Ambasadorët amerikanë, mes vizionit dhe misionit të tyre

23/03/2012 00:00

Artan Mullaj – Të gjithë e kemi parasysh ish-ambasadorin Withers! I qeshur dhe i shëndetshëm, njeri i mirë dhe i ëmbël, si çokollatë!

Energjia pozitive i regëtinte fytyrës, me shpërthimin e një vullneti të mirë, por të ashpër. E patëm kuptuar! Në portretin e tij, ashpërsia përdorej për të ruajtur balancën e duhur midis personit ëithers dhe zyrtarit amerikan ëithers. Rruajtjes së një ekuilibri, veç të tjerave, i patën shërbyer atëherë edhe përrallat me kafshë dhe simbole që rrëfente në daljet publike, për t’u krijuar hapësira meditimi shtetasve shqiptarë dhe mundësi reflektimi politikanëve shqiptarë. Kjo simbolikë, si kobalt që mbështjell performancën e tij, e shoqëroi atë sa kohë ishte ambasador në Tiranë. Por tani, në pension, i zhveshur nga detyra dhe përgjegjësitë protokollare, nuk është më e nevojshme të krijojë simbole virtytesh e vlerash, me përralla dhe fabula me mesazhe të fshehura tinëz, njëlloj si nuk është e nevojshme të mbajë ende kollare. Në njëfarë mënyre, shpesh, detyra shndërrohet në një kurth të identitetit tonë. Shpesh, për hir të detyrës, nuk jemi vetja jonë, e ca më pak, nuk jemi ajo plazma qelizore, për të cilën përpiqemi fort gjithë jetën të jemi… Në një intervistë të fundit, ëithers ka folur qartë për realitetin e hidhur shqiptar. Epo e dimë. Një katrahurë, demokracisë së të cilit nuk i shkon as fraza “e brishtë”, kjo është Shqipëria reale. E ashpër! Zhgënjyese! E varfër! Dhe mbi të gjitha, pa shpresën që gjeneron zakonisht politika e pastër. Këto dihen. E reja në intervistën e tij është qartësia e skajshme. Për ëithers, me sa duket, nuk ka një politikan tranzicioni që të spikasë, si diamant mes rrëmujës. E ka thënë troç. Kurse për ne, e brishtë është kuraja jonë për të besuar se demokracia, e zhvilluar nga këta politikanë, ekziston megjithatë realisht rrotull nesh; për të besuar se demokracia te ne ekziston si një nevojë e lindur prej kaosit, jo për t’u përballur me të, por për t’u çliruar prej tij…

Kur nuk i shërben më njeriut, demokracitë si kjo jona, nëse mund të quhen ende demokraci, i shërbejnë anarkisë së zhvillimit. Kuturullëkut! Harbutërisë! I shërben një dinamike të errët, që shfaqet herë si pushtet, herë si sundim. Kur përdoret prej pushtetit për të sunduar, demokracia nuk është më e tillë. Nuk është më qëllim, është mjet. Kur demokracia nuk është qëllim, kambanat e anarkisë gjëmojnë pranë. Në anarki, në kaos, sundohet më lehtë, bota është e zbërthyer. Qëllimi i eprorëve, mos është pikërisht kjo gjë, vrasja e arsyes, anarkia, rendi i rrëmujës, pavetëdija?

Krijohet përshtypja se ish-ambasadori amerikan, nuk e shikon anarkinë shqiptare çështje të ditës, por çështje të jetës. Për shkak të saj, e ardhmja në Shqipëri, njëlloj si demokracia e saj, është e paqartë. Është e paqartë edhe për shkak se ky vend qeveriset vetëm për t’u sunduar. A ka arsye, apo së paku përgjegjës për këtë gjë? Për ëithers, përgjegjës janë liderët. Prandaj, beson ai, nevojiten ngutshëm të tjerë, të lirë, të moralshëm, të pastër. Liderë politikanë që ta ndjejnë shpirtërisht sensin e ndershëm të gjërave. Nuk ka qenë e vështirë për diplomatin e çmuar të nuhasë që politikanët aktualë, nuk kanë kulturën e nevojshme politike për ta udhëhequr vendin drejt një demokracie të shëndetshme. Këtë thotë i këndshmi ëithers. Politikanët duhet të ndryshojnë mentalitetin e tyre, që ky ndryshim të përmirësojë mentalitetin e shtresave të rralluara popullore. Nëse ekziston, dëshpërimi i ëithers vjen për shkak se ky ndryshim ngjan i pamundur. Ky dëshpërim prej miku është i dukshëm. Nuk mund të ndryshojnë ata që e ndryshuan për keq këtë vend. Nuk mund të krijojnë vlera ata që shkatërruan vlera. Në rastin më të mirë, mbetet të largohen dhe të zëvendësohen me të rinj. Por edhe kjo është e pamundur. Të paktën tani për tani.

ëithers ka folur hapur, drejt, qartë edhe vonuar në këtë intervistë, sa natyrshëm ka krijuar adhurim, keqardhje edhe zhgënjim kolektiv njëherësh. Është e pafajshme dhe jo e pafalshme që dikush të mendojë se zoti ëithers ka ngatërruar radhën e gjërave, orientimin. Kur ishte ambasador, a duhej në vend të përrallave, t’i tregonte publikut shqiptar hapur atë që deklaron sot në intervistë? T’ju thosh shqiptarëve se qeveria e Tiranës është një bandë të korruptuarish, që synim të vetëm kanë jo thjesht pushtetin, por shtetin dhe pas tij, pushtetin me çdo kusht.

Por a mund t’i thosh?

