Bashkia dyfishon taksat

24/03/2012 00:00

Bizneset e vogla ankohen se po i paguajnë Bashkisë së Tiranës taksa gati dyfish më të larta, krahasuar me vitin 2011.

Shqetësimi i tyre është denoncuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku tregojnë se inspektorët e Bashkisë u kanë bërë vlerësim të xhiros, shume më të lartë nga ajo që ata kanë realisht.

“Për këtë vit shifra që duhet të paguaj më ka ardhur 780 mijë lekë të vjetra, më është dyfishuar krahasuar me një vit më parë. Unë kam një metër katror, dyqan dhe më ka ardhur tatimi për 30 milionë xhiro që duhet të bëj për gjithë vitin, kur unë kam deklaruar 12 milionë lekë të vjetra. Premtimi ishte që taksat do të uleshin, jo që do të dyfishoheshin”, thotë një tregtare.

Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak shprehen të shqetësuar lidhur me ankesat e qytetarëve, duke kërkuar që Basha të heqë dorë menjëherë nga ky mekanizëm, që bie në kurriz të qytetarëve dhe që i çon ata drejt falimentit në këtë kohë të vështirë krize.

“Kemi marrë shqetësime në lidhje me vlerësimin për detyrimet tatimore për vitin 2012. Detyrimi tatimor është gati dyfish më i lartë se ai që kanë patur në vitin 2011. Por ajo që shohim është që mekanizmi i marrjes së të ardhurave për të realizuar ato objektiva është një mekanizëm arbitrar dhe jo në funksion të ligjit. Ne i bëmë me dije, në momentin e miratimit të buxhetit që do të mbështesim çdo politikë e cila formalizon ekonominë është në frymën e respektimin e ligjit, por nuk mund të heshtim para masakrës ndaj biznesit, sepse dyfishimi i detyrimeve tatimore do të thotë që në këtë periudhë të vështirë do të kemi një proces të përshpejtuar të falimentimit të tyre në aktivitetin ekonomik. Këto shqetësime vijnë në zona të ndryshme të Tiranës, shqetësime ka për pjesën e rrugës së Durrësit, rrugës së Kavajës etj”, thotë Adriana Berberi, nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë në Këshill.

Kreu i Këshilltarëve socialistë Aldrin Dalipi tha se do te kerkoje nje seance te posaçme ne Këshillin Bashkiak, ku kryetari i Bashkise te jape sqarime lidhur me ate çfarë po ndodh me biznesin e vogël, në një kohë kur u ishte premtuar ulje e taksave dhe tarifave.

“Ne e kemi paralajmëruar këtë situatë kur kemi denoncuar mashtrimin e madh publik me heqjen e gjoja 60 taksave dhe tarifave, ndërkohë që sot qytetarët po përballen me dyfishim të këtyre taksave dhe tarifave. E kemi paralajmëruar këtë që po ndodh, kur kemi thënë që buxheti i vitit 2012 ishte jo realist dhe i pabazuar në vlera financiare, ndërkohë që sot qytetarët e Tiranës ndodhen nën presionin e administratës së bashkisë, pikërisht për të grumbulluar dhe për të paguar paaftësinë e kësaj administrate. Ne do të kërkojmë sqarime nga kryetari i bashkisë së Tiranës. Gjithashtu do të kërkojmë një seancë të posaçme për të dëgjuar edhe qytetarët në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe për të ndalur këtë situatë që është e papranueshme”, tha Dalipi.

Po keshtu tregtaret ankohen se po paguajne tarifen e pastrimit dy here per te njejtin vend, pasi një herë e paguan pronari i dyqaneve dhe më pas ata që i kanë marrë me qira ambientet ku ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Top Channel