Kryeprokrurorja e përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama e quan të pavërtetë raportin e Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë institucion. Qëndrimi i prokurorisë për këtë raport, sipas saj, i është komunikuar Kuvendit të Shqipërisë dhe me kohë do të njoftohet edhe publiku.

Këto komente zonja Rama i bëri gjatë një vizite në Prishtinë pas takimit me kryeprokurorin e Shtetit të Kosoves, Ismet Kabashi.

“Ne si institucion kemi bërë prezent qendrimin e prokurorisë ndaj raportit, nuk ndajmë të njëjtin qendrim me Ministrinë e Drejtësisë, ndajmë një qendrim të ndryshëm nga gjërat që ajo bën prezent duke thënë që një pjesë e gjërave nuk rezultojnë të vërteta, ashtu siç bëjnë prezent, por duke përdorur bazën ligjore mbi të cilat ato arsyetohen, ky qendrim sipas ligjit i është bërë prezent edhe Kuvendit të Shqipërisë, aty ku duhet ta bëjmë”, sqaroi Rama.

Lidhur me pavarësinë e sistemit prokurorial nga politika, Rama tha se pavarësisht bazës ligjore Shqipëria ende ballafaqohet me vështirësi.

“Ky është një proces që ka vështirësitë e tij, është një proces që ka problematike, kosto, prokuroria shqiptare po punon në këtë drejtim për të forcuar pavarësinë e saj”, tha kryeprokurorja Rama.

Nga ana tjetër, kryeprokurori kosovar Ismet Kabashi tha se në sistemin prokurorial të cilin ai e menaxhon nuk ka ndërhyrje politike.

“Të gjitha predispozitat ligjore që të kemi një gjyqësor të pavarur janë të rregulluara me ligj. A do të ketë dikush mundësi të ndikojë politikisht te një prokuror unë them se varet vetëm nga ai prokuror, unë them se në sistemin prokurorial të cilin e menaxhoj, nuk kemi pas ndërhyrje politike”, tha kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi.

Dhe duket se Kosova është një hap përpara Shqipërisë për sa i përket marrëdhënieve ligjore që Ministria e Drejtësisë, në këtë rast ka me Prokurorinë e Shtetit. Ligjërisht ky institucion nuk ka të drejtë të bëjë kontrolle për afate apo cilësi hetimesh në Prokurorinë e Shtetit.
 
“Ne kemi krijuar një ambjent të mirë që në Kosovë të respektohen vendimet e gjyqësorit dhe prokurorisë. Unë me detyrë zyrtare jam anëtar i Këshillit Prokurorial, por nuk marr pjesë në procedurën e emërimit të prokurorëve dhe ju e keni vërejteje se nuk kemi asnjë kontestim”, deklaroi Hajredin Kuci, Ministër i Drejtësisë i Kosovës.

Axhenda e zonjës Rama në Prishtinë ishte mjaft e ngjeshur. Në takime të vecanta ajo u prit edhe nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga si dhe nga Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.

Në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi mes Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, drejtuar nga Shkëlqim Hajdari dhe Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, e cila kryesohet nga Drita Hajdari.

Prokuroria akuzon Ministrinë

Këshilli i Prokurorisë i mbledhur për të shqyrtuar raportin e Ministrisë së Drejtësisë, dërguar në Kuvend, ka akuzuar se janë manipuluar statistikat për vitin 2011.

Në deklaratën e këtij këshilli thuhet se, terminologjia e përdorur në këtë raport si “…sulmon drejtpërdrejtë dhe në mënyrë më agresive sigurinë publike të qytetarëve”.  “…asgjëson qëllimet e dënimit penal”. “…minon besimin publik tek efektiviteti i ndjekjes penale”, e kordinuar kjo me manipulim të shifrave jo vetëm të statistikës së prokurorisë por edhe të përqindjeve të prokurorive të kontrolluara të shkallës së parë, tregojnë qartë mosprofesionalizëm të kontrolleve si dhe një tendence për sense negative, duke devijuar nga fryma e ligjit.

Këshilli ka kundërshtuar pothuajse të gjitha pikat e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë duke sqaruar se, për sa i takon politikës së dënimit, Ministria ja ka faturuar Prokurorisë, ku në fakt nuk është prokuroria që bën politikën e dënimit, por gjykatat me vendimet e tyre bëjnë politikën e dënimit në tërësi dhe për vepra penale në vecanti. 

Top Channel