Të burgosurit e Guantanamos

21/03/2012 00:00

Njërit prej 11 ish-të ndaluarve në burgun e Guantanamos, të cilët janë strehuar në Shqipëri, qeveria Shqiptare i ka ndaluar kthimin në vendin e tij, në Egjipt. Top-Channel ka mësuar se Sherif Almeshad i ka dorëzuar një kërkesë qeverisë shqiptare për t’u kthyer në vendlindje pas rënies së regjimit të Mubarakut.

Në mbështetje të kthimit të tij janë edhe autoritet egjiptiane, të cilat përmes një letre dërguar qeverisë shqiptare shkruajnë se ata e mirëpresin kthimin e zotit Almeshad, meqenëse ai nuk përballet me ndonjë rrezik.

Në letrën që ambasada egjiptiane në Tiranë i ka dërguar qeverisë shqiptare në 31 tetor 2011, thuhet se Sherif Almeshad nuk ndiqet penalisht në Egjipt. I gjithë informacioni i kërkuar nga pala shqiptare është vënë në dispizicion nga qeveria egjiptiane.

Në letër theksohet se qeveria shqiptare, deri në datën e që mban ky dokument, ka refuzuar daljen e tij nga Shqipëria, ndërkohë që qeveria egjiptiane është duke punuar për kthimin e Almeshad në Egjipt, por nuk i di arsyet përse shteti shqiptar e refuzon udhëtimin e tij dhe të bashkëshortes shqiptare.

Ndërkohë, vende të tjera europiane, përfshirë ato anëtare të BE-së, pas të ashtuquajturës “Pranvera Arabe”, kanë lejuar kthimin në vendlindje të personave të cilët janë mbajtur si të dyshuar për terrorizëm në burgun e Guantanamos.

Sherif Almeshad u arrestua në Afganistan në vitin 2001 dhe më pas u mbajt i burgosur për 9 vitet e ardhshme në Guantanamo. Një marrëveshje mes SHBA dhe qeverisë shqiptare do të mundësonte pranimin e tij në vëndin tonë si azilant.

Top Channel