Zemërimi i ambasadorit danez

27/03/2012 00:00

Mitro Çela – Histori me bojne. Personazhet? Turistë. Katër familje. Dy nga Danimarka.
Dy nga Suedia. Vinë për turizëm në Shqipëri disa vite më parë.

Qëndrojnë disa ditë në Sarandë. Parajsë e shkuar parajsës. Nga bukuria: – Gjiri i Sarandës, një nga perlat e Mesdheut. Nga kultura? E pa krahasuar. Saranda ka Butrintin. Ka një sinagogë. 40 kisha e manastire. “Syri i kaltër” – vështirë të gjesh të dytë në Ballkan.

Biseduan në çifte. Vendosën gratë: Të bëhen banorë të Sarandës. Gjetën një pallat. 150 metra larg bregut të detit. Paguan paratë. Dhe u bënë pronarë. Vitet e para çdo gjë shkoi për bukuri. Por ka zot hauri! Domethënë, Saranda ka bashki. Dhe ish-kryetari i bashkisë, Edmond Gjoka jep një leje të re ndërtimi. Fiks përpara pallatit. U hapën themelet. Nisi ngritja e binasë. Kur ndërtimi arriti në katin e katërt, e pikasën të huajt. Bënë zhurmë. Kuptohet, si miza në qyp. Aq zhurmë, sa mund të bëjnë suedezët dhe danezët, në dhe të huaj.

Ku të ankoheshin? Në bashki nuk i pret njeri. Prefektura është në Vlorë. Është njësoj si të flasësh në portë të shurdhit. Takuan ambasadorin e Danimarkës, zotin Karsten Ankjaer Jensen. Punë me mend. Tani Danimarka është në “komandë” të Brukselit. Ambasadori shkon në Sarandë. Takon kryetarin e ri të bashkisë, zotin Stefan Çipa. Ai nxjerr vendim. Punimet për ndërtimin e pallatit pezullohen.

Por në Shqipëri ka demokraci. Ka bashki, por ka edhe gjykata. Ndërtuesit e hedhin çështjen në gjyq. Hapet seanca. Dëgjohen palët. Munden të huajt. Fiton biznesi vendas. Nis përsëri puna në ndërtimin e pallatit. Fjala shkon në ambasadë. Zëmërohet ambasadori. Punë pa bereqet. Gjykatat janë të pavarura…Do rinisi një odise gjyqësore. Në tre shkallët e gjykatave. Dihet fillimi. Nuk dihet fundi…Gjyqet zgjatin me vite?!

Morali. Ambasadori danez “thartohet”. Kërkon drejtësi, brenda drejtësisë. Kur nuk e nxjerr dot qimen nga qulli, bën një deklaratë: “Kur gjyqtarët janë të korruptuar, Brukseli largohet më shumë nga Tirana….”. Histori me mbret! Pardon! Histori edhe me ambasador, edhe nga vendi i vikingëve!

Të jetë ky rasti i parë, kur bashkitë futen në sinorin e pronave të huaja? Sigurisht që jo. Po të ishte ndryshe, do ishte “non sens”, siç llafos Spartak Ngjela. Kujtojmë një histori të lashtë. Në bllok është ambasada e Zvicrës. Një ditë nisi një ndërtim gjigant. Në krah të ambasadës. Brenda ligjit. Ishte marrë leje në bashki. Jashtë logjikës. Dhe çështja ka përfunduar në gjyq. Gjyqi i parë ka nisur në vitin 1998. Plot 14 vjet më parë

. Po fundi? Ende nuk duket në horizont?! E drejta një ditë del, – thoshte ushtari i mirë Shvejk,- sigurisht pasi të të mbijë bari mbi varr?!

Gazeta “Shqip”

Top Channel