Parada, “të mos nxitet urrejtje”; reagon edhe SHBA

28/03/2012 00:00

Përfaqesuesit e shoqërise civile, Avokati i Popullit dhe përfaqësues të
Ministrisë së Punës kanë kërkuar që të respektohen të drejtat e njeriut
dhe të personave lesbikë, homoseksualë, biseksualë dhe transeksualë.

“Unë mendoj se bashkë me institucionin e Avokatit të Popullit, por edhe me shoqërinë civile, ne të kemi mundësi të bëjmë disa propozime për përmirësime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që edhe ajo që mund të quhet si një gjuhë ‘e thjeshtë e urrejtjes’, pra unë po them atë që mendoj kundër homoseksualëve, apo kundër grave, fëmijëve e grupeve shoqërore, që janë të margjinalizuar në këtë vend, ose që jetojnë ndonjëherë në kushte ekstreme dhe ajo të jetë e ndëshkueshme, sepse pasojat që sjell gjuha e urrejtjes në një vend, janë pasoja të ndarjes e të dhunës”, tha Altin Hazizaj, nga ambasada Pink.

Avokati i Popullit, Igli Totozani tha se duhet ripare Kodi i Punës dhe i gjithë legjislacioni, mbi masat qe duhet te merren, kunderet personave qe nxisin urrejtjen permes deklaratave te tyre.

“Për të parë se ku janë pikat e dobëta të këtij legjislacioni, në Kodin e Punës, por edhe në kode të tjera, unë mendoj se bashkarisht ne duhet të punojmë shpejt që këto gjëra t’i zgjidhim sa më parë”, tha Totozani.

Drejtoresha e Shanseve te Barabarta ne Ministrine e Punes, Alida Tota tha se në këtë Ministri është ngritur nje grup pune per te konstatuar gjendjen reale te personave LGTB. Ne kete takim u tha se Festivali i Diversitetit eshte nje dite feste dhe çdokush ka te drejte te shfaqet si deshiron. Ne kete takim u pershendet qendrimi i kryeministrit, mbi personat me orientim te ndryshem seksualë.

Anti-diskriminimi, Shqipëria në konferencën e KiE-së

Shqipëria u përfaqësua nga zv/Ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra në konferencën e organizuar nga Këshilli i Europës për të drejtat dhe liritë e personave me orientim të ndryshëm seksual.

Në këtë konferencë, zv/ministrja Kodra shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të respektuar liritë dhe të drejtat e këtij grupi të shoqërisë. Madje, zonja Kodra tha se po punohet për rishikimin e legjislacionit dhe politikave për të eleminuar çdo praktike diskriminuese.

“Qeveria po punon për rishikimin e legjislacionit dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi, një ndër to është edhe ngritja e një grupi pune për hartimin e një sërë masash për mbrojtjen nga diskriminimi”, ka deklaruar në fjalën e saj, zv/ministrja Kodra.

SHBA dënon retorikën e përdorur për paradën

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i bashkohet bashkësisë ndërkombëtare për të dënuar retorikën që nxit trajtimin diskriminues apo dhunën kundrejt individëve lesbikë, gay, biseksualë dhe transgjinorë.

“Mirëpresim deklaratat e kryeministrit Sali Berisha, Avokatit të Popullit, Igli Totozani dhe komisioneres Kundër Diskriminimit Irma Baraku, që përkrahin të drejtat e individëve LGBT si të drejta të njeriut dhe mbështesin historinë e Shqipërisë me tolerancën”, thuhet në një deklaratë të ambasadës.

“Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton ka theksuar se: përbën shkelje të të drejtave të njeriut kur njerëzit rrihen apo vriten për shkak të orientimit të tyre seksual, apo sepse nuk janë konform normave kulturore se si duhet të duken apo të sillen burrat dhe gratë”, vijon deklarata.

Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të drejtat e bashkësisë LGBT si të drejta themelore të njeriut. Ambasadori u takua me aktivistë LGBT, Avokatin e Popullit e anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare sot për të ritheksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj mbështetjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.

“Mirëpresim përpjekjet e tyre për të sjellë ndryshime pozitive e së bashku do të vazhdojmë punën me shoqërinë civile, qeverinë e median në përpjekje për të promovuar këto vlera bazë e themelore”, thotë ambasada amerikane në Tiranë.

Top Channel