PS: Të shkarkohet kryetarja e KKRT-së

26/03/2012 00:00

Deputetët e opozitës, në Komisionin e Medias dhe Arsimit kanë kërkuar
shkarkimin e kryetares së KKRT-së, për abuzime dhe shkelje të ligjit.

“Në mbledhjen e fundit kryetarja na dha një shembull konkret, se si veprohet në mënyrë selektive me futjen e Top Channel, në listën e atyre operatorëve që nuk paguajnë tatimet. Një institucion që ka probleme me zbatimin e ligjit, me zbatimin e detyrave të lëna nga raporti i progresit i BE-së dhe një institucion, të cilit i vijnë të njëjtat detyra, vit pas viti në rezolutën e Kuvendit dhe që nuk janë zbatuar, besoj se nuk e meriton të votohet jo vetëm rezoluta, por padyshim që e vetmja rrugë është shkarkimi dhe formatimi i një këshilli të ri eficent, i cili i shërben në mënyrë të paanshme dhe profesionale, publikut”, tha kryetarja e komisionit, Valentina Leskaj.

“Të shohim ato që janë përgjegjësitë tona, mos i kalojmë për konsum publik atje ku nuk u takon. Të miratojmë më mirë ligjin dhe një ligj më të mirë për ju dhe e dyta do t’ju plotësojmë edhe Këshillin, se këto janë dy problemet bazë që kemi”, tha deputeti Strazimiri.

Deputeti Alfred Dalipi ka paraqitur një dosje të plotë, mbi një projekt prej 600 mijë eurosh, i sponsorizuar nga qeveria daneze dhene KKRT-së në vitin 2002. Kjo pajisje teknike duhet te sherbente per te matur frekuencat dhe per te luftuar piraterine.

“Eshtë bërë përveç një shpërdorimi detyre, është bërë edhe një abuzim financiar. Kur ju përmenda shifrën e mjetit, sepse mjeti është prodhuar special me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Mund të them që vetëm analizatori i spektrit dhe matësi i fushës kapin shifrën e 200 milionë lekë të reja, të cilat nuk gjenden më dhe janë zhveshur nga makina. Kjo nuk mundet të gjendet arsye që shpenzonte karburant, se nuk është mjet transporti, ky është mjet teknologjik, që do t’i shërbente KKRT-së për të zbatuar një nga kushtet e ligjit. Unë do t’i rezervoja edhe një kërkesë atë që parashtron ligji, për shkarkimin për abuzime të rënda financiare”, tha deputeti socialist, Alfred Dalipi.

Kryetarja e KKRT-së Endira Bushati tha se aparaturat e kesaj makine, që ka bere vetem 9 mijë kilometra, janë tërësisht të çmontuara dhe praktikisht kjo pajisje nuk është në funksion të KKRT-së dhe abuzimi është kryer që ne vitin 2002.

“Kam ngritur grupin e punës për të verifikuar vlerën, për të verifikuar se kush mban përgjegjësi për shkëputjen dhe çmontimin e aparaturave, për të parë sa e ka vlerën veçmas kjo makinë nga aparaturat dhe kush mban përgjegjësinë për abuzimin në këtë projekt. Makina është blerë rreth 600 mijë euro dhe vetëm manuali është blerë 60 milionë lekë. Dini ju ndonjë pajisje që manuali i përdorimit i kushton 60 milionë lekë? Kjo ka ndodhur ne KKRt-ne e vitit 2002. Makina nuk është për transport, makina për shkak të mbajtjes së disa aparaturave ka vetëm dy sedilje. Drejtori teknik nuk di t’i japë makinës dhe nuk e ka nxjerre asnjehere ne rruge. 2002-2012 janë vetëm 9 mijë kilometra të bëra”, sqaroi Endira Bushati.

Deputeti Dalipi ka kerkuar te dhena te sakta per kete makine, te sponsorizuar nga qeveria daneze, e cila ka funksionuar deri ne vitin 2009.

“Kjo ka patur një rëndësi kaq të madhe dhe kur ta thashë ka qenë ‘syri i qeverisë në territor’ dhe deri në vitin 2009 ka raporte, të cilat janë bërë nga Departamenti Teknik në territor, kur keni marrë në dorëzim detyrën. Eshtë mirë që të paktën para komisionit të mos abuzoni me shifra dhe për të hedhur tymnaja”, tha deputeti Dalipi.

Komisioni ka kerkuar nje raport te plote mbi gjendjen e pajisjes teknike te dhene nga qeveria daneze, nderkohe qe deputetet e maxhorances kane votuar rezoluten e KKRT-së.

Kundërpërgjigjet Bushati, ngre grupin e punës

Kryetarja e KKRT-së, Endira Bushati, përmes një deklarate i ka dhënë përgjigje akuzave të Partisë Socialiste në komisionin e medias në Kuvend.

Sipas saj, automjeti i shumëpërfolur është blerë me fondet e Mbretërisë së Danimarkës dhe vetë KKRT-së. Në njoftim thuhet se, në vitin 2005 pjesa më e madhe e këtyre pajisjeve janë çmontuar pa asnjë urdhër të shkruar.

Në këto kushte, kryetarja e Endira Bushati, ka ngritur një grup pune, për të vlerësuar gjendjen aktuale të këtij automjeti, si dhe për të verifikuar proçedurat e ndryshimit të gjendjes së automjetit.

“Më konkretisht, grupi i punës i ngritur për këtë qëllim do të verifikojë proçedurat që nga momenti i blerjes së automjetit dhe deri në momentin e çmontimit të pajisjeve, duke marrë edhe masat përkatëse”, thuhet në reagim.

Top Channel