Si një surprizë sentimentale, përfytyrimi i ardhshëm i ambasadorit aktual Arvizu na vjen i tillë, i pashmangshëm. Pas disa vitesh, në çlodhtoren e tij të pensionit, njëlloj si ëithers sot, mbase ai do meditojë pranë një oxhaku me dru lisi në qetësi, duke pirë çaj kinez. Në Misisipi, në Ilinois, në Miçigan, ose kushedi ku. Flakët e oxhakut do t’i regëtijnë fytyrën e menduar në errësirë, për t’i gjallëruar kujtimet. Do të kemi atëherë një libër prej tij, me kujtime të forta nga vendi i “burrit të shtetit”, që quhet Berishë? Çfarë do mund t’i shkaktonte vrasje të ardhme ndërgjegje ambasadorit, kur të përballet me vuajtjet e ardhshme të kujtesës? Diplomati do t’i duhet të përshkundë perden që ndan vetëdijen me pavetëdijen e tij, për të pasur përgjigjen. Mbase, si një lëndim i njëtrajtshëm në kohë, i lehtë por këmbëngulës, meraku i tij do të jetë paqartësia e vrazhdë dhe ndëshkuese e rolit të tij gjatë detyrës në Tiranë. Pavarësisht ngjyrimeve, pat qenë një rol i epët diplomatik, natyrisht. Dhe pavarësisht ngjyrimeve, ambasadori do të kujtojë se si frazat mbështetëse “burrë shteti” për Kryeministrin Berisha dhe “një yll në ngjitje” për kryebashkiakun e ri të Tiranës, krijuan në Shqipëri një pështjellim të hidhur, si ilaçet e zemrës.

Ngaqë nuk mund të qe gjë tjetër pra, mbështetja për këto dy personazhe të pushtetit, ishte një reagim diplomatik, që jo gjithkush mund ta kuptojë. Pakuptueshmëria, nganjëherë, është lënda e diplomacisë, ashtu si mjet i saj është dinakëria. Duke mos kuptuar, njerëzit mendojnë se thellë veprimeve apo vendimeve, megjithatë, gjithmonë ka një kuptim. Vetëdija kolektive se në çdo rast, sjellja e diplomatëve ka doemos një kuptim, një shpjegim, edhe pse në mister, tregon se diplomacia ka ligjet e veta, kurthet e veta, që nuk është e thënë të përkojnë në çdo rast me logjikën civile, e ca më pak me moralin. Prandaj, edhe pse shkaktoi habi dhe zhgënjim së paku për një pjesë të shqiptarëve, Arvizu, në të ardhmen, në pension, duket se do ta ketë të lehtë paqen me realitetin. Do ta ketë në xhep arsyen, shpjegimin, justifikimin. Sepse në perceptim, të jesh një diplomat në Shqipëri, është si të jesh një justifikim, nëse nuk je një zgjidhje…. (Këto nuk janë çështje të marrëzisë, por çështje të diplomacisë, të mjafta të ngushëllojnë shpirtrat e ambasadorëve, kur ata dalin në pension. Çdo qëndrim diplomatik në detyrë, edhe kur nuk miratohet nga njerëzit, e ka doemos një justifikim. Janë të mjafta për të qetësuar edhe shpirtrat e qytetarëve të zhgënjyer fort nga anësia e këtyre ambasadorëve në drejtim të rëndesës së pushtetit).

Intervista e ëithers nuk mund të mos na gjallërojë kureshtjen. Si do të shprehej Arvizuja për Berishën, për vrasjet më 21 janar, për gjyqin e Metës, për zgjedhjet e Bashkisë dhe për “yllin” e Bashkisë, kur të lirohej nga zgjedha e etikës diplomatike? Nëse ashtu si ëithers, Arvizu do të ndiente së brendshmi atë shtysën instiktive të moralit, që nxjerr në dritë ndryshimin nervoz midis njeriut dhe profesionit, a do të shkruante pak a shumë si ai? Apo, larg qoftë, do të shkruante ndryshe? Duke qenë jo rastësisht ambasador i SHBA-ve, rastësia nuk mund të ketë kontrolluar përshtypjet e tij për Shqipërinë dhe politikanët e saj. Ashtu si nuk mund të jetë rastësi qetësia dhe rastësia me të cilën të huajt po ndjekin sundimin e qartë dhe mizerjen në Shqipëri. Mbase që tani, shpirt-thjeshtët, po përfytyrojnë dhunshëm se ndryshimi i dukshëm midis ëithers dhe Arvizu, realisht nuk ekziston. I vetmi ndryshim ndoshta është maska e nevojshme diplomatike, që Arvizu është i detyruar të ketë, por që ëithers realisht nuk e ka. Përgjithësisht, sundimi në një vend, edhe kur nuk duket, ndihet. Në Shqipëri ndihet nga të gjitha gjallesat mbi tokën e saj, pa përjashtim. Aq më shumë nga të huajt dhe autoritetet…

Kur Arvizu të largohet, kureshtarët patjetër do uronin të joshen shumëfish nga personi që ndoshta, për të mos dalë nga shinat e detyrës, shtrëngoi vidhat e tundimit, për të mos folur hapur. Kaq shumë sa e privoi veten e tij edhe nga rrëfimi i përrallave plot me mesazhe dhe nënkuptime. Dhe të tjerët, pesimistët dhe indiferentët, në barrikadat e vjetra apo llogore të reja, patjetër do të mbeten në pritje të jenë pranë një çasti lehtësimi, që s’mund t’ua japë veçse një intervistë e qartë e amerikanit Arvizu në pension, apo një libër i tij i vërtetë me kujtime.

Gazeta “Shqip”

Top Channel