Fier,banorët akuzojnë CEZ-in

26/03/2012 00:00

Dhjetëra banorë, përfaqësues të 70 familjeve të fshatit Cipllakë, në komunën Libofshë të rrethit të Fierit, kanë protestuar në orët e para të mëngjesit para prefekturës.

Shkak është bërë mungesa prej tre javësh e energjisë elektrike në banesat e tyre. Banorët kanë pohuar se prej tre javësh po enden dyerve të institucioneve dhe të kompanisë CEZ, por nuk kanë gjetur zgjidhje.

Fshati sipas tyre është pa energji, pasi transformatori është djegur dhe nuk po zëvendësohet prej kompanisë CEZ edhe pse ata janë pagues të rregullt të energjisë elektrike.

Banorët pohojnë se nuk mund të durojnë më këtë gjendje. Ata kanë kërkuar një takim me prefektin. Një përfaqësi e tyre është pritur pa praninë e mediave nga prefekti, i cili u ka premtuar atyre zgjidhje.

Ndërsa kompania CEZ, e kontaktuar është shprehur se do të kryhet zëvendësimi i transformatorit të djegur me një transformator të ri.

Top Channel