Berisha: Reforma në kohë rekord

26/03/2012 00:00

Duke deklaruar vullnetin e mazhorancës për të arritur kompromiset e duhura me opozitën për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it, kryeministri Berisha shprehu bindjen se reforma mund të finalizohet në një kohë rekord, nëse edhe kreu i opozitës Edi Rama do t’i qendrojë vullnetit për kompromis të treguar deri më tani.

Por kryeministri nuk shprehu siguri absolute tek kryesocialisti Rama dhe arsyet sipas zoti Berisha qendrojnë tek rezultati i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Nuk mund të them cili do të jetë qëndrimi i zotit Rama, sepse ai është satelit në orbitën e humbjes. Që të gjitha variantet e tij nuk e nxjerrin dot nga ajo orbitë. Por të të votojnë vetëm 40 për qind e mbështetësve të tu, je i pashpresë. Prandaj dhe zotëria nuk bën platformë, por thotë se kemi Bamirin dhe Kreshnikun. Pavarësisht nga prognoza dhe inoptika elektorale, është në interesin e tij më të mirë të kompletojmë reformat e kërkuara për proçesin e integrimit. Të paktën kur nuk i çon dot në fitore, mos ua nxi imazhin. Mos i nxirr bllokues. Flet për rilindje, por çfarë rilindje bëri ai përveç rilindjes së bllokut? Pra, premton rilindjen e së shkuarës”, deklaroi Berisha.

Por, megjithëse Shqipëria nuk ka përmbushur ende standardet kyçe për integrimin, kryeministri Berisha është rishfaqur në pozicionin e autoritetit të lartë shtetëror që mbron standartin e respektimit të të drejtave të pakicave, përfshirë edhe pakicave seksuale.

Nga ky pozicion, kryeministri e cilësoi si të papranueshëm qëndrimin e aleatit të tij qeveritar për manifestimin e pritshëm të pakicave seksuale në Tiranë.

“Nuk është aspak përgjigje mbretërore reagimi i zotit legalist, kryetari i PLL-së, se dhe vetë janë parti e tolerancës dhe e kanë faktuar këtë”, u shpreh Berisha.

Parada e homoseksualëve, që do të organizohet më 17 maj në Tiranë, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, do të zhvillohet nën mbrojtjen e qeverisë së kryeministrit Berisha, sipas të cilit pakicat seksuale janë një realitet që ekziston, pavarësisht besimeve apo bindjeve politike.

“Orientimi i ndryshëm seksual është një realitet i lashtë sa vetë lashtësia. Dhe ajo që dua të them është se Tirana është qytet i tolerancës dhe një vend i lirive të garantuara. Ky është qëndrimi ynë”, theksoi Berisha.

Top Channel