Nafta, gropa e zezë e buxhetit

23/03/2012 00:00

Qeveria ka pranuar se kompanitë e huaja, të cilat eksportojnë miliona
dollarë naftë nga Shqipëria, në tetë vjet nuk kanë paguar asnjë lek
tatim-fitimi në buxhet. Ministri i Ekonomisë Nasip Naço thotë se
kompanitë deklarohen me humbje.

“Nuk ka arritur asnjehere barazimi i shpenzimeve me te ardhurat. Po marr kompanine qe eshte dhene per Patoz Marinzen, e cila ka investuar rreth 930 milione dollare, te ardhurat i ka patur gati 730 milione dollare, pra i duheshin edhe 200 milione dollare qe te arrinte shifren”, thotë Naço.

Kompanitë deklarojnë qindra milionë dollarë shpenzime për paga. Zoti Naço thotë se qeveria nuk e kontrollon dot nëse bilancet janë të rregullta apo abuzive, pasi nuk ka ekspertizë.

“Ne aq i kemi njohuritë tona në këtë fushë dhe është Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve që i mbulon këto. Kemi bere kontrolle te vazhdueshme, por tregu eshte i tille, njohurite tona jane te tilla ne fushen e hidrokarbureve, qe nuk kemi arritur dot te bejme nje kontroll te sakte”, thotë Naço.

Por, sipas tij, një pjesë e fajit se pse buxheti nuk merr para nga rezervat e naftës, i takon qeverisë socialiste, që lidhi kontratën koncesionare në 2004-ën.

“Une e nis prape te Marreveshja e Hidrokarbureve, qe ka hedhur bazat ne vitin 2004 dhe ka pasuar edhe marreveshjet e tjera. Nuk them se kane gabuar apo kane shkelur ligjin ne ate kohe dhe t’i akuzoj per kete Marreveshje. Aq i kane patur njohurite e tyre me marreveshjet e hidrokarbureve dhe e kane lidhur me ato kushte qe nuk perfiton shteti shqiptar”, tha Naço.

Disa ditë më parë qeveria miratoi ligjin për privatizimin e Albpetrolit, që kontrollon marrëveshjet koncesionare të naftës.

“Kjo eshte edhe nje nga arsyet qe ne do t’ia shesim kete te drejte, (nuk do t’ia falim sic bene ne 2004), kesaj kompanie, pra Albpetrolit qe do te privatizohet, qe te kontrolloje nese investimet jane sic deklarohet nga kompanite apo jo”, sqaroi Naço.

Eksportet e naftës arrijnë kanë arritur aktualisht deri në 900 mijë tonë në vit ose mbi 450 milion dollare. Një ditë më parë në një intervistë për Top Channel, deputeti socialist Erjon Braçe tha se nga dhenia me koncesion e zonave naftambajtese buxheti i shtetit ka perfituar vitin e kaluar vetem 20 milionë dollarë.

Top Channel