtetit, Ministri duhet të japë dorëheqjen që në këtë studio”.

Duke vazhduar arsyetimin e tij, Ahmetaj shtoi: “Ministri thotë që është marrëveshje e bërë në 2004-n, por për një vit e gjysëm, kompania që sot është në treg ishte në test dhe kishte vetëm 18 puse… Totali është 2 400 puse dhe sot ka vetëm gjysmën. Në çdo vend të botës, qeveria merr një pjesë të naftës në favor të qytetarëve që sa ajo del nga pusi. Ministri thotë që këtë të drejtë, unë me qeverinë do e privatizoj dhe që nga dita një, këto para do i kalojnë privatizuesit. Sot, ajo pjesë që shqiptarët marrin është 50 milionë dollarë. Që ditën e dytë, kompania që merr Albpetrolin merr direkt 50 mln dollarë”.

Përballë akuzave të dy deputetëve opozitarë, Ministri Naço përsëriti se asnjë pasuri e shqiptarëve nuk është duke u privatizuar. “Ata thonë që ne po shesim gjithçka dhe nuk mund t’ia mbush mendjen ndryshe, por ato që privatizohen janë asetet, uzina Kuçovës, Patos, tubacione nëntokësore, oficina në Lushnje dhe çdo gjë nëntokë apo mbitokë e trupëzuar. Me këtë privatizim ne do të respektojmë edhe marrëveshjet e mëparshme të nënshkruara me kompani në 2004-n, 2006-n, 2007-n dhe 2009-n, sepse nuk mund të bëjmë ndryshe. Marrëveshjet e mëparshme, të nënshkruar edhe nga socialistët, bën që gjithsesi Albpetroli sot të ketë vetëm 200 puse, nga të cilat vetëm 40 janë efektive. Përsa i përket marrëveshjes, ajo do të shoqërohet edhe me tre paketa të tjera. Lidhet marrëveshje për këto 200 puse të naftës, për puset e gazit në pronësi të Albeptrol dhe e treta është lista C, që do të lidhet me marrëveshje për ato burime që mund të zbulohen. Atëherë, ku qëndron e gjithë hileja në këtë proces?”.

Sipas Braçes, “hileja është shumë e qartë”. Deputeti PS argumentoi: “Nuk shitet ndërmarrja, por  të drejtat eksluzive të shtetit shqiptar, pikërisht përmes këtij ligji dhe për herë të parë do t’iu jap sot vlerat e sakta…. Ligji është prezantuar në Kuvend pa kaluar në komisione, është bërë një amendim tinëz dhe tashmë shitet edhe e drejta për kërkim zhvillim dhe prodhim, e një liste C, që nuk ekziston në asnjë pjesë të ligjit… Ligji tetor 2011 shet vetëm ndërmarrjen, por që prej atëherë, dy ligje të reja shesin të drejtat ekzluzive të shtetit shqiptar, kjo ndodhi pas vizitës së kryeministrit në azerbajxhan”.

Duke aluduar për një marrëveshje të fshehtë me qeverinë azerbajxhanase, Braçe citoi fjalët e kryeministri Berisha, që pas kthimit nga vizita në Baku deklaroi: “Mund të them se kërkesa për investitorë gjeti mirëkuptim tek azerët. Shqipëria do të privatojë Albpetrol dhe po bën përpjekje për të zgjuar interesin maksimal. Ftova kompaninë e vendit që të konsiderojë pjesëmarrjen në tender, në interesin më të mirë të dy vendeve”…

Megjithatë, sipas ministrit të METE, në këtë deklaratë të kryeministrit “nuk ka asgjë të pazakontë dhe ajo që bën ai janë lobime të vlefshme, të cilat i kursejnë shtetit miliona të tjera euro, që duhet të paguheshin për reklamim në mediat ndërkombëtare”.

Pjesa e dytë e Top Story iu kushtua akuzave dhe kundërakuzave mes dy deputetëve socialistë në panel dhe ministrit Naço mbi shifrat e prodhimit dhe të ardhurat që siguron për buxhetin e shtetit kompania Albpetrol.

Ministri Naço vlerësoi se kompania ndodhet në një situatë aspak të mirë financiare dhe prej vitesh figuron me humbje financiare. Për këtë ministri fajësoi një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2004, e cila garantonte kalimin tek privatët të 15 përqind të puseve çdo vit. Kjo marrëveshje, tha Naço, ka katandisur Albpetrolin sot me 200 puse nafte në total, nga të cilët vetëm 40 në gjendje aktive. 

Ndërsa deputeti socialist, Ahmetaj, përgënjeshtroi pretendimin e ministrit Naço dhe në vijim të qendrimit të opozitës kundër privatizimit tha se ky privatizim po kryhet pa asnjë strategji. Duke privatizuar pusin, tha Ahmetaj, privatizohet edhe rezerva në nëntokë, pasuri e shqiptarëve.

Ndërsa deputeti tjetër, Erjon Braçe ripërsëriti akuzat e ngritura edhe në parlament ndaj mazhorancës, se po privatizon të drejtat mbi pasuritë natyrore që i takojnë shqiptarëve. Braçe tha se Albpetrol është me humbje sot për shkak të emërimeve partiake që kryen në të duke vendosur në krye persona jospecialistë. Një dekret i Berishës, tha Braçe, në kohën kur ishte president dhe që ka të bëjë me privatizimet, është burimi i të gjitha vjedhjeve të sotme.

Në mbyllje të Top Story, ministri Naço mbrojti qendrimin e qeverisë se me privatizimin e Albpetro në buxheti i shtetit do të përfitojë më shumë të ardhura, ndërkohë që deputeti Ahmetaj paraqiti një alternativë se si duhet bërë ky privatizim.

“Ministri e pohoi paaftësinë e qeverisë për të kontrolluar industrinëdDhe industria do strategji e cila mungon sot. Privatizimi do duhej të kryhej me anë të të drejtave me afat të caktuar, jo me privatizime”, tha Ahmetaj duke shtuar se me rastin e parë të ardhjes në pushtet, Partia Socialiste do të kontrollojë dhe hetojë të gjitha marrëveshjet e privatizimet, sidomos ato strategjike në logjikë të sigurisë kombëtare dhe sigurisë energjitike.

Top Channel