Plani “Mallias” për Ballkanin

29/03/2012 00:00

Loreta Boti – Ambasadori Alexandros Mallias para disa ditësh botoi një shkrim mjaft
ambicioz, ku paraqiste idetë e tij për një masterplan të një politike të
re greke në Ballkan dhe posaçërisht në drejtim të shqiptarëve në të
gjitha shtetet ku ata jetojnë.

Dukej qartë se shkrimi ishte llogaritur për t’ i shërbyer pjesëmarrjes së zotit Mallias në një tryezë diskutimi që do të mbahet këto ditë në Tiranë. Nejse. Ajo që të bën përshtypje te shkrimi, është se autori shkruan sikur të mos ketë pasur të bëjë me politikëbërjen greke në drejtim të Ballkanit dhe në veçanti shqiptarëve. Ambasadori Mallias shkruan:

“Në realitet, mungesa e një plani të kompletuar me fillim, mes dhe mbarim me angazhimin e vërtetë të qeverisë greke në kërkim të një rrugëdaljeje, si dhe zgjidhjeve në nivel politik, kudo që të jetë e mundur, nuk është diçka që shqetëson apo preokupon Shqipërinë. Pse? Përgjigjja është e thjeshtë: Sepse pala shqiptare, si qeveria e Kryeministrit Sali Berisha ashtu edhe opozita e socialistit Edi Rama, konsiderojnë nga ana e tyre se Greqia e sotme është e dobët dhe e ngurosur, si dhe sipas Tiranës nuk ka vullnetin, ndoshta edhe mundësi, të diskutojë dhe të përparojë në përballimin e disa çështjeve të caktuara”.

Kjo është e vërtetë, por Mallias është nga ata njerëz që mban përgjegjësi të madhe për mungesën e një plani të tillë dhe ai ka detyrimin që të shpjegojë se përse ka ndodhur kështu. Ambasadori Mallias ka qenë për dekada të tëra në zemër të vendimmarrjes politike dhe diplomatike për Ballkanin në Athinë. Së paku që nga viti 1984, Mallias ka qenë pjesë e kancelarisë që përpunonte politikën greke për Ballkanin. Në janar 1993, Mallias u bë anëtar i grupit negociator grek mbi emrin e shtetit të porsashpallur të Shkupit. Në 1994-n, Mallias u bë kryetar i zyrës rajonale të monitorimit të Bashkimit Europian, me qendër në Sofje të Bullgarisë, e cila mbulonte edhe Shkupin. Më 1995-n, pas arritjes së akordit mes Athinës dhe Shkupit, Mallias u bë i pari shef i Misionit të Greqisë në Shkup, me ç’rast u ngrit në rangun diplomatik të ministrit fuqiplotë. Nga Shkupi, Mallias kaloi në Tiranë, më 1999-n, si ambasador i Greqisë në Shqipëri. Prej tetorit 2000 deri në shtator 2005, pra për pesë vjet, Mallias mbajti detyrën e drejtorit të Departamentit të Çështjeve Ballkanike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë. Më tutje, Mallias shkoi me detyrën e ambasadorit të Greqisë në Uashington, që mund të shihet si kurorëzim i një karriere të tillë të ekspertit të Ballkanit, se Uashingtoni është një pikë e nevojshme nga ku duhet të kalojë një njeri i tillë.

Zoti Mallias është ndër njerëzit që ka detyrimin për të na shpjeguar se përse gjërat kanë shkuar kështu siç kanë shkuar, dhe jo për të na dhënë propozime me plane gjenerale. Sot kjo është detyra e atyre që kanë zëvendësuar zotin Mallias. Natyrisht që askush nuk ia heq të drejtën zotit Mallias që të bëjë propozime, por është me të vërtetë papërgjegjshmëri e madhe që një zyrtar që ka pasur përgjegjësi të madhe për politikëbërjen zyrtare greke në Ballkan në më tepër se dy dekadat e fundit, të na flasë si një analist i medias, i cili thjesht i ka vëzhguar ngjarjet nga jashtë. Zoti Mallias do t’i ndihmonte më shumë politikëbërësit e sotëm grekë, duke shpjeguar se përse gjërat kanë shkuar ashtu siç kanë shkuar, me politikëbërjen greke në Ballkan. Kështu, politikëbërësit e sotëm të Athinës do të kenë mundësi që të arrijnë në përfundimet e duhura dhe të ndreqin çfarë duhet ndrequr. Zoti Mallias është një konstatues i mirë i problemeve, kur shkruan:

