15 vjet më parë, prezenca e OSBE-së u vendos në Tiranë në kulmin e krizës civile së ‘97-ës, e kthyer në një shqetësim ndërkombëtar.

15 vjet më pas, ky moment i vështirë që përcaktoi një lidhje të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe OSBE-së, është kujtuar me tinguj të hareshëm në Kuvendin e Shqipërisë, asistenca ndaj të cilit përbën edhe një nga zërat kryesorë të mandatit të OSBE-së në Shqipëri.

Ambasadori Eugen Volfarth, duke renditur disa arritje të rëndësishme të Shqipërisë,  theksoi nevojën e progresit të mëtejshëm për të siguruar që institucionet, sistemi demokratik dhe shteti i së drejtës të funksionojnë plotësisht.

Eugene Volfarth, Ambasador i OSBE-së: Është një nder i veçantë për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri të festojë përvjetorin e saj në një vend i cili duhet të jetë dhe fytyra e demokracisë: në një parlament të zgjedhur në mënyrë demokratike. Sot vëmë re me kënaqësi progresin e bërë në lidhje me miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Çfarë nevojitet për hapat në vazhdim? – një ndjenjë e dukshme kompromisi, drejtësi dhe vullnet i mirë për të qenë të frytshëm dhe një besim që duhet përforcuar më tej.

Jozefina Topalli, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë: Pas arritjes së jashtëzakonshme për t’u bërë anëtare të Aleancës së Atlantikut, pas arritjeve me heqjen e vizave, Unë jam e sigurtë se ne të gjithë bashkë deputetët e kuvendit të Shqipërisë, për të nderuar mandatin që shqiptarët na kanë dhënë, do të bëjmë në realitet atë që është kryeaxhenda jonë, apo objektivin e madh kombëtar, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Top Channel