“Qëndrimi në vendnumëro, që dominon sot në marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë, në kombinim me çështjen e mbetur pezull të njohjes së Republikës së Kosovës, mund të përbëjnë shtyllën kurrizore të politikës sonë totale në marrëdhëniet me fqinjët shqiptarë? Sepse, n.q.s. mbesim thjesht në diagnozën dhe në vëzhgimin pasiv të gjendjes, nuk shoh mundësinë për të dalë në të ardhmen e afërt nga hendeqet. Rreth para një viti, kisha rastin të paraqes në Ministrinë e Jashtme një propozim total – kontekst për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura midis Greqisë dhe Shqipërisë, Kosovës dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Që atëherë deri më sot vazhdoj të shpreh mendimet e mia me intervista në gazetat ‘Utrinski Vesnik’ e Shkupit, ‘Koha Ditore’ e Kosovës dhe ‘Gazeta Shqiptare’ e Tiranës.”

Por zoti Mallias nuk shprehte mendimet nëpër gazeta kur në zyrat qeveritare greke përpunohej vendimmarrja në linjat e mësipërme. Zoti Mallias ishte pikërisht në këto zyra. Një fjalë e urtë, e përdorur shumë në Ballkan thotë: “Atë e nxorën nga dera dhe ai kërkon të hyjë nga dritarja”. Tani që zoti Mallias nuk është më në zyrat qeveritare greke të vendimmarrjes për Ballkanin, dhe ka dalë prej tyre nga dera, ai kërkon të hyjë në to duke u kacavjerrë nga dritarja, me anë të një “litari” special që e ka endur me furkën e tij arkadiane, dhe që është praktikisht Plani “Mallias” për Ballkanin. Tani politikëbërësve në zyrat qeveritare greke nga ku zoti Mallias doli nga dera, nuk u mbetet veçse të zbatojnë si blue print Planin “Mallias” për Ballkanin.

Mitologjia na thotë se në Arkadia, nga e ka origjinën zoti Mallias, jetonte mbreti Arkad, nga e mori emrin krahina. Arkadi u mësoi banorëve të krahinës tjerrjen e leshit me anë të furkës (boshtit). Si arkadian i mirë, zoti Mallias e ushtron këtë në diplomaci dhe me “furkën” e tij tjerr e tjerr politikëbërjen greke për Ballkanin, se nuk ia bën zemra të pranojë se tashmë kjo punë ka përfunduar për të dhe është detyrë e të tjerëve. Dhe produkti i tjerrjes së zotit Mallias nuk është aspak cilësor. Se nuk është vështirë të thuash se çfarë duhet bërë, por se si duhet bërë. Këtë shkrim dua ta mbyll me një citim nga shkrimi i ambasadorit Mallias, i cili thotë për marrëdhëniet greko-shqiptare:

“Specialiteti që nevojitet në mënyrë urgjente për diagnostikimin e saktë të marrëdhënieve midis dy vendeve, është ai i psikoanalistit dhe jo ai i diplomatit.”

Me lejen e zotit Mallias, unë do ta perifrazoj atë duke thënë se specialiteti i psikoanalistit qenka i nevojshëm edhe në disa rrethe të caktuara zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të politikëbërjes greke për Ballkanin në Athinë, të cilët duhet ta kuptojnë atë çfarë e kupton çdo zyrtar i përgjegjshëm në botë, se ka një kohë kur e mban një detyrë dhe një kohë kur nuk e mban më ti atë, por të tjerët. Sjellja e zotit Mallias vetëm sa mund ta komplikojë politikëbërjen greke në Ballkan.

Gazeta “Shqip”

Top Channel